Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Dimri i vetmisë së madhe!

Dimri i vetmisë së madhe!

Nga Manjola Markola

Mbylla kompjuterin ashtu fluturimthi dhe pashë veten në pasqyrë, kisha pak minuta kohë për t’u bërë gati sepse koha ishte e limituar. Teksa krihesha, flokët më ishin rritur paksa dhe unë as nuk e kisha vënë re, tashmë pak më poshtë supit. Prej ditësh nuk ia kisha hedhur sytë dollapit përveç pizhameve dhe ndonjë kostumi sportiv që ndërroj, e dita-ditës kam nisur të harroj veshjet që kam brenda tij. U mendova një copë herë dhe vesha ato, rrobat e fundit që kisha blerë, sepse me gjasa, nëse do t’i lija dhe pak, do të mbeteshin për vitin tjetër. U vesha dhe dola me shpejtësi, ende shihja orën, po dilja dhe më duhet të kthehesha shpejt. Se kisha prekur portën prej ditësh, ndoshta pesë, ndoshta gjashtë a më shumë ditë.

Ashtu e shihja rrugën nga dritarja e dhomës, në të cilën prej kaq shumë kohësh është kthyer në vendin ku marr e jap frymë. E kam mësuar përmendësh çdo cep të saj, herë i ndryshoj mobiliet aty, herë mendimet, herë ëndrrat, e herë thjesht bie e qaj me dënesë në shtrat, të gjorin, e kam braktisur, më prek më pak orë se çdo gjë tjetër, atëherë, në kohën, kur rrahjet e zemrës bëhen më të ngadalta e lutja e darkës, është veç për një ditë më të bukur nesër. Por, e nesërmja është po njësoj, e njëjta karrige, i njëjti kompjuter, e njëjta vetmi, që mbush një gotë të pafundme. Në të majtën time, dritarja duket sikur më shoqëron në vetminë që mbyt, atë që rrënjët i ka të forta mes katër muresh. Hedh sytë çdo herë për të mos harruar jetën atje tej. Nga aty shoh makinat, njerëzit që shpesh mundohem të përfytyroj ku ka qenë, ç’kanë bërë, dëgjoj zëra jashtë, e më kaplon një dëshirë të dal të luaj aty, në mes të lagjes, siç bëja dikur, në fëmijërinë time. Oh, sa më mungon! Por më pret ajo “puna në shtëpi”, në mëngjesin që agon e mbrëmjen që ngryset në të njëjtin vend. Shuhen të gjitha mendimet, e vrullshëm marrin jetë kujtimet e vakëta, të mbushura me mall, me dëshirë për të përqafuar botën.

Pasi dola, rruga mu duk kaq e bukur, e njëjta që kisha shkelur prej 19 vitesh, por prapë, sot më ngjau me rrugën më të bukur në botë. Ecja e sytë më shkuan në qiell, ndihesha kaq fajtore që prej kohësh shikimet nuk na ishin shkëmbyer. “Më paska marrë malli”, i pëshpërita. Atje tej, ishte ime më, e cila bëri një lëvizje koke të gëzuar, ia ndjeva lumturinë në sy, kur më pa ashtu, të veshur, duke ecur me vrull. Ndjeva trishtim, më puthi me gjithë forcën e shpirtit. Mendova rrugës, prej kohësh më sheh duke vrapuar nëpër shtëpi ashtu e veshur me pizhame, me lap-top në dorë, teksa nuk i them në asnjë ditë “mbarova punë”, por përkundrazi, “ma, po nis punë unë”. Ndërsa ecja, oh, ndjeja një dëshirë të vrapoja, sytë më rëndonin, mes ngjyrave të natyrës që mikloheshin me njëra-tjetrën. Prej vitesh kam udhëtuar me autobus, e sot më ngjau me një mjet luksoz, të rehatshëm, a thua se ecte nëpër re. Rrugës shihja të gjitha hapësirat që prej vitesh i shihja çdo ditë. Sesi më dukeshin. Ndryshe, më kishte marrë malli. Ndërsa zbrita në stacion, e prita dhe semaforin që kaq shumë e urreja, e çdo herë thoja “o sa kohë humbasim këtu”. E prita më shumë seç duhet, për të rikthyer kujtimet e një jete, jetës së atëhershme. Eca bri kafenesë time të preferuar, aroma e kafesë ma përshkroi shpirtin, por ora më foli në vesh duke më thënë “nuk kemi kohë”. Këmbët përplaseshin në pllakat që numëroja mes buzëqeshjes çdo ditë që prisja semaforin, autobusin, shoqen, shokun, motrën, kolegen. Doja t’i përqafoja të gjithë, të mbushesha me frymë aty, ku mendoja se s’do ta bëja kurrë, kur dikur më duket se jeta bëhej lëmsh, aty ku ka jetë ku frymëmarrja nuk prek vetëm katër mure të ftohta akull. I shquaja rrugët ku dikur i prekja çdo ditë, ndjeja mall, oh po ndjeva mall a thua se prej vitesh nuk kisha ecur aty. Ulur në kafene, prita miken, atë të zemrës, në hapat e saj sillja ndërmend kujtime që më vunë buzën në gaz, e një lot në sy. E përqafova fort, si për ti thënë “oh sa më ka marrë malli, a mund të rrimë gjatë këtu”. Fola ashtu gjatë, vetëm e vetëm për të fshehur, atë dëshirën e fshehtë që pata në shpirt, të ngashërehesha një herë në lot, të mallin që se shuajnë dot ditët mes katër mureve.

Sërish këtu, në karrigen e vetmisë së madhe, në dimrin e vetmisë së madhe, në ditët kur ëndrra është makth, e pak nga pak plotësohet vetëm një fjali “dua të marr frymë, aty në jetën që pandemia më rrëmbeu”.../dritare.net