Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Unë nuk jam demokrat!

Unë nuk jam demokrat!

Nga Spartak Pjetri

Nisur nga ngjarjet e fundit të zhvilluara në Tiranë për teatrin dhe nga situata e kërcënimit global të ekonomisë dhe shëndetit, vendosa të shkruaj këtë shkrim.
Unë jam një djalë i thjeshtë fshati, i rritur dhe edukuar nga dy prindër të arsimuar, një baba inxhinier dhe një mama mësuese. Isha shumë i vogël në vitet '90-'92 kur filluan rrëmujat e përmbysjes së sistemit diktatorial në Shqipëri. E mbaj mend si sot që shikoja në televizorin në shtëpinë e gjyshërve turma njerëzish të inatosur e të zymtë që qëllonin me gurë dhe digjnin disa ndërtesa nën thirrjen "Liri demokraci". I habitur pyes se ç'janë këta tipa që thyejnë xhamat, djegin dhe bëjnë një sjellje që po t'a bëja unë haja dajak në atë kohë vënçe, më thonë që këta janë "demokratë" dhe këta janë njerëz të lirë që janë ngritur kundra sistemit dhe këta do e bëjnë "Shqipërinë si gjithë bota". Papritur sytë e mi u ndezën dhe unë bërtita me të madhe "unë jam demokrat", dola përjashtë, mbusha xhepat me gurë dhe fillova të thyej xhamat e shtëpive të lagjes edhe duke i vënë zjarrin mullarëve me bar, duke bërtitur "unë jam demokrat". Papritur "demokracia" më kishte shndrruar mua një djalë 4 vjeç në një kriminel.
Kur prindërit me qortuan për veprat e mia dhe më kërkuan arsye pse i kisha bërë unë u thash i habitur se unë jam demokrat dhe s'ka asnjë gjë të keqe këtu dhe se unë jam i lirë. Edhe pse kanë kaluar plot 30 vjet, kushëriri i mamasë sime xhaxhi Zoi akoma më thërret "o demokrat" për shkak të poçit të biçikletës që i theva. Kjo ishte demokracia për mua. Prindërit nuk më thanë asgjë se e dinin që faji ishte i të mëdhenjve. Ndërsa unë rritesha njerëzit nën thirrjen e një komunisti që kishte kaluar në një metamorfozë dhe ishte bërë mbreti i demokracisë, filluan të digjnin e plaçkisnin veprat më të mëdha që ka pasur ndonjëherë populli ynë duke i bërë shkrumb e hi djersën e derdhur në vite për të ndërtuar fabrikat e uzinat që ishin më modernet e kohës, me arsyen e vetme që ishin veprat e komunizmit duke lënë pa bukë e në mëshirë të fatit një popullsi të tërë. Si të mos mjaftonte kjo, komunitetit tashmë të shndërruar në demokratë pasi kishin rrëmbyer dhe vjedhur djersën e gjakun e shqiptarëve, po ndiheshin të kërcënuar nga këta të fundit që kishin emigruar ishin pasuruar e ishin bërë të zgjuar dhe u duhej një plan për të mbuluar krimet e tyre dhe për të mbuluar një krim aq të madh duhej një tjetër akoma më i madh. Dhe mendja brilante e komunistit të famshëm tashmë demokrat gjeti planin më gjenial, ai pyeti veten në pasqyrën e tij magjike: pasqyrë moj pasqyrë e murit, kush është fundi i një kombi? Pasqyra iu përgjigj: Vëllavrasja! Përsëri ai e pyeti: E kush e çon një popull në vëllavrasje? Pasqyra iu pergjigj: Skamja, paraja, prona, shtëpia, pasuria, gruaja, motra, vëllai, pushteti. Dhe ai duke nënqeshur urdhëroi: t'u merren paratë, shtëpitë, pasuritë, t'u rrëmbehen motrat, vajzat, t'u merren tokat, t'u ngatërrohen dokumentat atyre që s'ua merrni dot, t'i lini pa mjell, pa vaj pa kripë. Dhe direkt mendja gjeniale e arkitektëve të vdekjes u shkoi te skemat piramidale që i bënin shqiptarët të humbnin çdo gjë dhe të luftonin për mbijetesë për bukën e gojës dhe të fillonin e të hanin njëri-tjetrin si në lashtësi.
Filluan të shisnin motër e vëlla, nënë e babë.
