Ai që më dhunoi mua, kishte mjekrën blu!
Dritare.net
Tregim nga Nada Dosti
E pashë me sytë e mi se si një djalë po e ndiqte një vajzë. E kishte futur në një rrugicë qorre mu në mes të kryeqytetit. E tronditur, vrapoj drejt një personi me uniformën blu. Pasi ia shpjegoj ngjarjen në fjalë më shikon gjithë habi sikur të isha duke folur përçart.
“E ke gabim, nuk ka mundësi! S’ka mundësi të kesh parë një skenë të tillë në qytetin tonë. Këtu nuk ndodhin gjëra të tilla, sidomos në këto orë të vona të natës.” më tha gjithë bindje.
“More e pash me sytë e mi, jam e sigurt! Janë aty, ju lutem ejani t'ju shpie ta shikoni dhe ju”, iu drejtova koleges së tij grua dhe ajo me uniformë blu. Teksa ajo më shikonte gjithë habi dhe nuk dukej se po i interesonte shumë tema në fjalë. Pas injorimit të tyre, në dëshpërim thërrita:
“Seriozisht e keni, do rrini duarkryq teksa tjetra po rrezikon jetën? Mirë ky, por edhe ti nuk do bësh gjë?!” duke iu drejtuar asaj.
“Vajzë, vazhdo rrugën më mirë! Shih punën tënde! Mjaft tregove përralla, me siguri do kesh parë ndonjë çift duke debatuar dhe tani e bën të madhe. Pastaj çfarë do një vajzë nëpër rrugicat e qytetit në këtë orë të natës.”, ma ktheu ajo.
Pa fjalë! Përgjigja e saj ishte aq tronditëse sa u shtanga. Ia ktheva kurrizin të dyve dhe vazhdova punën time. U riktheva te rrugica dhe gjeta trupin e vajzës bërë copa-copa. Shumë pak njerëz kalonin aty pranë, disa kthenin kokën e bënin sikur nuk e shihnin, madje disa të tjerë kapërcenin mbi trupin e syrgjynosur sepse bezdiseshin të bënin dhe një hap më shumë duke devijuar drejtimin e tyre.
“O njerëz, a jeni more në rregull? A kuptoni që në tokë gjendet një grua, arrini ta shihni apo jo?!”, bërtita me sa kisha fuqi që të më dëgjonin edhe nga fundi i rrugës. Por më kot. Kalimtarët më shihnin si të isha ndonjë jashtëtokësore. Ika me vrap nga aty. Vrapoja por skena nuk më hiqej nga mendja. Më ndoqi hap pas hapi deri në prag të derës. Ngjita shkallët e apartamentit me sa frymë kisha dhe e mbylla derën me vrap me të gjitha kyçet e mundshme. Sikur shpirti i saj të ishte duke më ndjekur nga pas, apo nga frika mos isha unë viktima e radhës. Hap televizorin, një tjetër grua. Shfletoj gazetat, një tjetër grua.
Në mëngjes zhurma telefonit më zgjon duke rënë disa herë pa pushim.
“Dalim për kafe?”
“Kur?”
“Po pasdite vonë, nga darka.”
“Jo në darkë se errësohet, dalim para perëndimit!”
Takohem me shoqen, e cila erdhi me vonesë dhe e pyes nëse i ka parë dhe lexuar gjithë ato lajme në lidhje me gratë e bëra kurban këto ditë. “Nuk di gjë, as kam parë gjë. Moj çfarë kanalesh ndjek ti, çfarë lloj gazetash lexon se vetëm prej teje i dëgjoj këto gjëra.”
Çudi! Lajmet ishin në të gjitha kronikat e kanaleve të ndryshme. Kryetitujt e kronikës zezë ishin në të gjitha gazetat. Si ka mundësi që vetëm unë i shoh këto gjëra?
“A çohemi para se të errësohet?”
“Pse çfarë halli ke? Po dale se ne sa u ulëm, rrimë dhe pak dhe çohemi. Ku është problemi?”
