Na ndiqni edhe në

Shëndet

Jeta e shëndetshme nuk varet vetëm nga ushqimi i mirë dhe ushtrimet. Çfarë tregon studimi i ri!

Jeta e shëndetshme nuk varet vetëm nga ushqimi i mirë dhe

Kur flitet për plakjen dhe jetesën e shëndetshme, shpesh dëgjojmë të njëjtin këshë: ushqehunimirë, bëni ushtrime çdo ditë dhe flini mjaftueshëm. Por një studim i ri tregon se për të pasur një jetë të gjatë dhe mirëqenie të plotë, kujdesi fizik nuk është i mjaftueshëm.

Sipas studiuesve, mirëqenia optimale tek të moshuarit përfshin: mbështetje shoqërore, mendime pozitive ndaj plakjes, shëndet të mirë fizik e mendor, lumturi, kënaqësi me jetën dhe aftësinë për të kryer aktivitetet e përditshme pa kufizime të mëdha.

“Studimi ynë me mbi 8,000 të moshuar tregoi se shumë prej atyre që nuk ishin në mirëqenie optimale në fillim, arritën ta rifitonin atë brenda vetëm tre vitesh,” tha Dr. Mabel Ho, autorja e parë e studimit. “Këto rezultate sfidojnë idenë se mirëqenia bie me moshën dhe tregojnë se ndryshimet pozitive janë të mundshme edhe më vonë në jetë.”

Studimi, botuar më 24 shtator në revistën PLOS One, përdori të dhënat nga Studimi Kanadez i Jetës gjatë Plakjes (Canadian Longitudinal Study on Aging).

Dr. Esme Fuller-Thomson, bashkautore e studimit, tha se “rezultatet japin shpresë për të moshuarit, kujdestarët dhe politikëbërësit, duke treguar se me mbështetje të duhur dhe zgjedhje të shëndetshme jetese, shumë të moshuar mund të rikthejnë një nivel të lartë mirëqenieje edhe pas periudhave të vështira.”

Në SHBA, më shumë se 1 në 5 njerëz do të jenë mbi 65 vjeç deri në vitin 2040, dhe rreth 60% e tyre do të kenë nevojë për kujdes afatgjatë. Ndërkohë, rreth 93% e të moshuarve amerikanë kanë të paktën një sëmundje kronike si sëmundje të zemrës apo diabet. Shumë prej këtyre gjendjeve mund të parandalohen me ndryshime në stilin e jetës.

Sipas Dr. Ho, “ata që kishin mirëqenie të fortë psikologjike dhe emocionale në fillim, kishin pesë herë më shumë gjasa të arrinin shëndet optimal në fund të studimit.” Ajo shtoi se marrëdhëniet mbështetëse, kushtet socioekonomike dhe zakonet e shëndetshme – si aktiviteti fizik i rregullt, mos pirja e duhanit dhe gjumi i mirë – ishin faktorë kyç.

Megjithatë, autorët theksojnë se rezultatet mund të mos vlejnë për të gjitha vendet, pasi studimi u zhvillua në Kanada, ku ekziston kujdes shëndetësor universal. “Nevojiten më shumë kërkime për të kuptuar se si të moshuarit në vende të tjera, përfshirë ato me të ardhura të ulëta e të mesme, e përjetojnë mirëqenien,” shtoi Ho.

Për një plakje të shëndetshme, tre faktorë fizikë janë thelbësorë: ushqimi, gjumi dhe aktiviteti fizik.
Por sipas ekspertëve, këto nuk janë të mjaftueshme nëse nuk trajtohen edhe ndjenjat e vetmisë dhe mungesës së lidhjeve shoqërore.

“Trupi dhe mendja janë të pandara. Nëse mendja nuk është në paqe, trupi nuk mund të jetë plotësisht i shëndetshëm,” tha Dr. Andrew Freeman, drejtor i parandalimit kardiovaskular në National Jewish Health në Denver.

Studimet kanë treguar se të rriturit mbi 50 vjeç që ndihen të vetmuar kanë 56% më shumë rrezik për goditje në tru. Gjithashtu, reduktimi i stresit dhe shoqërimi i shpeshtë ndihmojnë në përmirësimin e kujtesës tek personat me faza të hershme të Alzheimerit.

Dr. Fuller-Thomson shtoi: “Kultivimi i marrëdhënieve të forta shoqërore është pjesë thelbësore e mirëqenies. Ndryshime si ndërprerja e duhanit apo trajtimi i pagjumësisë mund të sjellin përmirësime domethënëse në shëndet.”

Asnjëherë nuk është vonë për të ndryshuar

Studiuesit theksojnë se është më e lehtë për të rinjtë të arrijnë mirëqenie optimale, por kjo nuk do të thotë se të moshuarit nuk mund ta bëjnë.

“Studimi ynë ndryshon narrativën e zakonshme,” tha Ho. “Tregon se mirëqenia në moshën e tretë nuk është statike. Shumë të moshuar mund të rimarrin shëndetin dhe lumturinë, edhe pas pengesave.”

Një mënyrë e thjeshtë për të filluar, sipas Dr. Joyce Oen-Hsiao nga Yale Medicine, është rritja e numrit të hapave çdo ditë:
“Nëse shkoni në dyqan, mos parkoni pranë hyrjes. Parkoni pak më larg, në mënyrë që të ecni më shumë dhe të qëndroni aktivë.”

Ekspertët bien dakord se asnjëherë nuk është vonë për të përmirësuar shëndetin mendor dhe fizik.

“Kur e vendos mendjen që do të përmirësohesh, që do të ndihesh më mirë dhe do të arrish qëllimet e tua, gjasat për t’i realizuar ato rriten ndjeshëm,” përfundoi Dr. Freeman./L.F-dritare.net