Nga Ani Jaupaj
Nuk ka kaluar shumë kohë që kur gratë e fshatit Lin i kapërcyen pengesat e paragjykimeve, mblodhën gjithë ç’dinin të bënin në shtëpitë e tyre dhe dolën për t’i shitur te porta e shtëpisë. Tani janë mbi 20 të tilla. Të gjendura në këtë rrethanë prej nevojës, pak prej tyre kanë humorin e tregtisë, megjithatë vazhdojnë të çajnë arra, të bluajnë speca e të pastrojnë fasule me këmbënguljen e urisë.
Prodhimet e zonës nuk i ndihmojnë që të kenë treg të pasur gjatë gjithë vitit, janë zahire të vjeshtës e dimrit. Vera, stina që ka turistët më të shumtë, nuk është në favorin e tyre.
Prandaj edhe kanë një nervozizëm të qartë, që nuk i shërben shitjes. Jo të gjitha gratë duan të flasin. E bëjnë vetëm nëse dallojnë që ke në mend të blesh diçka, jo t’i shohësh si pjesë e guidës turistike.
Alija është ndër të parat që doli të shiste turshitë e reçelin që bënte në shtëpi. Shtëpia e saj është ngjitur me ato të dy kunatave të tjera. Ca kohë më vonë, të nxitura nga shembulli i më të madhes, edhe dy të tjerat bënë të njëjtën gjë. Janë tre kunata që kanë tre tezga njëra pas tjetrës.
Te secila gjeje një prodhim që ishte i ndryshëm nga i tjetrës, por edhe me këtë marrëveshje, nuk dalloje shenja harmonie. Për çdo ndalesë turisti te njëra, sytë e dy të tjerave ishin kërkues.
Tani, në fund të tetorit, arrat dhe gështenjat ishin në çdo portë të Linit. Gështenja nga Gështenjasi i Pogradecit. Në disa prej tyre ishin vetëm qeset, pa tregëtar. Po të afrohesh të ndihmon banori i shtëpisë përballë, apo një banor i rastësishëm i fshatit sepse të gjithë e dijnë i kujt është malli.
Specat gogozhar, speca me gjizë, gliko fiku, lëng thane, fasule, reçelra, tarhana, petka, i gjen të gjitha aty. Megjithatë, jehona e zahireve të Korçës nuk ka mbërritur ende në Lin. Me produkte thuajse të ngjashme, janë ende të rinj, për të fituar besimin e turistëve.
Lini, rrugica turistike me shtëpitë në liqen, nuk po di ende t’i përshtatet kuriozitetit dhe gjendjes së turistit që nuk shkon atje për të dëgjuar hallet e fshatit, por për ta shijuar atë, ashtu siç është, me prodhimet dhe traditat që ka.
Ca vite më vonë, gratë që shesin sot te oborret e shtëpisë nuk do të jenë më të njëjtat, mbase do të jenë ca të tjera, më të qeshura, por këto që janë shërbyen për t’i gjallëruar rrugicat me ushqimet që kanë bërë një jetë të tërë në shtëpi, për t’i dhënë fshatit jetë nga jeta e tyre me vështrim nga liqeni që nuk iu pasqyrohet dot në sy.
Shkoni në Lin, edhe në dimër, gratë janë aty, te porta. Me shikime dyshuese, gjithnjë, por duke u shtuar vizitat, do ta kuptojnë se ku jetojnë dhe do të qeshin më shumë.