Na ndiqni edhe në

Shqip

Çfarë bëjnë grekët, hebrenjtë dhe italianët që shqiptarët nuk po e bëjnë ende në SHBA!

Çfarë bëjnë grekët, hebrenjtë dhe italianët
Në SHBA, komunitetet emigrante janë shtyllë e demokracisë. Ata nuk janë vetëm votues. Janë aktorë të organizuar që ndërtojnë pushtet: për të mbrojtur interesat e tyre, për të përfaqësuar veten dhe për të ndikuar politikat e vendit ku jetojnë.

Hebrenjtë, grekët, italianët, të gjithë kanë strukturat e tyre lobuese, komitete të financimit të fushatave, qendra komunitare dhe, mbi të gjitha, një ndjenjë kolektive përgjegjësie:
“Nëse nuk jemi në tryezën e vendimmarrjes, do jemi në menu.”, thotë avokati Renis Nushaj në një intervistë për gazetaren Rudina Xhunga në DritareTV.

Po shqiptarët?

Shumë të zotë. Shumë të suksesshëm. Por shpesh të shpërndarë, të painteresuar ose emocionalë ndaj politikës. Jemi komunitet që ndihmojmë njëri-tjetrin në emigracion, por heshtim kur vjen puna për të ngritur një lider tonin. Jepet ndonjëherë ndihmë “nën dorë”, por rrallëherë krijohet një strategji e qëndrueshme për mbështetje reale politike.


Çfarë bëjnë komunitetet e tjera që ne ende nuk e bëjmë, sipas Nushajt!
• Financojnë me qëllim të qartë.
Nuk japin për të qenë “mirë me të gjithë”, por për të ndërtuar një njeri të tyre në pushtet.
• Votojnë bllok.
Hebrenjtë në një lagje në New York i japin 90% të votave një kandidati që i përfaqëson. Shqiptarët ndahen, dyshojnë, ose s’votojnë fare.
• Lobojnë.
Çdo komunitet ka avokatë të çështjeve të tyre, nga fletët e qëndrimit, deri te politikat e arsimit dhe integrimit.
• Ndërtojnë rrjet me të rinjtë.
Për çdo politikan amerikan hebre apo grek, pas tij qëndron një brez që ka dalë nga shkollat më të mira me mbështetjen e komunitetit.


Çfarë duhet të bëjmë si shqiptarë?
1. Të mos kemi frikë nga fjala “politikë”. Nuk është pis, është e domosdoshme.
2. Të votojmë. Vota është arma më e fortë që kemi në Amerikë.
3. Të organizohemi. Të krijojmë struktura lobuese, jo vetëm për të dhënë ndihma, por për të ndërtuar fuqi.
4. Të mbështesim njerëzit tanë. Jo me xhelozi, por me vizion.
5. Të financojmë me transparencë dhe strategji. Një senator shqiptar mund të ndikojë në politikën e jashtme amerikane. Po pse të mos jetë ai nga ne?


Renis Nushaj është një rast i rrallë, një shqiptar që nuk kërkon duartrokitje, por përkrahje reale. Ai e ka nisur garën për Senatin e Michiganit. Ne a jemi gati të tregojmë që kemi mësuar nga grekët, hebrenjtë dhe italianët? Mos humb intervistën më poshtë!/K.C/dritare.net