
Nga Xheni Hatillari
Teksa data 11 Maj afron, dhe për të gjithë ata që me padurim presin të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar (dhe sa mirë që këta jane goxha shumë!) duket sikur një cikël do të përfundojë, ama një tjetër nis në të gjitha qytetet shqiptare që pritën e përcollën mitingje, evente dhe kandidatë me fletëpalosje dhe stenda për të komunikuar me qytetarët. Cikli natyror i shpërbërjes së materialeve ndotëse nga fushata zgjedhore!
Me rëndësi do të ishte të ndalemi të komunikimi me qytetarët që partitë politike zgjedhin. Në vitin 2025, të gjithë u bindëm që një nga mënyrat që u përzgjodh për t’i arritur zgjedhësit potenciale qe ajo e rrjeteve sociale (edhe pse Kryeministri me një autogol censuroi TikTokun, por ky është një diskutim që pret për një herë tjetër). Kjo siç duket nuk ishte ama e vetmja armë beteje që zgjodhën kandidatët e të gjitha partive që nga hici nisën të pushtojnë rrugë e qoshe të kryeqytetit dhe jo vetëm, me fletëpalosje të panumërta. Pikërisht këto janë personazhi kryesor i shqetësimit tim prej aktivisteje teksa shëtis nëpër rrugë dhe numëroj sa të tilla do të has sot rrugës për në shtëpi.
Një shembull konkret do të ishte trajektorja nga pika A e njohur si sheshi Wilson në Tiranë deri në pikën B e njohur si Parku Olimpik ku numërova plot 64 postera të hedhur në mënyrë të shkujdesur kudo në rrugë.
Shqipëria dhe vendet e Ballkanit, fatkeqësisht nuk kanë të dhëna të sakta mbi ndotjen mjedisore që vjen nga printimet e fushatës zgjedhore ama nuk duhen shumë të dhëna statistikore të tilla kur me një vështrim të lehtë nëpër rrugët e qyteteve tona, mund të vësh re qindra postera për kilometër rrugë vetëm pak orë pasi rrugët pastrohen nga punëtorët e qytetit. Në prag të një sezoni që sic parashikohet do të jetë i dendur me turistë, me gati 90% të ofertës turistike të rezervuar tanimë, duket se asnjë nga partitë politike nuk ka menduar për koston reale mjedisore që kjo fushatë do të na kushtojë këtë vit.
Në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian të vitit 2024, Zero Waste Europe, një organizatë europiane me fokus në mjedis, bëri thirrje për një Evropë pa mbetje, duke promovuar politika që synojnë reduktimin e mbetjeve nga fushatat zgjedhore dhe promovimin e ekonomisë qarkore. E pavarësisht kësaj, një raport i BIRN në Mars 2024 identifikoi 120 vatra ilegale mbetjesh në Shqipëri, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe Maqedoninë e Veriut, shumë prej të cilave përmbajnë mbetje plastike dhe materiale të tjera të fushatave zgjedhore.
Duket sikur cështja mjedisore nuk është në fokusin e partive politike, një mungesë e madhe në programet e tyre politike në këtë fushatë që njëherazi do të duhej të kishte edhe më shumë ngjashmëri me simotrat në Europë ku mjedisi është kthyer në fokusin kryesor.
E pavarësisht nevojës për ta përmendur dhe promovuar mjedisin si një lajtmotiv përgjatë projekteve të ndryshme, duket sikur partitë tona politike kanë njohuri të cunguara si mund t’ia nisin nga vetja dhe të kthejnë milionat e shpenzuar në printime dhe njëherazi mbetje për qytetet e tyre në skema më miqësore me mjedisin teksa komunikojnë me qytetarët.
Kjo do të ishte padyshim një vlerë e shtuar në një fushatë zgjedhore që u duk sikur vuri të rinjtë në qendër, pritshmëritë ishin të larta që pikërisht këta të fundit ashtu sikundër bashkëmoshatarët e tyre Evropianë do t’i kthenin sytë te mjedisi por jo. Teksa buzëqeshin nga posteri i radhës i hedhur në një cep, duket sikur edhe ata kanë zgjedhur të heshtin përpara fakteve të mjerueshme dhe rrezikut që nëse nuk nisim nga sot, me shumë gjasa fëmijët tanë do të përballen me hakmarrjen e mjedisit në dekadat në vijim.
Pavarësisht një debati publik të munguar, një cështje me vlerë për të diskutuar do të ishin mënyrat për të minimizuar ndikimin mjedisor, dhe rëndësia e promovimit të fushatave zgjedhore më të gjelbra dhe ndërmarrja e masave për menaxhimin e mbetjeve të gjeneruara gjatë proceseve zgjedhore.
I takon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve por edhe secilës nga partive politike që të ndërmarrin masa në këtë javë të fundit (edhe pse nën presionin e kohës) për të dhënë sadopak kontribut në shbërjen e dëmit mjedisor të shkaktuar ose të vazhdojnë e të mbajnë në ndërgjegjet e tyre fletëpalosjet me ngjyra që toka nuk do t’i pertypë edhe për shumë gjatë./dritare.net

















