Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

T'i merret toka, kujt nuk e punon!

T'i merret toka, kujt nuk e punon!

Nga Gent Qemali

Kur erdhi kapitalizmi, asnjë nga rraca jonë nuk kishte asnjë lidhje me fshatin, apo të dinte të milte një dhi, apo të mbillte qoftë edhe një m2.

Për të mos thënë pastaj se ishim një qerre që do t'i ndanim ato toka dhe si do t'i ndanim, se me patjetër do përfundonim hasëm me njeri-tjetrin. Metoda që u përdor ishte një injorancë që shkaktoi ndërprerjen dhe shkatërrimin e zinxhirit të prodhimit. Gjëja më e rëndësishme që duhet të kishte marrë përparësi absolute, ishte që të mos ndërpritej prodhimi dhe kjo sigurohej vetëm duke ua dhënë këto biznese drejtuesve teknicien që ishin në krye të punëve në atë kohë. Nëqoftëse do t'ua kishin lënë në pronësi agronomëve, veterinerëve, inxhinierëve, arkitektëve, ekonomistëve etj. do të kishim qenë në gjendje që të mbanim inteligjencën në vend dhe prodhimi do të vazhdonte, dhe mbas inteligjencës do të qëndronte edhe pjesa tjetër e popullatës. Shkurt, të kishin bërë atë që bëri Fatos Nano me shitësit që ishin nëpër njësitë tregtare, që iu fali dyqanet.

Në fisin tim kishim një shitëse që e mori dyqanin me rafte gjysmë bosh e të rrënuar dhe në krye të 3-4 vjetëve e mbushi dëng me mall, me shitje rekord çdo muaj/vit. E rinovoi, e modernizoi dhe jo vetëm mbajti familjen për 20 vjet me rradhë, sa kishte fuqi, por jetuan të gjithë si mbretër. Besoj se ka shumë shembuj të tillë, dhe të gjithë njohin dikë nga ky grup me një histori të ngjashme suksesi.

Megjithatë prapë nuk është voneë që të bëhet diçka për tokat dhe bujqesinë. Unë mendoj se ato toka shtetërore, prodhuese që kanë mbetur të pashfrytëzuara, duhet t'u jepen pedagogëve të Universitetit Bujqësor apo agronomëve dhe veterinerëve të zonave. Po ashtu, nuk e di si janë ligjet tani, por është krim të lihen tokat pa punuar. Duhet një ligj që t'ua shtetëzojë tokat atyre që nuk i punojnë dhe t'ua rishpërndajnë njerëzve që kanë njohuritë e duhura, vullnetin dhe energjitë për t'i nxjerrë në dritë dhe për të bërë diçka të dobishme me to./dritare.net