Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Ndiq paratë!

Ndiq paratë!

Nga Emir Kurtishi, jurist

“Nëse doni të hetoni krime, vraponi pas pasurisë. Pas çdo pasurie të madhe, ka krime të llahtarshme”.

Honore de Balzak

Shkas për t’iu rikthyer këtij shkrimi për opinionin e gjerë dhe për ta analizuar më detajisht, m’u bënë ca emërime partiake të këtyre ditëve të partive politike në pozitat kyçe ku “luftohet korrupsioni!”. Për hir të së vërtetës, në RMV, nuk e di se sa herë i është shpallur luftë korrupsionit!? Çdo parti politike që e ka shijuar të paktën një herë jetën qeveritare, pjesëmarrjen në Qeveri gjithmonë e ka justifikuar me pretekstin se futet për hir të procesit eurointegrues të vendit, si një ndër prioritetet më esenciale, deri aty saqë ky “slogan” i kënduar në kor nga të gjithë u shndërrua në klishe politike dhe si një strehim pas këtij nocioni “sublim” për alibi dhe kamuflim për “veprat” e tyre politike, dhe preteksti i dytë i futjes në Qeveri, ishte sjellja e “shtetit të së drejtës” dhe “lufta kundër korrupsionit”. Formulën për ta luftuar korrupsionin, si duket e kishin gjetur, por assesi për ta zbatuar këtë proces të vështirë. Sidoqoftë, simbiozë e qëlluar nga politikanët tanë, sepse realisht dhe praktikisht, vetëm luftimi i korrupsionit, rrjedhimisht e sjell edhe shtetin e së drejtës.

Në raportet e fundit të Komisionit Evropian, në përgjithësi në Ballkan, e në veçanti në RMV, është vërejtur një mungesë praktike në ndërmarrjen e veprimeve konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, për të mos thënë që është shënuar pak përparim, megjithatë, të gjitha partitë politike kur bie fjala krimi dhe korrupsioni, seç kanë një mungesë vullneti për t’u përballur me këtë fakt brengosës dhe për t’i shpallur luftë zyrtarisht këtyre fenomeneve negative, edhe përskaj deklaratave të SHBA-së, se: “...i shikon si partnerë natyrorë ata që luftojnë korrupsionin”!

Pa e zgjatur më tej, le t’i futemi thelbit të këtij shkrimi!

Si u luftuaka korrupsioni?

Kjo pyetje sa e thjeshtë, aq edhe komplekse në përbërjen e saj, gjendet tek fjalia e thjeshtë: “Ndiq paratë!”. Kjo thënie e njohur në filmin dokumentar “All the president’s men”, i vitit 1976, u shndërrua në maksimë të njohur për ndriçimin dhe luftimin e korrupsionit politik përmes shqyrtimit të transfereve të parave nëpërmjet partisë, me çka rezultoi në rrëzimin e presidentit amerikan Riçard Nikson-it nga Shtëpia e Bardhë. Kjo thënie që iu atribua asaj kohe “Deep Throat” –it, përkatësisht, informatorit që mori pjesë në zbulimin e skandalit “Watergate”, sot edhe në shumë seminare dhe trajnime që mbahen mbi temën e financimit kriminal dhe të korrupsionit, shumë ekspertë të lartë udhëzojnë në zbatimin e rregullit të artë: “Ndiq rrugën e parave!” – si një mjet i cili drejtpërdrejtë kontribuon në luftën kundër terrorizmit, krimit dhe korrupsionit në mbarë botën, sepse paratë janë i vetmi mjet apo “oksigjen” për çdo aktivitet qoftë i ligjshëm apo i paligjshëm dhe i arritshëm për çdo organizatë. Kjo praktikë e zbatuar në mbarë botën sot për luftimin e korrupsionit, nuk ka gjetur zbatim në vendin tonë, ndaj sipas kësaj mund të thuhet se në vendin tonë asnjëherë nuk ka qenë e shpallur lufta kundër korrupsionit. Në momentin kur kushdo qoftë që do të fillojë vërtetë në zbatimin e rregullit të artë, përfshirë institucionet kyçe për luftimin e krimit dhe korrupsionit si: Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Policia Financiare, Drejtoria e të Hyrave Publike dhe të tjerë, duke e bashkërenduar në mënyrë horizontale bashkëpunimin e tyre, nuk mund të thuhet se korrupsioni ka filluar të luftohet në mënyrë efikase. Edhe ky nocion klishe, rrezikon që ta humbë kuptimin që e ka, e që tash e tutje do të shërbejë si blof politik i çdo partie tjetër politike në RMV.

