
Inteligjenca artificiale, shpëtimtarja e arsimit?
Dritare.net
Nga Emir Kurtishi, jurist
Shkas për këtë shkrim, u bë ministrja e arsimit dhe shkencës së RMV-së Vesna Janeva, e cila kishte nënshkruar memorandum për futjen e inteligjencës artificiale në shkollat e mesme. Ky memorandum, është nënshkruar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Fakultetit të Informatikës së Universitetit të Shtipit dhe grupit Breinster.
Sipas ministres në fjalë: “...është e rëndësishme që nxënësit tanë të dinë ta përdorin atë në mënyrë etike në arritjen e qëllimeve arsimore dhe profesionale...”. Për zbatimin e kësaj ideje, tashmë janë përgatitur dokumente me udhëzime për mësimdhënësit dhe për nxënësit lidhur me zbatimin e inteligjencës artificiale nga shtatori i këtij viti.
Në esencë, ky vendim është për t’u përshëndetur. Mesiguri, kjo ka ardhur si metanarrativë, si imperativ i pashmangshëm në kohën në të cilën jetojmë.
Sa i përket etikës së përdorimit të inteligjencës artificiale, çalojmë shumë si shoqëri në tërësi. Mjafton të shihen pyetjet “budallallëqe” që ia parashtrojmë Chat GPT-së dhe të ngjajshmëve. Ka edhe të atillë, që krenohen se inteligjencën artificiale e kanë zënë “ngushtë”!
Se inteligjenca artificiale nuk duhet aplikuar vetëm në shkollë të mesme, por edhe në atë fillore, e tregon shqetësimi im që ka lindur diku afër shtatorit të para dy apo tri viteve të kaluara. Motra ime, aso kohe 10 vjeçare apo më tepër, në prag të stresit të përzier me emocionet që i kap nxënësit që duhet të kthehen sërish në bankat shkollore pas një pushimi të gjatë veror, me bezdi dhe revoltë u shpreh se çka më duhet shkolla, kur të gjitha njohuritë dhe informacionet e nevojshme, i gjejë dhe i kam në celular!? Kësaj pyetjeje rektorike, vështirë t’i gjeja përgjigje adekuate dhe bindëse për motrën time.
Thellë brenda meje, në mungesë të argumenteve bindëse, i jepja plotësisht të drejtë. Përderisa celulari për motrën time dhe për shumë të vegjël dhe të rinjë të tjerë, është më atraktiv se vetë shkolla, kjo tregon se sistemi arsimor i këtij shekulli, ka dështuar. Sistemi arsimor, nuk është në harmoni me natyrën e njeriut të ri, ka një diskrepancë të madhe që nuk ua përmbush nevojat atyre në aspekt të njohurisë dhe jetës në përgjithësi. Sistemi arsimor, sipas tyre është atavik. Ka nevojë për harrje dhe për reforma. Programet mësimore të këtyre shkollave dhe ajo e arsimit të lartë, nuk janë të përshtatshme për tregun e punës, për shkak se, më shumë i japin përparësi aspektit teorik sesa atij praktik. Kjo sa është e tmerrshme, aq është ndërgjegjësuese për kohën në të cilën jetojmë. Marrë në përgjithësi, brezi im, që kemi lindur në një kohë tranzicioni, sërish kemi një qëndrim afirmativ ndaj zhvillimit të shpejtë të teknologjisë, mirëpo brezat e kaluara atë e shohin me sy dyshues dhe armiqësor. Ngjajshëm, siç është shprehur dikur një gazetë e vjetër që shpikja e televizionit do ta prish njerëzimin, shpesh dëgjojmë se edhe kjo teknologji bashkëkohore po arrinë ta prish njerëzimin.
Kjo botë teknologjike, e mbushur me informacione të reja dhe mbase atraktive, ka ndikuar që tek të rinjtë të lihen anash ca njohuri dhe informacione që ato tashmë janë të verifikuara dhe të njohura botërisht. Motra ime, shpesh e ka shprehur shqetësimin e saj, se mësimdhënësit, parashtrojnë pyetje të bezdisshme që ajo tashmë i di dhe janë botërisht të njohura për të, dhe nuk e sheh të nevojshme të përgjigjet. Por, disa njohuri apo informacione që duhet t’i di ky brez i ri, thjesht për to nuk janë gjithaq interesante, pra u mungon njohuria elementare në shkencat bazike, bie fjala në histori apo në shkencat natyrore dhe shoqëri.
