Na ndiqni edhe në

Emisionet

Historia e familjes Turdiu dhe Mehmet Shehu! Flet ish-ambasadori Gazmend Turdiu!

Historia e familjes Turdiu dhe Mehmet Shehu! Flet ish-ambasadori Gazmend Turdiu!

Ish-ambasadori Gazmend Turdiu ka ndarë në Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTv detaje të forta nga historia e familjes së tij, një ndër familjet e njohura në Tiranë, që ka kaluar përmes periudhave të vështira gjatë regjimit komunist.
Turdiu thekson se ai vjen nga një familje me kontribute të rëndësishme në arsim dhe shoqëri, duke përmendur edhe figurën e Qazim Turdiut, një profesor i respektuar dhe “ndër themeluesit e Universitetit të Tiranës”- thotë ai.
Ai rrëfen se jeta e tij ndryshoi rrënjësisht pas ngjarjeve që lidhen me fundin e Mehmet Shehu. Sipas tij, pikërisht pas atyre zhvillimeve politike, ai u përjashtua nga universiteti në vitin 1982, duke u përballur me pasoja të rënda personale dhe familjare.



Gazmend Turdiu tregon se ai është kushëri i Silva Turdiut, vajzës së Qazim Turdiut, e cila ishte e fejuara e djalit të Mehmet Shehut.
Sipas tij, gjithçka nisi pikërisht nga kjo lidhje, e cila më pas solli pasoja për familjen. Turdiu kujton se përjashtimi i tij u shoqërua me izolim dhe presion, ndërsa familja u prek drejtpërdrejt nga situata. Ai tregon se motra nuk arriti të vazhdonte studimet, ndërsa familjarë të tjerë u përballën me vështirësi të mëdha shëndetësore dhe ekonomike në atë periudhë.
Më tej, ai rrëfen edhe për dërgimin në repartet ushtarake të punës, ku sipas tij trajtoheshin kryesisht persona të persekutuar politikisht. “Ishim të dallueshëm edhe nga uniforma, për të treguar se kush ishim”, shprehet ai, duke nënvizuar realitetin e ashpër të kohës.
Në rrëfimin e tij, ish-ambasadori thekson se nuk ka pasur kontakte direkte me drejtuesit e lartë të regjimit si Enver Hoxha apo Mehmet Shehu, por pasojat e vendimeve dhe klimës politike të asaj kohe i ka ndjerë drejtpërdrejt në jetën e tij.
Historia e familjes Turdiu, sipas tij, është një dëshmi e asaj se si ndryshimet politike dhe ngjarjet në nivelet më të larta të pushtetit ndikuan thellë në jetën e individëve dhe familjeve shqiptare./dritare.net