Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Odiseja për t’u ribërë shqiptar!

Odiseja për t’u ribërë shqiptar!

Nga Vasil Merko

Qershori i vitit 2024 u prit me një gëzim të madh nga emigrantët në Gjermani. Për herë të parë po lehtësoheshin kushtet e procedurat e aplikimit për shtetësinë gjermane. Ligji i ri përfshinte një qasje të re ndaj natyralizimeve, si në shkurtimin e kohës të qëndrimit në vend po ashtu edhe në mundësinë e artë për mbajtjen e dyshtetësisë.

Diçka e tillë jo vetëm që u zgjidhte duart aplikuesve për të mbajtur edhe pasaportën e vendit të prejardhjes por mundësonte edhe tek gjithë ata që kishin marrë shtetësinë gjermane dheu ishte dashur të hiqnin dorë nga shtetësia e parë, ta rifitonin atë.

Për shumë shqiptarë të Gjermanisë, diçka e tillë ka qenë e vetmja rrugë, për të pasur udhëtime pa viza në mbarë botën, qasje për punësim në administratën publike dhe në jetën politike por edhe për të hequr një herë e përgjithmonë stresin e rinovimit të herëpashershëm të lejes të qëndrimit.

Por është diçka që askush nuk e ka bërë me zemër të lehtë dhe pa dhembje. Andaj dhe lajmi se më në fund mund të rifitohej shtetësia shqiptare dhe të mbahej ajo gjermane, ka qenë jo vetëm i shumëpritur por historik.

Midis gjithë atyre që kanë ëndërruar të kishin nderin të mbanin sërish pasaportën shqiptare kam qenë edhe vetë.

Qëndrimi i gjatë jashtë vendit dhe jashtë vorbullës të përditshme shqiptare por kryesisht faqja e re e Shqipërisë vitet e fundit dhe e administratës të saj, më ngjallën shpresën se ligji në fuqi, afatet dhe predispozitat respektohen.

Personalisht kam kryer aplikimin për rifitimin e shtetësisë shqiptare në shtator të vitit 2024 në përfaqësinë diplomatike shqiptare në Gjermani. Procedura për grumbullimin e dokumentacionit nisi menjehërë pas lejimit të mbajtjes të dyshtetësisë, por u deshën rreth dy muaj për sigurimin e dokumentacionit ( për shembull, dëshmisë të penalitetit dhe përkthimeve ) por edhe takimit nëpërmjet e-albania.

Ligji parasheh se lënda dërgohet nga përfaqësia diplomatike në Gjermani, në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe përmes kësaj të fundit, dërgohet në Ministrinë e Brendshme. Ministria e Brendshme pasi shqyrton kërkesën, nëse konstaton mangësi e dërgon mbrapsht për plotësim në Përfaqësinë Diplomatike ku u krye aplikimi, për plotësim. Përfaqësia diplomatike në këtë rast, detyrohet me ligj të kontaktojë qytetarin brenda 15 ditëve nga mbërritja e lëndës.

Diku nga shkurti i 2025, pasi nuk kisha as edhe një lajm, i drejtohem Përfaqësisë Diplomatike me anën e postës elektronike dhe papritur brenda pak orësh m’u komunikua se dosja është rikthyer për përplotësim dhe përputhje të gjeneraliteve.

Pasi siguroj dokumentin e kërkuar në Shqipëri, e nis me rekomandim *Postë, tek konsullata. Vlen të theksohet se institucioni që lëshoi këtë dokument është në varësi të Ministrisë të Brendshme. Pra në rrugë interne Ministria e Brendshme mund ta gjurmonte. Njëkohësisht, mund të ishte rihapur lënda ime e disa viteve më parë kur kam kërkuar lejimin e heqjes dorë nga Shtetësia për t’u bërë konfirmimet.

Ndërkohë, kontaktoj Ministrinë e Brendshme dhe informohem se lënda ime është kthyer në Gjermani brenda tetorit 2024. Pra disa javë pas aplikimit. Ndërkaq Përfaqësia diplomatike më njoftoi më tepër se tre muaj më vonë për këtë fakt, vetëm kur i trokita unë në derë dhe jo brenda 15 ditëve sipas detyrimit të saj ligjor.

U deshën javë të tëra që dosja e plotë të ridërgohej në Shqipëri. Pyetjet për citimin e një arsyeje për vonesën, binin në vesh të shurdhër.

Shumica prej nesh, që kemi aplikuar për rifitimin e shtetësisë shqiptare, nuk kemi asnjë përfitim prej saj. Jemi shtetas gjermanë dhe europianë.

Dëshira për ta pasur atë, është çështje dinjiteti dhe nderi. Nder që na lind për shkak të prejardhjes dhe të krenarisë që na lind prej kombësisë.

Zhgënjimi që hasim nga përballimi i administratës, ngërçet dhe mangësitë, na kthejnë ndër mend një Administratë që nuk e duam, ku fiton më i forti dhe ku qytetari i thjeshtë përbuzet, mundohet dhe shpërfillet.

Me apo pa shtetësinë shqiptare, duke folur vetëm për veten time, Dashuria për Shqipërinë dhe shqiptarët është burimore dhe rrjedh në venat e mia. Krenaria për prejardhjen dhe për ndryshimin që përditë po vihet re në vendin tonë të përbashkët është e pa prekur.

Hidhërimi për procedurat e akullta, dëshpërimi që të zë kur merresh me institucione që ngjasojnë me një mur të pa depërtueshëm, nuk mund të shuaj kurrë dashurinë dhe krenarinë për këtë vend.

Po e marr riskun i pari, që edhe nëse më zë rrugës ndonjë hakërim institucional, ta nënshkruaj këtë letër me emër dhe mbiemër duke bërë thirrje tek instancat përgjegjëse për më tepër ndjeshmëri dhe kryesisht për respekt ndaj qytetarëve dhe intelektit të tyre./dritare.net