Meqë teknologjia gjithnjë e më tepër na “kërcënon” dhe na ka mbështetur për muri, është e domosdoshme këtë “qenie” të re të çuditshme, ta njohim dhe të dimë se si ta aplikojmë drejtë dhe saktë, me etikë, që të na shërbejë për mirëqenien tonë të përgjithshme.
Para se gjithash, mesiguri ministrja e arsimit, i ka paraparë pasojat arsimore që mund t’i prodhojë inteligjenca artificiale dhe ka një vizion të qartë si dhe pritshmëri se çka dëshiron të arrijë me aplikimin e saj. Ajo çka është e nevojshme dhe qenësore apo kruciale është njohja me inteligjencën artificiale dhe përdorimi apo mësimi i saj.
Për nevojat e mia personale dhe ato profesionale e pata shfletur një libër që e pata blerë me një çmim qesharak në një nga libraritë e Shkupit, në ato maqedonase. Bëhet fjalë për 100 inovacionet shoqërore të Finlandës. Ky shtet, vite me radhë është treguar më i mirë në rezultatet e testit të PISA-s, veçanërisht rezultatet e shkollimit të këtij populli janë shënuar në rang ndërkombëtar. Si rezultat i kësaj, në Finlandë kanë filluar të shkojnë hulumtues dhe mësimdhënës nga e mbarë bota me qëllim që të njihen me sistemin arsimor finlandez dhe si realizohet ai. Më tutje, shumë ekspertë finlandez janë thirrur në mbarë botën që të mbajnë ligjërata për politikat arsimore. Pyetja që parashtrohet nga të gjithë është se ku bazohet nota e lartë e arsimimit të finlandezëve? (Taipale, 2021:196).
Përgjigjja e kësaj pyetjeje, bazohet në një sërë faktorë që janë karakteristikë e sistemit arsimor finlandez, që për rrethanat dhe kushtet tona, janë vështirë të realizueshme, e nëse disa zbatohen tek ne, sërish shënojnë mangësi, për shkaqe të natyrave të ndryshme, si jokompetenca, mungesa e kuadrit, mungesë financiare dhe të tjera.
Rezultatet e testit të PISA-s, siç thekson autorja e librit Ilka Taipale, i detyrohen arsimit dhe trajnimit që i marrin mësimdhënësit finlandez. Ato gjithmonë kanë gëzuar respekt të lartë, saqë e kanë fituar epitetin naimian “qirinjtë e kombit”dhe në hulumtimet e fundit, janë ranguar në vendin e pestë, në nivel shtetëror.