Hesht! Jam lodhur me njerëzit duke u sjellë me mua sikur të vija nga një tjetër planet. Jo më larg se dje e pash vdekjen mu në sy. Por askush s’të beson, askush s’të kupton.
“Kur të mbërrish në shtëpi të lutem më shkruaj që mbërrite shëndoshë e mirë.”
“Mirë “mami”! Mos u bëj paranojake dhe ti tani”
“Më shkruaj të lutem!”
“Mirë pra të thashë!”
Teksa kthehem rrugës për në shtëpi ndjej një zhurmë, sikur dikush po më ndjek nga pas. Aty pari kalon një ujk. Jo nga ata ujqërit e pyllit, por ujk i zbutur qyteti, që rritet nëpër shtëpi. "Të lutem a mund të më shoqërosh deri në shtëpi, se kam frikë. Më duket se po më ndjek dikush." Ujku nuk e ndali hapin, vazhdonte ecte teksa më shikonte gjithë habi, me atë shikimin e llojit "A je në terezi moj vajzë, mua e gjete të më kërkosh të të shoqëroj. Unë ujk jam, apo s'i ke sytë në ballë".
Hodha mbi kokë kësulën e kuqe që derdhej mbi shpatullat e mia me një gjest mistik sikur të kishte fuqi të mbinatyrshme për të më zhdukur nga aty. Mundësisht për të më teletransportuar direkte në shtëpi. Më pas ndjej një goditje të fortë pas koke, mbi kësulë. Pastaj një shkelm në bark, një grusht në fytyrë. Pastaj errësirë. Nuk mbaj mend më asgjë.
Zgjohem në urgjencë. Gjumi më del teksa më çojnë peshë nga një shtrojë në një tjetër. Çohem për t’u parë në pasqyrë. Ç’të shoh: një mozaik ngjyrash, fryrjesh, gropash. Një si shenjë e kuqe këtu, një tjetër ngjyrë vjollcë, pastaj disa hije si rozë në lejla, dhe një damar i fryrë ngjyrë blu, si mjekra e autorit të kësaj kryevepre.
“Do të dërgojmë te zyra me uniformat blu.” më thotë infermierja, ky rast nuk duhet lënë pa kallëzuar.
“Zonjë, a e mban mend personin që ta bëri këtë?”
“E mbaj mend posi, shumë mirë madje. E kishte mjekrën ngjyrë blu, makinën e zezë me atë logon blu dhe zi. E kam parë rrugëve të Bllokut, më duket se ka një dyqan në qendër të qytetit. Me A. i fillon emri.”
“Zonjë, e keni gabim. S’ka mundësi të ketë qenë ky personi. Megjithatë ne do ta thërrasim këtu për dëshminë e tij.”
Burri me mjekër blu nuk erdhi të dëshmonte, dërgoi një pako me letra jeshile të cilat i vendosën në një si tip peshore. Nga ato të vjetrat me kandar. Në anën tjetër vendosën fjalët e mia dhe dëshminë gjithashtu. Sa më shumë letra jeshile vendosnin në njërën anë të kandarit, aq më shumë ulej ana e dëshmisë sime. Përfundimi ishte i qartë. Rasti u mbyll.
U mbyll dhe një kapak sipër meje. Fillova të ndjej si një zhurmë breshërie dhe goditjesh të vogla sipër këtij kapaku. Fryma po tretej pak nga pak. Errësira po shtohej. Sa vinte dhe bëhej më terr…breshëria u ndal. Dëgjoj zhurmën e telefonit tim që bën kur vjen një mesazh. Dikush e hap dhe e lexon me pëshpëritje “Harrova të të shkruaja mbrëmë: unë mbërrita, shëndosh e mirë! Ti mirë je?”
Tani dëgjoj vetëm zhurma hapash jo që afrohen, por që largohen dhe sa vijnë dhe zbehen. Derisa nuk dëgjoj dhe nuk shoh më asgjë. Harrova t’ju them. Emri im ishte Liza. Dhe dikur jetoja në Botën e Çudirave./dritare.net