Kos: Shqipëria ka bërë progres, presim hapa vendimtarë për IBAR-in
Dritare.net

Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, ka folur gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian për ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit, duke u ndalur te diskutimet e vendeve anëtare mbi Raportin e Ndërmjetëm (IBAR).
Ajo vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria, duke theksuar se hapja e gjashtë grupkapitujve të negociatave brenda pak më shumë se një viti përbën një arritje të rëndësishme. Sipas saj, vendet anëtare po vijojnë diskutimet për përmbushjen e standardeve të ndërmjetme, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.
Kos shprehu bindjen se në javët dhe muajt e ardhshëm pritet të ketë përparim vendimtar në Këshill.
“Shqipëria ka hapur gjashtë grupkapitujt e negociatave në pak më shumë se një vit. Shtetet anëtare po vazhdojnë diskutimet mbi përmbushjen e standardeve të ndërmjetme në fushën e sundimit të ligjit. Jam e bindur se në javët dhe muajt në vijim do të shohim përparim vendimtar në Këshill”, u shpreh ajo.
Miratimi i Raportit të Ndërmjetëm nga vendet anëtare do t’i hapte Shqipërisë rrugën për të kaluar në fazën e mbylljes së negociatave për kapitujt.
Ndërkohë, Komisioni Evropian e ka vlerësuar pozitiv raportin e hartuar për Shqipërinë, ndërsa vendet anëtare kanë propozuar ndryshime në draftin e sugjeruar për Pozicionin e Përbashkët të BE-së./K.C/dritare.net