Na ndiqni edhe në

Shkrimet e Dritanit

Asgjë nuk ka ndryshuar, asgjë nuk kemi mësuar

Asgjë nuk ka ndryshuar, asgjë nuk kemi mësuar

Sot rrugët e qyteteve shqiptare ishin si në një ditë të zakonshme paravirusi. Askush nuk respektonte distancat sociale, takoheshin me dhënie dore dhe kafenetë shërbenin si në një ditë të zakonshme. Njerëzit i kanë paraprirë masave të lehtësimit të karantinës madje e kanë hequr fare atë.

E keqja e gjithë kësaj historie është se nga kjo eksperiencë nuk mësuam asgjë, as të shërbenim në furra buke dhe si të takoheshim me të njohur.

Rezultatin ende të lehtë të numrit të vdekjeve, njerëzit ia kanë lënë Zotit, madje ka prej atyre që e mohojnë komplet. Nuk ka ndonjë çudi. Ka njerëz që e mohojnë edhe në Itali ku ka 30 mijë të vdekur me emra dhe mbiemra.

Ka prej atyre që mendojnë se e gjitha është një kauzë e fryrë. As kjo nuk të çudit. Ka prej atyre që mohojnë Holokaustin dhe dhomat me gaz të nazistëve.

Ndërkohë qeveritë duket se po i nënshtrohen presionit të bizneseve te cilët kalërojnë mërzinë e njerëzve të ngujuar dhe kërkojnë rikthimin në gjendjen nga e nisëm. Nuk e vrasin mendjen fare sesi do përshtaten me një situatë e cila mesa duket do të ndryshojë botën, ose do të rrallojë numrin e banorëve të saj.

Në realitetin mjekësor asgjë nuk ka ndryshuar. Ne dhe bota hymë na karantinë kur numri i të infektuarve ishte dhjetë herë më i vogël sesa sot, dhe po dalim kur numri i të vdekurve është mbi 200 mijë.

Mesa duket edhe qeveritë ashtu si njerëzit janë të lodhur nga pritja, nga mungesa e një vaksine apo strategjie. E vetmja gjë që kanë arritur deri më tani është që u shmang në disa vende pamja e kufomave kapicë, ndërsa në të tjerat ia dolën që të mësohen me vdekjen masive.

Pas kësaj e vetmja gjë që mund të shpresojmë është që diçka jashtë dijes njerëzore të ketë ndodhur dhe mos kemi një rikthim të epidemisë e cila ka për të qenë më shkatërrimtare. Ose të jemi mësuar me Koronën si një fatalitet. Deri atëherë, kujt i dhimbset koka dhe të moshuarit, le të bëjnë kujdes. Mesa duket qenia njerëzore është e tillë që kur i shpëton një rreziku ia di për faleminderit Zotit ndërsa kur e pëson ia le fajin qeverisë. Por asnjëherë vetes./dritare.net