Na ndiqni edhe në

Shëndet

Si të përballeni me demencën e një prindi!

Si të përballeni me demencën e një prindi!

BBC

Kur shkrimtarja Sue Nelson zbuloi se babai i saj kishte demencë, bota e saj u shemb. Por hulumtimi i ri zbulon disa mënyra se si të mbështesni njerëzit e prekur nga demenca.

Demenca e shkatërron botën e një njeriu. Ajo i gërryen, ndryshon dhe i zhduk kujtimet. Shkakton humbje të përqendrimit, konfuzion dhe ndryshime të humorit. Ajo i kthen fytyrat e njohura dhe veprimet e përditshme, në enigma të pakuptueshme.

Ata që janë pranë këtyre njerëzve janë gjithashtu të prekur. Një studim i quajti kujdestarët joformalë ose familjarët, pacientët e dytë të padukshëm. Përvojat e tyre varionin nga izolimi social, stresi dhe rritja e rreziqeve shëndetësore deri te problemet financiare.

Nëse personi i dashur me demencë është nëna ose babai juaj, ai gjithashtu ndryshon një nga lidhjet më të rëndësishme në jetën tonë.

Lidhja ime e re prind-fëmijë filloi në ditën e Krishtlindjes, 2019.

Një pemë artificiale, qëndronte në cep të dhomës. Burri im kishte veshur një pulovër të bukur. Djali ynë student po luante me letra. Gjyshi i tij, babai im, ishte ulur në një tavolinë festive. Deri më tani, asgjë unike. I vetmi ndryshim në atë kohë ishte vendndodhja: Spitali Lister në Stevenage, një qytet në veri të Londrës.

Si të përballeni me demencën e një prindi!

Babai im asokohe 87-vjeç kishte 24 orë i sëmurë. Kishte shumë të vjella, dhe nuk ishte për shkak të gatimit tim, siç ai bëri më vonë shaka me infermierët. Shkaku i vërtetë na habiti të gjithëve: mbidozë me qetësues.

Më befasoi edhe më shumë zbulimi i radhës i doktorit:

"Sa kohë ka që babai juaj ka demencë?"

"Me sa kam dijeni," u përgjigja, "ai nuk ka demencë".

Rreth 57 milionë njerëz në mbarë botën kanë demencë, informon dritare.net. Ky numër pritet të trefishohet në 153 milionë raste në vitin 2050, sipas një parashikimi nga një ekip ndërkombëtar studiuesish, për shkak të plakjes dhe rritjes së popullsisë globale. Demenca gjithashtu prek në mënyrë disproporcionale më shumë gra sesa burra dhe nuk është, siç supozohet zakonisht, një sëmundje.

"Dementia është një term për një sërë kushtesh progresive që prekin trurin," thotë Caroline Scates.

Këto ndryshime në tru shkaktohen nga sëmundje të ndryshme. "Ka mbi 200 lloje të ndryshme të demencës," thotë Scates. “Më të zakonshmet janë sëmundja e Alzheimerit, demenca vaskulare– të gjitha këto mund të shfaqen në mënyra të ndryshme”.

Demenca e trupit Lewy, për shembull, rezulton nga grumbullimet e proteinave brenda qelizave të trurit të quajtura trupat Lewy me simptoma që përfshijnë halucinacione, përgjumje dhe të fikët.

Simptoma e parë e demencës që zakonisht vërehet nga njerëzit dhe të dashurit e tyre, është humbja e kujtesës. Kjo shkaktohet nga dëmtimi i trurit, sepse kur qelizat tona të trurit ndalojnë së punuari siç duhet, kjo ndikon në mendimet, kujtesën dhe aftësinë tonë për të komunikuar.

“Sapo dikush përjeton demencë, mjekët nuk kanë asgjë që të parandalojë rrjedhën e sëmundjes”, thotë Rosa Sancho, kreu i kërkimit për shoqatën bamirëse Alzheimer's Research UK. "Njerëzit mund të marrin ilaçe, por kjo vetëm do të lehtësojë simptomat përkohësisht."

Për shkak se sëmundjet të rëndësishme janë aktualisht të pashërueshme, zgjidhja e vetme për momentin është të menaxhoni simptomat dhe të ndërmerren hapa për të ulur rrezikun e zhvillimit të demencës.

Si të përballeni me demencën e një prindi!

"Diagnoza e demencës nuk i jepet vetëm një personi," thotë Scates. "I jepet një bashkëshorti, një partneri, një fëmije, familjes së gjerë dhe miqve, kështu që ka një ndikim në të gjithë familjen. Sa herë që vendoset një diagnozë, ajo ndryshon jetën për disa njerëz."

