Na ndiqni edhe në

Shëndet

Çfarë ndodh me trupin tonë kur ecim 10,000 hapa çdo ditë, për një muaj

Çfarë ndodh me trupin tonë kur ecim 10,000 hapa çdo

Disa vite më parë, synimi prej 10,000 hapash në ditë ishte, kryesisht për brezat e rinj, vetëm një tjetër trend i TikTok-ut. Ata që kishin blerë orë inteligjente kishin një tjetër nxitje për t'i përdorur ato, duke vendosur një qëllim specifik dhe madje duke ecur në ambiente të mbyllura për ta arritur atë.

Shumë njerëz sot pyesin se cilat janë përfitimet e këtye ushtrimeve. E vërteta është se ky numër specifik u bë i popullarizuar në mesin e atyre që praktikojnë ecjen për shkak të një metri që u vendos në 1964-ën në Japoni dhe u quajt "metër 10,000 hapash". Sot, shkencëtarët pohojnë se 7.5 mijë hapa janë të mjaftueshëm për të qëndruar në formë, por nëse duam të ruajmë objektivin tonë origjinal, të përditshëm, përfitimet e tyre për trupin janë të shumëfishta.

Ky lloj ushtrimi forcon muskujt, veçanërisht në pjesën e poshtme të trupit, duke përmirësuar, ndër të tjera, qarkullimin e gjakut. Gjithashtu zvogëlon shanset për të përjetuar dhimbje shpine, ndërkohë që është mënyra ideale për t'u rikuperuar pas ushtrimeve shumë intensive.

Ecja fut në punë edhe zemrën, e cila stërvitet për të rrahur më pak herë në minutë, duke rritur shumë qëndrueshmërinë tonë. Sipas studimeve të kryera, ecja e përditshme ul ndjeshëm shanset për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare.

Ecja ushtron gjithashtu mushkëritë, të cilat zgjerohen, duke rezultuar në thithjen e oksigjenit dhe fitimin e energjisë. Për ish-duhanpirësit, ecja është ushtrimi ideal për t'u kthyer gradualisht në gjendjen fizike që kishin përpara se të fillonin këtë zakon të dëmshëm.

Ecja ka një efekt shumë domethënës edhe në shëndetin mendor, pasi gjatë stërvitjes trupi ynë sekreton endorfinë, hormone që përmirësojnë disponimin tonë dhe reduktojnë stresin. Ecja, për shkak të lehtësisë së saj, konsiderohet një ushtrim ideal për ata që vuajnë nga depresioni dhe çrregullimi i ankthit dhe që fillimisht duan të ushtrohen në mënyrën më të thjeshtë të mundshme, larg palestrave dhe aktiviteteve në grup.

Së fundi, studimet kanë treguar se ecja përmirëson kujtesën, ndërsa na ndihmon të mendojmë më qartë. Pra, në një muaj pas fillimit të këtij zakoni, shohim përmirësim të dukshëm në gjendjen tonë fizike, por edhe në humor.

Pra, edhe nëse nuk kemi kohë apo durim për të bërë kaq mijëra hapa çdo ditë, ia vlen të fillojmë me qëllime të vogla dhe gradualisht të rrisim distancat: trupi ynë së shpejti do të na falënderojë./K.C./dritare.net