E keshtu u shndërruan në qenie pa vlerë, pa moral dhe pa besë, harruan zakonet e traditat. Donin të shihnin njëri-tjetrin në varr, të ishin të përçarë si delet që ujku t'i hante një nga një. Mbaj mend që në periudhën para se të plaste lufta civile në Shqipëri, babait tim dhe anëtarëve të tjerë të Partisë Demokratike në fshatin tim u erdhën disa persona nga radhët e partisë dhe u dhanë disa automatikë, granata dore dhe municione per t'u mbrojtur se e dinin ça do bëhej, por im atë nuk pranoi dhe u tha se kishte frikë të mbante armë në shtëpi se kishte femijë të vegjël dhe bënin ndonjë prapësi.
Mbas një jave u hapën depot e armëve dhe të gjithë kishin armë në shtëpi, vetem ne jo. U mërzita me tim atë asaj kohe sepse nuk e kishte marrë kallashnikovin si të gjithë. Si fëmijë bashkë me shokët mblidhnim gëzhoja kallashnikovi mbas të fortëve të fshatit që nuk ia përtonin ta zbraznin vend e pa vend karikatorin. Një ditë në lulishten e fshatit gjej një karikator kallashnikovi bosh dhe e çoj në shtëpi, vëllai i madh i thotë mamasë që do të provokojnë babain dhe do i themi që kemi marrë armë dhe ashtu bëjmë, vëllai ishte mbuluar me batanije dhe kishte lënë të zbuluar gjysmën e karikatorit dhe prisnim babain të vinte. Kur babai erdhi, mamaja i tha që mos të mërzitet por djemtë kanë marrë një automatik, kur pa babai gjysmën e karikatorit nën batanije, e kapi dhe e hodhi vëllain përtokë prej leckash dhe bëmë dy orë debat se ai nuk besonte dhe pyeste ku e kishim fshehur armën. Ishte e para herë në jetën time që e shihja babain në atë gjendje, por prapë nuk u binda derisa një ditë me një shok u nisa drejt depove të armëve dhe të merrja armë dhe në moshën 11-vjeçare të terrorizoja njerëzit që kalonin në rrugë. Për fatin tonë të mirë asnjë femijë në fshatin tim nuk u dëmtua asokohe. Dhe fare pak vite më vonë unë kuptova vërtetë ça kishte ndodhur dhe thash me vete kjo është demokraci?! Jooo, unë nuk jam kurrsesi demokrat. Demokracia mua më vodhi jetën, më bëri kriminel, më vodhi paratë, më vodhi dinjitetin, arsimin, kulturën, vendin, më hoqi mamanë nga puna mbasi kishte 30 vite mësuese, më hoqi babain që ishte demokrat, më detyroi të bëj gjëra që s'duhet. Më shkaktoi një dëm psikologjik të pashërueshëm. Ju që dilni në protestë sot për godinën e teatrit, që u jep bukë e kënaqësinë artistëve, ku ishit kur u prish teatri i Kombinatit të Tiranës dhe artistët duhet t'i marrin rrobat nga Kina, ku ishit kur u prish azotiku në Fier, fabrikat e duhanit, letrës, tekstilit, plasmasit, qelqit, hekurit, naftës, uzinat e avionëve dhe traktorëve, ushtrive, e gjitha industritë e minierat e Shqipërisë, apo s'ka problem se ishin të Enverit ato. Epo po ua them unë, ju ishit në majë të fadromës në atë kohë, e mos na shisni dëngla tani që gjoja mbroni artin shqiptar. Nëse doni të rrezoni qeverinë dilni e protestoni për rrogat e aktorëve dhe jo për depon e armëve te italianëve që e bëtë teatër. Ku ishit ju kur u dogj Shqipëria? Apo varja, teatri mos prishet se ngelen artistat pa skenë, po inxhinierët, ushtarakët, mekanikët, doktorët, puntorët? Apo varja? Zoti na fali tokën në Mesdhe dhe klimën bujare, na fali malet plot flori, na fali detin si parajsë, trimërinë, bujarinë besën. U munduan të na e merrnin me luftë që kur lindi bota e na e morën shumicën po nuk arritën t'a merrnin të gjithë. Nje diktator e mori në vitet '40 në menaxhimin dhe nga një popull i pashkolluar dhe injorant për 40 vjet, na bëri pilota, mjekë, inxhinierë, ushtarakë, avokatë, gjyqtarë, artista, bujq, agronoma, ekonomista, sportista, minatora, marinarë, e të gjithë zanatet e botës dhe ishim perfekt në zanatin tonë, na mësoi të bënim fabrika e uzina dhe të prodhonim çdo gjë dhe mos të kishim nevojë për asnjë tjetër, për dy vjet demokracia i fshiu. Më fal kush është diktator këtu ma thoni? Më vjen keq por unë nuk jam demokrat./dritare.net