Shembullin që e sjell nga praktika autori maqedonas Mihajllo Manevski, i cili në vitin 1989 ka qenë ministër i Gjyqësisë dhe Administratës (atëherë Sekretar Republike për Gjyqësinë dhe Administratën), gjatë mandatit të tij, Drejtoria Tatimore e Ish Republikës Socialiste të Gjermanisë i është drejtuar me shkresë për dhënien e ndihmës juridike. Kërkesa përbëhej si në vijim:

“Një qytetar i Republikës së Maqedonisë, i cili një kohë të gjatë ka jetuar dhe punuar në Republikën Socialiste të Gjermanisë, ka filluar me ndërtimin e një moteli në afërsi të një autostradeje. Motelin e ka ndërtuar me të gjitha dokumentet e nevojshme ndërtimore. Si objekt, moteli ka qenë relativisht i madh dhe tërheqës. Organet tatimore të RS të Gjermanisë, në përputhje me autorizimet e tyre, kanë kryer kontroll në dokumentacionin financiar për ndërtimin e motelit dhe kanë kërkuar nga pronari t’i tregojë burimet e të ardhurave për ndërtimin e motelit.

Shtetasi maqedonas, i cili e ka ndërtuar motelin, në atë procedurë ka deklaruar se motelin e ka ndërtuar me mjete nga krediti që e ka tërhequr nga banka, me mjetet e kursyera nga paga, kurse përpara organeve tatimore ka deklaruar gjithashtu se i ati i tij, i cili ka jetuar në një vendbanim në Republikën e Maqedonisë, ka pasur një tufë prej 1 000 dhi, dhe se ato i ka shitur dhe të hollat që i ka fituar nga shitblerja e tyre, ia ka dhënë atij, dhe ai më pas ato të holla i ka shfrytëzuar për ndërtimin e motelit.”

Organet tatimore gjermane kanë kërkuar nga RM-ja të verifikohet nëse vërtetë i ati i atij personi i cili e ka ndërtuar motelin ka pasur 1 000 dhi dhe nëse i ka shitur të njëjtat.

Mirëpo, çka është vërtetuar nga kontrolli? Nga kontrolli është vërtetuar se i ati i personit të lartpërmendur ka ndërruar jetë përpara 10 viteve dhe se në atë vendbanim nuk ka pasur dhi e jo më tufë prej 1 000 dhi. Gjithashtu, në atë periudhë kohore në Republikën e Maqedonisë, ka qenë në fuqi ligji për ndalimin e ruajtjes së dhive.

Ky rast nga praktika, duhet të kuptohet dhe të merret si një shembull pozitiv se si duhet të sillen organet tatimore për vërtetimin e burimeve të të ardhurave kur ekziston bazë për dyshim se ato mjete pagesore nuk janë fituar në mënyrë legale, ose janë si rezultat i tatimit të fshehur, akcizave, doganës apo se janë rendiment i veprave tjera kriminale. Ky shembull, paraqet shembullin më praktik të rregullit të ndjekjes së gjurmëve të të hollave.

Mbi të gjitha, Evropa dhe SHBA-ja harrojnë se në vendet tona korrupsioni luftohet vetëm kësisoj dhe vetëm atëherë kur në krye të institucioneve kyçe për luftimin e korrupsionit, gjenden njerëz me kredibilitet të lartë moral.

Për luftimin e krimit dhe të korrupsionit, definitivisht duhet të të djersitet fundshpina!/dritare.net