Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Të jetosh i dashuruar me ngjyrat!

Të jetosh i dashuruar me ngjyrat!

Nga Bedri Ramizi

Përjetim në karantinë

Nuk mund ta fsheh, jam tërësisht i marrë mbas ngjyrave! E verdha, bluja, e bardha, kafja, lejlaja, e gjelbërta, portokallia më ndezin çdo copëz të natyrës në shtëpinë time të vogël, tashmë karantinë. Me to në sfond, në telajo, a në çdo skutë të mbretërisë sime, as s`dua t`ia di për izolimin. Por, me të kuqen, nuk e di, kam një marrëdhënie tjetër, jam marrëzisht i dashuruar.

Tërë qenia ime më ngjan sikur më kanë hedhur në prush kur ajo më beh përpara. Dua të marr flakë dhe të përvëloj tërë të keqtë e universit, të bëhem gjak e të ndihmojë të sëmurët, të bëhem buzëkuq për vashat në dasma, të bëhem trëndafil për vajzën në ditëlindje, të bëhem poezi në mbretërinë e dashurisë.

Të jetosh i dashuruar me ngjyrat!

Aq shumë të dua moj e kuqe saqë në telajo nuk hedh më dot asgjë, veç teje. Sepse ti je magjia vetë. Je kontrasti i jetës sime, je shkrepëtima që më ndjek në lindje dhe në perëndim, je shamikuqja e dëshpëruar e ëndërrave të heshtura. Por mbi të gjitha, je ngjyra e flamurit tim!

Ndaj të dua me pasion të çmendur, ndaj qenia ime përhumbet kur të hedh në telajo, ndaj shpirti im zemërohet që nuk jam dot si ti.

Të jetosh i dashuruar me ngjyrat!

Se ti je esenca e jetës sime, je aroma e ditëvë të bukura, je oqeani i gëzimeve pafund, je puhiza e ndjenjave të vrara, je shpërthimi i ngjyrave njerëzore, je simboli i lirisë të fituar me gjak. Ti je pikëllimi i shpirtit që lëngon, je lëmshi i zjarrtë që përvëlon nga malli, je triumfi i jetës më pas!/dritare.net