Na ndiqni edhe në

Shëndet

Pse mbijetesa nga koronavirusi mund të jetë vetëm fillimi!

Pse mbijetesa nga koronavirusi mund të jetë vetëm fillimi!

Marrë nga BBC

Gjëja e parë që Simon Farrell mundi të kujtojë, pasi u zgjua nga koma, ishte përpjekja për të hequr maskën e oksigjenit. Ai kishte qenë në terapi intensive për 10 ditë, i lidhur pas një ventilatori për të marrë frymë.

"Unë po përpiqesha ta hiqja maskën nga fytyra, infermierja vazhdonte të ma vendoste.”, thotë ai. Pasi mjekët e zgjuan, vunë re se trupi i tij kishte luftuar shumë me Covid-19, por ende kishte nevojë për oksigjen për të furnizuar mushkëritë e dëmtuara. Por këta persona që kanë qenë të ventiluar për një kohë të gjatë, shpeshherë pësojnë edhe sulme nga Covid-19 dhe kërkojnë më shumë kujdes sesa pacientët e tjerë.

“Kjo ka prodhuar shumë përçartje, konfuzion dhe agjitacion", shpjegon Dr.Kulwant Dhadwal, një këshilltar që drejton njësinë e kujdesit intensiv në Spitalin Royal të Londrës.

"Zakonisht nëse kemi një procedurë kirurgjikale, ose pacientë me pneumoni normale i fusim në terapi intensive, kur i zgjojmë ata janë më pak të hutuar dhe të çorientuar. Ky grup i veçantë i pacientëve ishte shumë më i vështirë për t'u larguar nga ventilatori.", tha ai. Edhe nëse ky proces rezulton i suksesshëm, është vetëm fillimi i një procesi të gjatë të rimëkëmbjes fizike dhe psikologjike.

Pse mbijetesa nga koronavirusi mund të jetë vetëm fillimi!

Dhjetëra, mijëra njerëz në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar tani kanë nisur rrugëtimin e gjatë të rimëkëmbjes. Disa u afruan me vdekje në njësitë e kujdesit intensiv, të tjerët kishin nevojë për një trajtim spitalor më të lehtë për t’i ndihmuar ta kalojnë gjendjen e rëndë. Të gjithë pacientëve u ka ndryshuar jeta nga Covid-19. Por, për pacientët me sëmundje më serioze në kujdesin intensiv, rehabilitimi fillon shumë përpara se të zgjohen nga koma. Mbështetja fizike dhe psikologjike duhet të jetë aty që në fillim. Edhe kur një pacient është në gjumë, infermierët dhe terapistët do t'i lëvizin trupat e tyre për t'u siguruar që të mos mpihen. Stafi i terapisë intensive flet vazhdimisht me pacientët, ndërsa ata janë të qetë, duke u thënë se janë aty për ta. Është e gjitha pjesë e procesit të përgatitjes për momentin e zgjimit, informon dritare.net

Pse mbijetesa nga koronavirusi mund të jetë vetëm fillimi!

Por procesi me Covid-19 ka treguar se është më shumë delikat dhe i vështirë se normalisht, pjesërisht se shumë prej pacientëve ishin në terapi intensive, me ventilatorë për një kohë të gjatë.

Pas shumë kohësh në gjumë, shumë prej tyre u zgjuan thellësisht të dobët, megjithëse disa e rifituan forcën shpejt. Një sfidë tjetër në shërimin e menjëhershëm nga Covid-19 është inflamacioni i rëndë. Shumë pacientë nuk mund ta përballojnë tubin e frymëmarrjeje të futur përmes gojës sepse laringu dhe zona sipër kordave zanore janë fryrë keq. Mjekëve shpesh u është dashur të kryejnë trakeostomitë, duke krijuar një vrimë në qafë për të futur tubin me oksigjen. Është proces i gjatë dhe më i ngadaltë, por i largon pacientët nga ventilatori.

Pse mbijetesa nga koronavirusi mund të jetë vetëm fillimi!

Por shumë pacientë që janë në kujdes intensiv, që kanë nevojë për ventilim mekanik, për t’i ndihmuar të marrin frymë, do të vuajnë nga deliriumi (flasin përçart). Vëzhgimet e shumë mjekëve sugjerojnë se deliriumi ka qenë akut dhe halucinacionet jashtëzakonisht të mëdha, për njerëzit që sëmuren rëndë nga Covid-19. Përçartja mund të shkaktohet nga infeksioni dhe ethet që e shoqërojnë atë. Por rëndohet nga ilaçet e forta që duhen përdorur për të qetësuar pacientët. Ndërsa pacientët janë në gjendje kome dhe pasi zgjohen dhe fillojnë të mos i marrin këto ilaçe, ata shpesh pësojnë halucinacione të frikshme dhe janë shumë mosbesues për atë që po ndodh me ta.

Pse mbijetesa nga koronavirusi mund të jetë vetëm fillimi!

