
Nutricionistja: Rreziqet dhe përfitimet, si ndryshon trupi në agjërim!
Dritare.net
Në muajin e Ramazanit, besimtarët duhet të ndjekin një regjim ushqimor të veçantë. Besimtarët ushtrojnë vetëpërmbajtjen dhe mund të konsumojnë ushqim vetëm gjatë iftarit dhe syfyrit. Por teksa trupi kalon nga një regjim në tjetrin, disa ushqime luajnë një rol primar.
Në një intervistë për Dritare TV nutricionistja Albana Daka dha disa këshilla për një regjim ushqimor të shëndetshëm për personat që agjerojnë dhe gjithashtu renditi disa nga benefitet e agjërimit në trupin e njeriut.
E pyetur nëse organizmi pëson ndryshime nga ky ndërrim regjimi, Daka tha se:
Regjimi “fasting” apo agjërimi kanë benefitet e veta në këndvështrimin shëndetësor. Sa më shumë personi të rrijë pa ngrënë, pra gjatë 24 orëshit, aq më shumë organizmi vetëpastrohet pra vetë-detoksifikohet. Gjatë agjërimit e kemi gjithë procesin e ngrënies të përqëndruar gjatë orëve të natës ku dhe metabolizmi relaksohet dhe është në pjesën e tij më të ngadaltë.
Nutricionistja theksoi se përzgjedhja e ushqimeve që duhen konsumuar gjatë iftarit dhe syfyrit duhet të jetë e kujdesshme. Me rëndësi ishte marrja e lëngjeve për të shmangur dehidratimin.
“Duhet që në vaktin e syfyrit apo iftarit të ketë patjetër qumësht dhe bylmet, me yndyrna sa më të ulëta të kombinuara këto me fruta të thata dhe fara. Sugjerohet marrja e 8-10 gota ujë dhe pjata e parë duhet të jetë patjetër një supë. Për pjatën e dytë do të ishte mirë të kishte një proteinë shtazore si mishi i kuq, pula apo peshku. Hurmat e arabisë janë gjithashtu të rëndësishme sepse janë të pasura me fibra dhe minerale, por edhe sepse limitojnë sasinë e ëmbëlsirave që mund të merren. Duhen shmangur produktet që përmbajnë kafeinë si kafja apo pijet energjike sepse kafeina zgjon dëshirën për ujë”, tha Daka.
Shpesh edhe personat jo-besimtarë i drejtohen proçesit të agjërimit si një mënyrë humbje në peshë. E pyetur nëse kjo mënyrë kishte efekte në organizëm, nutricionistja tha se:
Patjetër që nëse mbahet do të japë efekte pozitive në humbje në peshë, por nëse personi ka nevojë për rënie të mëtejshme por edhe për të menaxhuar ritmin e metabolizmit, rekomandohet që kjo mënyrë të vazhdojë edhe pas mbylljes së muajit të ramazanit. Kjo me ndryshimin e orëve të fasting dhe kalimin e tyre gjatë ditës.
Shpesh agjërimi shikohet edhe si një mundësi e mirë për tu larguar nga varësia nga duhani. Nutricionistja tha se:
Është një fillim shumë i mirë por duhet të vazhdojë edhe pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Nëse i rikthehen pas mbarimit të Ramazanit është një periudhë shumë e vogël dhe e pamjaftueshme detoksifikimi, Është një start shumë i mirë por dueht vazhduar edhe në muajt në vazhdim./dritare.net

