Për ata që kujdesen për të sëmurët, humbja e kujtesës mund ta kthejë jetën e përditshme në një seri misteresh të pafundme që duhen zgjidhur.

Në rastin e babait tim, ekzistonte enigma se pse ai kishte gëlltitur një mbidozë qetësuesish. Pastaj m'u kujtua se, disa ditë më parë, ai po çalonte kur e takova në stacionin e trenit. Rezultoi se ai kishte thyer këmbën disa javë më parë.

Mjeku i spitalit supozoi se babai kishte marrë diçka për dhimbjen, por aksidentalisht e kishte tepruar sepse nuk mbante mend të kishte marrë ndonjë mjekim. Valixhja e babait e konfirmoi këtë teori. Brenda gjeta më shumë se 10 pako, kryesisht bosh, me qetësues.

Është e lehtë të përjashtohen disa shenja të veprimeve jo normale, të lidhura me moshën. Babai im harronte shpesh, ishte edhe mendjemadh, tipare që i kam trashëguar, kështu që nuk i vija shumë re gabimet e tij të kujtesës, e bindur se humbja e vazhdueshme e telefonit të tij ishte normale për dikë në të 80-at.

Në fusha të tjera, ai bënte shumë për moshën që kishte. Ai lexonte gazetën Times çdo ditë dhe ndiqte me rigorozitet lajmet. Atij i pëlqente të diskutonte politikën, udhëtonte kudo me autobus ose tren, ecte gjashtë milje çdo ditë dhe shkonte në çdo ndeshje të ekipit të tij të preferuar të futbollit, Everton (megjithëse nuk jam e sigurt se kjo e ndihmoi shëndetin e tij mendor).

Sigurisht, familja dëgjonte të njëjtat histori gjithnjë e më shumë duke u përsëritur. Një herë ndodhi që doli në një dyqan dhe humbi duke u kthyer tre orë më vonë. Por asnjë dëm nuk u bë dhe ai thjesht qeshi me këtë situatë.

Disa bashkëshortë, miq ose të afërm të personave me demencë krijojnë atë që njihet si një flluskë normalizimi, duke u përpjekur të justifikojnë sjelljen gjithnjë e më të çrregullt të të dashurit të tyre, nga frika se përballja me realitetin do t'i shkaktojë personit dhimbje ose tronditje, si dhe pakënaqësi për humbjen e pashmangshme të pavarësisë, informon dritare.net.

Megjithatë, provat sugjerojnë se diagnostikimi i ihershëm mund t’i ndihmojë personat që vuajnë nga demenca. Për familjen time, shenjat paralajmëruese duhet të kishin filluar t’i kushtohej rëndësi që kur babai këmbënguli gabimisht që një i afërm i kishte hequr të gjitha paratë nga llogaria e tij bankare. Pavarësisht sa herë tregoja deklarata apo e shoqëroja personalisht në bankë për ta qetësuar, sërish vinte një moment që ai e përsëriste. Ndonjëherë, para se të ktheheshim në shtëpi më thoshte: "Më fal që të shqetësoj, Sue, por mendoj se dikush po më ka vjedhur paratë..."

Pastaj hekuri ishte harruar të hiqej nga priza. Gazi nuk ishte fikur siç duhej. Shyqyr zotit nuk pinte duhan. Në vend që të kuptoja shenjat, mendova se edhe mua më ka ndodhur e njëjta situatë. Por isha thjeshtë një budallaqe, që lentet e dashurisë, nuk më linin të pranoja të dukshmen.

Si të përballeni me demencën e një prindi!

Më pas, në verën e vitit 2019, ai u fut në një tren herët në mëngjes nga një prej nipërve të tij në Chester, afër shtëpisë së tij, duke u nisur për në Londër, afër vendit ku jetoj. Fatkeqësisht, ishte një ditë kaosi hekurudhor me trena të prishur dhe qindra njerëz të grumbulluar poshtë tabelave të njoftimeve duke thënë se janë vonuar ose anuluar. E prita në stacionin e trenit në Londër. Pas 12 orësh ai ende nuk kishte ardhur. Thirra policinë. Ata përfundimisht e gjetën atë duke mbërritur në shtëpinë e tij në orën 3 të mëngjesit.

Kur fola me të në telefon, megjithëse nuk arriti kurrë në shtëpinë tonë, babi më falënderoi me gëzim për fundjavën e bukur.