Mjekët mendojnë se çekuilibrimet kimike bëjnë që truri të krijojë shpjegimin e vet, pse trupi nuk mund të lëvizë dhe pacienti nuk mund të flasë. Shpesh njerëzit mendojnë se ata janë rrëmbyer, torturuar, ose se janë në një qeli burgu, gati për të dalë në gjyq. Ata kanë tendencë të mendojnë se, mjekët dhe infermierë po komplotojnë ndaj tyre, thonë psikologët. Psikologët sugjerojnë që është e rëndësishme të mos grindesh me këta pacientë, por t’u ofrohet siguri.

Sfida e trajtimit të deliriumit akut që shoqëron Covid-19 është forcuar nga fakti se pjesëtarët e familjes nuk mund të jenë pranë pacientëve, në çastin kur ata po përpiqen të rikthehen në realitet. Njerëzit që vuajnë nga sëmundje të rënda zgjohen në një botë me drita dhe makineri, e stafin që i ndërpret gjumin, veshur kokë e këmbë me masa mbrojtëse. Sipas këshilltares së rehabilitimit në Britani të Madhe, Krystyna Walton kjo gjë ka një ndikim të madh te pacientët. Ata janë të hutuar dhe duhet të jetë tepër e vështirë të zgjohen në kushte të tilla. Dhe izolimi shoqëror, i imponuar nga pandemia ka pasoja edhe për miqtë dhe familjen.

Pse mbijetesa nga koronavirusi mund të jetë vetëm fillimi!

Disa pacientë mund të flasin përçart edhe disa javë pas zgjimit. Dhe kjo përvojë, bashkë me të tjera të frikshme, është lidhja kryesore për stresin posttraumatik, ankthin dhe depresionin. Afërsisht një në pesë pacientë të shtruar në terapi intensive në kohë normale shfaqin simptoma të çrregullimit të stresit posttraumatik. Për pacientët e koronavirusit, ky numër është edhe më i lartë. E njëjta gjë vlen për ankthin dhe depresionin pas largimit nga spitali. Rrethanat e pazakonta në të cilat ndodhemi për shkak të pandemisë dhe distancimi social mund t’i përkeqësojnë gjërat. Fakti që shumë pacientë nuk kanë pranë familjarët e tyre edhe pas daljes nga spitali, kur shkojnë në shtëpitë e kujdesit apo qendrat e rehabilitim, është tejet problematike. Spitalet kanë vendosur edhe iPad-et për ta bërë më të lehtë kontaktin, por kjo nuk është e njëjta gjë si të kesh kontakte të drejtpërdrejta.

Pse mbijetesa nga koronavirusi mund të jetë vetëm fillimi!

Për shumë njerëz rimëkëmbja fizike mund të jeta sfida më të madhe, sidomos nëse ata kanë kaluar javë të tëra në terapi intensive. Dhe nganjëherë kur njerëzit zgjohen pas katër javësh në qetësi totale, siç kanë bërë mijëra pacientë, ata mund të lëvizin vetëm me majat e gishtave. Një periudhë e zgjatur e rikuperimit nuk është e pazakontë pas kujdesit intensiv, por shumë pacientë me Covid-19 kanë përjetuar lodhje të rëndë dhe dobësim të muskujve. Ata janë të rraskapitur dhe ulja në karrige për gjysmë ore, mund të pasohet nga katër orë gjumë. Rimëkëmbja e muskujve kërkon kohë. Sugjerohet nga mjeket që pacientëve t’u jepet shumë ushqim, në mënyrë që të marrin fuqi. Pra, dietologët kanë një rol të rëndësishëm, së bashku me fizioterapistët dhe terapistët. Shumë pacientë Covid-19 do të kthehen në jetën normale relativisht shpejt. Por disa kanë pësuar dështim të veshkave dhe mund të kërkojnë suport renal, ndërsa të tjerët do të duhet të shkojnë te kardiologët ose neurologët.

Pse mbijetesa nga koronavirusi mund të jetë vetëm fillimi!
Sfida fizike më e zakonshme për rikuperimin e pacientëve Covid-19 është gulçimi dhe kjo për njerëzit që kishin simptoma të moderuara, si dhe të rënda të sëmundjes. Mushkëritë e tyre janë dëmtuar përkohësisht, por ato gjithashtu dekondicionohen sepse pacientët kanë qenë shtrirë në një krevat spitali për shumë kohë, sa mezi funksionojnë. Prandaj dhe ngjitja e shkallëve, sidomos për të moshuarit do të jetë shumë e vështirë dhe sfiduese. Gjithsesi është i nevojshëm rehabilitimi i personave që janë shëruar nga Covid-19, por kanë kaluar gjendje të rëndë. Ata do të vuajnë për një kohë të gjatë nga mushkëritë, për të mos thënë gjithë jetën, pasi efektet e virusit kanë qenë të rënda për ta./Përshtati: Kadrije Çako/dritare.net

Pse mbijetesa nga koronavirusi mund të jetë vetëm fillimi!