Në vitin 1960, në Finlandë, qëllimi i politikës arsimore ka qenë që të jetë sa më demokratik. Reforma shkollore ka synuar zvogëlimin e ndikimit të preardhjes sociale dhe dhënies së mundësisë së nxënësve që të zgjedhin cilëndo prej shkollave të mesme. Shkolla fillore, para se gjithash, duhet t’i përgatit nxënësit për jetë si punëtorë dhe si qytetarë. Në kohën e sotme, në Finlandë, shkollat janë në interaksion të vazhdueshëm me rrethin e tyre. Prindërit kyçen gjithnjë e më tepër në punën e shkollës për fëmijët e tyre, multikulturalizmi ka krijuar sfida të reja për mësimnxënie, kurse shoqëria në mënyrë të vazhdueshme ndryshon. Mësimdhënësit kanë nevojë për njohuri të gjera të lëndëve që i ligjërojnë, në ndërtimin e dijes, në atë se si njerëzit të mësojnë dhe të kenë aftësi që të veprojnë në mënyrë pedagogjike dhe mentoriale ndaj tipeve të ndryshme të nxënësve. Ajo çka e dallon Finlandën, bie fjala nga Maqedonia e Veriut, është se mësimdhënësit klasor duhet të kenë magjistraturë dhe si lëndë kryesore të kenë shkencën mbi arsimin. Këtë lëndë si dhe pedagogjinë e studiojnë që ta ligjërojnë. Në fund të programeve të tyre të magjistraturës, ata e shkruajnë tezën e magjistraturës dhe në këtë mënyrë, mësimdhënësit e përvetësojnë diturinë, aftësitë dhe etikën e nevojshme për kompetencë profesionale. Programet arsimore postdiplomike janë pjesë e programeve të universitetit dhe i plotësojnë kriteret e tyre për cilësi shkencore. Pra, vetëm arsimi akademik nuk është i mjaftueshëm. Sistemi arsimor finlandez, e kombinon teorinë me praktikën. Kjo zhvillohet në shkollat për trajnim të mësimdhënësve ose në shkollat e rregullta, ku mësimdhënësit studentë trajnohen për mbajtjen e orëve nën udhëheqjen e mësimdhënësve me përvojë. Shkollat për tajnim të mësimdhënësve që mbahen në universitete, gjithashtu, ndihmojnë për zhvillimin e didaktikës mësimore, pra metodave për mësimdhënie dhe mësime të bazuara në hulumtime. Kjo ka ndikuar që të rinjtë më të talentuar të interesohen për ta ushtruar profesionin e mësuesit. Arsyeja tjetër e këtij interesimi është se programi postdiplomik për mësimdhënës është rregulluar asisoj që mos t’i kufizojë nevojat e tyre profesionale, ashtu që, ata që e kanë kryer magjistraturën me ekspertizë pedagogjike mund të punojnë gjithandej në shoqëri. Së këndejmi, edhe Komisioni Evropian sugjeron që mësimdhënësit duhet të jenë të trajnuar dhe të kenë aftësi të mira pedagogjike. Trajnimi duhet të mbahet në universitete dhe të përfshijë mundësinë për avancim deri në doktoratë (Taipale, 2021:167-168).
Kjo autore, gjithashtu sugjeron që sa më të mirë të jemi në identifikimin e problemeve, aq në mënyrë efektive dhe efikase ato mund të zgjidhen. Bie fjala, edhe tek ne, arsimi postdiplomik dhe ajo e doktoraturës, për mësimdhënësit duhet të bëhet pa pagesë, në mënyrë që të stimulohen për avancim më të lartë akademik dhe kjo natyrisht do t’i zhvillojë edhe më tepër aftësitë hulumtuese dhe shkencore si dhe ato pedagogjike. Kjo do të kontribuojë që mësimdhënësit e shkollës fillore dhe atyre të mesme, të mos ndihen inferiorë karshi shoqërisë, por të gëzojnë një status të merituar dhe të dinjitetshëm në shoqëri. Arsimimi i mirëfilltë i mësimdhënësit të shkollës fillore është shumë i rëndësishëm, sepse ndryshimi dhe ardhmëria e një shoqërie fillon prej aty. Ndërkaq, ide të tilla, si aplikimi i inteligjencës artificiale, nuk mjafton vetëm udhëzimi për mësimdhënësit dhe nxënësit se si duhet të përdoret inteligjenca artificiale, por memorandumi i ministres së arsimit duhet të plotësohet dhe të parashihet edhe trajnimi i mësimdhënësve nga ana e profesorëve universitar, sa i përket përdorimit të mjeteve teknologjike që kjo t’ua lehtësoj punën me nxënësit, përkatësisht se për çfarë qëllimi do të përdoret teknologjia e avancuar artificiale. Përndryshe, edhe ky projekt serioz, është i destinuar të dështojë, si dikur projekti çdo nxënës nga një kompjuter. Kompjuterët e rinj, rrinin të shkyçur në klasë, ndërkaq, mësimdhënësit vazhdonin të ligjëronin me shkumësin e bardhë në tabelë të zezë.
Nuk po them se Maqedonia e Veriut, duhet ta kopjojë fill e për pe Finlandën, por duhet të mësojë shumë nga ky shtet nordik./dritare.net

















