Nga Mariana Bellew
Në mes të atyre lajmeve të shumta të ditës, më shfaqet në telefon Wanderlust in Albania e drejtuar nga Zana Çela dhe megjithëse emisioni ishte i disa ditëve më parë , e ndoqa me kënaqësi duke hequr vëmendjen nga angazhimi i tërë asaj armate analistësh, apo drejtuesish emisionesh që me dijenitë e tyre te njëanshme ngrejë me dashje kultin e një njeriu të vetëm.
Urime të shumta Zana për këtë veprimtari kaq shumë të rëndësishme promovimi në Arenën Ndërkombëtare të vlerave të pasura kombëtare. Pasqyrimi i peizazheve të larmishme, mbledhja e krijimtarive të shumta dhe seleksionimi i tyre për fituesit e ndryshëm ishin sfiduese për komisionin e zgjedhur.
Suksese të shumta në të ardhmen Zana Çela së bashku me ekipin promovues!
Por qershia mbi tortë e bukurisë se punës të gjithë atyre njerëzve të palodhur, ishte e ftuara Vikena Kamenica.
Këngët e zgjedhura të saj ishin të lehta por zotërimi me kujdes i shtrirjes vokale që përfshinte nota të larta dhe të ulëta , dinamikat që përdorte gjatë gjithë kohës, emocionet që përcillte tek dëgjuesit , dhe konfidenca e mënyrës që këndonte më solli ndërmend ngjashmërinë e plotë të një zëri të viteve të Liceut Artistik, që megjithë vitet e pakta dhe të shpejta të jetës adoleshente, zëri i saj jetoi në veshët e kujtesës.
Duke sjellë në mendje shoqen tonë që banon larg atij vendi por jo me larg se pak orë larg meje, entuziasten dhe fjalëmblën Antigoni, mu kujtua koha e koncerteve greke, ku njerëzit të mrekulluar nga meloditë e bukura që mund të ishin Këngë Folklorike, të ishujve, rebetiko apo kantades, ku me ritmin e tekstin e tyre, na kishin mahnitur neve të mbyllurve politike , dhe ku në një mënyrë frike refuzimi partiak diktatorial , disa njerëz “ sabotuan “ duke ikur nga salla e TOB në momentet kur këndonte Marinella.
Por mahnitja e këngëve greke rritej dhe dëshira për t’i kënduar ato paraqiste vështirësinë e gjuhës greke në ndryshim me këngët Italiane qe preferoheshin jo me pak se ato greke.
Në ato vite, u duk sikur me marifetin e mbajtjes mend të tekstit pa kuptim, këngët në gjuhën greke do të mund të këndoheshin, pa paraqitur ndonjë vështirësi për ne, për vete faktin e gjithë stërvitjeve të përsëritura të lëndës së Marksizmit .
Por shoqja jonë Antigoni kishte avantazhin e dijes së gjuhës greke. Shumë herë kërkesa për këngën e njohur “Dimitrula Mou “ vinte tek ajo, nga Arditi dhe, Antigoni me atë buzëqeshjen e saj që e karakterizon, nuk përtonte ta këndonte jo vetëm këtë këngë por edhe të tjera duke treguar ornamentet e shumta e të vështira të melodive greke, aksentin e fjalëve që përmban Zanoren “H” dhe e bën të dëgjohet si frymore e brendshme, tezituren e pranueshme që përfshinte notat e rehatshme ne gjatësinë e zërit , konfidencën e të kënduarit dhe atmosferën e kënaqshme që krijonte duke kënduar.
Nga ana tjetër, kjo mënyrë e të kënduarit në diferencimin e ngjyrës së notave të ulta nga ato të larta duke ruajtur melodinë, buzëqeshja dhe konfidenca që Goni pasqyronte, lirshmëria e komunikimit me dëgjuesit, nuk u përkrah nga rrethi i profesionistëve që ashtu si edhe sot në politike, muzika gjithashtu nuk ngeli mbrapa, por ishte e kapur nga ideja e prototipit “ alla famiglia” për të gjetur specien pa ndryshim të saj si një vazhdimësi trashëgimi duke eliminuar kalimtarët e dalë spontanisht.
Është ky virus i brumosur mentaliteti që dorëzon stafetën në rrethin e ngushtë dhe të njohur , duke i lënë vendin fjalës që godet si plumbi i hedhur ne përpjekjen individuale. Sikur prototipat e artit interpretues të shfaqeshin si imazhe peizazhi bardh e zi në kanavacën e krijimtarëve të artit pamor, pa dëmtuar ngjyrat që donin jete, a nuk do te ishte Goni po aq shume famose sa është Vikena!
Mos njohja e vlerave artistike të viteve të hershme, është zëvendësuar me njohjen e gëzimit, lumturisë dhe dashurisë së një familjeje të madhe që është po aq e fuqishme, me vlerë, dhe e pasur sa karriera artistike dhe me gjithë rrugëtimin që mbart eksperienca të ndryshme, ruajtja e kujtesës dhe vlerësimi familjar e vendos Gonin ne prioritetin dhe krenarinë e tyre duke e bërë po aq famose sa zëri binjak i saj./dritare.net