Si prind, babi më ka dhënë gjithmonë dashuri të pakushtëzuar dhe mbështetje të pafund dhe kështu në fillim u ktheva në pozicionin tim normal - modaliteti i vajzës së madhe. Unë kujdesesha për të, e mbikëqyrja, e kontrolloja gjatë gjithë kohës, dhe i kujtoja herë pas here gjërat që duhet të bënte.

"Nuk është çudi që të quanin shefe," me thoshte ndonjëherë.

Ka disa prova që kjo tendencë për të marrë përgjegjësinë është në fakt veçanërisht e zakonshme tek të parëlindurit, megjithëse studime të tjera kanë zbuluar se radha e lindjes nuk ka shumë ndikim në zgjedhjet e jetës, as në mënyrën se si njerëzit përballen me ngjarjet stresuese, informon dritare.net. Pra, mund të ketë qenë pjesërisht vetëm personaliteti im. Më pëlqen të jem në krye.

“Të shohësh ndryshimin e sjelljes tek dikush që e njeh prej kohësh mund të jetë stresuese”, thotë Scates. "Megjithatë, fillimi për të mësuar se çfarë fshihet pas sjelljes mund të ndihmojë për të kuptuar se çfarë mund të ketë nevojë ai person ose çfarë po përpiqet të komunikojë."

Pas mbidozës aksidentale, unë fola me mjekun e babait tim. Me pëlqimin e babait, më zbuloi se ai ishte diagnostikuar me sëmundjen Alzheimer në vitin 2017. Ai e kishte mbajtur të fshehtë diagnozën nga të gjithë ne.

Asnjëherë nuk kemi diskutuar arsyet e tij për të mos na thënë. Pacientët me demencë thuhet në studime e kanë të vështirë të flasin për demencën, sepse ata vetë mund të pajtohen me këtë realitet.

Por fotografia e plotë kaotike që ai ishte përpjekur aq shumë për ta fshehur u zbulua në banesën e tij. Ishte rrëmujë totale, e mbushur me fatura të papaguara dhe kërcënime me pulla të kuqe nga kompanitë e shërbimeve. Frigoriferi ishte i mbushur me ushqime të kalbura që ai kishte blerë, por kishte harruar të gatuante.

Për fat të mirë, babai më kishte besuar punët në emër të tij nëpërmjet një avokati. Tani më duhej të merrja vendime që do t’i shërbenin atij. Kjo nënkuptonte rishkrimin e marrëdhënies prind-fëmijë përsëri. Unë në fakt isha kujdestarja e tij. Ai ishte i varur nga unë.

Unë isha bërë prind i babait tim.

Por me një pendesë që mbeti peng gjithë jetën. Babai kishte thënë gjithmonë: "Më premto, Sue. Mos më ço kurrë në një shtëpi kujdesi."

Ky është një shkrim që shkakton shumë lot dhe dhimbje, sepse nuk mund ta mbaja premtimin.

Fillimisht babai im hyri në një shtëpi përkujdesjeje me qëndrim të shkurtër. Ishte mars 2020. Dy ditë më vonë, Mbretëria e Bashkuar njoftoi bllokimin e saj të parë për shkak të pandemisë Covid-19. Në vend të dy javëve, ai qëndroi atje për gjashtë muaj.

Pastrimi i banesës së tij ishte dëshpëruese.

Faji im u shtua kur Covid-19 shpërtheu nëpër shtëpitë e kujdesit në Britani dhe në mbarë botën. Babai e mori sëmundjen në shtëpinë e tij të kujdesit. Por unë isha e shqetësuar për shëndetin e tij mendor. Ai ishte një njeri social, që nuk mund të shihte më familjen ose miqtë. Kur vizitat rifilluan, kam vozitur mbi 200 milje për ta parë atë për 30 minuta pas një dritareje xhami. Nuk mund të kapnim dot as duart.

“Ne e dimë që para pandemisë se izolimi social është një faktor rreziku për demencën,” thotë Sancho. "Kur njerëzit janë aktivë dhe të lidhur me komunitetin, është mirë për shëndetin e trurit, komunikimin dhe aftësitë sociale. Izolimi social nuk është i mirë për shëndetin e trurit të dikujt."

Viti i ardhshëm ishte një periudhë shumë e vështirë. Në disa vizita, ai kishte një sjellje normale. Herë të tjera, ai mezi fliste dhe unë i mbaja dorën dhe luaja Puçinin, një nga kompozitorët e tij të preferuar.

Deri më tani, babi vazhdon të më njohë, megjithëse fjalët e tij dalin ngadalë si flluska sapuni që ngrihen dhe shpërndahen papritmas në ajër.

Por jam e vetëdijshme se një ditë, fytyra ime do të jetë e huaj për të./Lorena Fjolla/Dritare.net