
E vërteta e mjaltit të maresë. Superushqimi shqiptar që bota po zbulon!
Dritare.net
Në një prej cepave më të qetë dhe të izoluara të Shqipërisë, në fshatin piktoresk të Zhapokikës, rrethuar nga male, dritë dhe lule, gjendet një thesar natyror që pak njerëz e njohin: mjalti i maresë. Në shtëpinë e familjes Shehu, një traditë që zgjat prej 140 vjetësh vazhdon të ruhet me përkushtim dhe dashuri.
Bletaria në këtë familje nisi që nga stërgjyshi Abedin Shehu, i cili me vetëm pak koshere vendosi themelet e një trashëgimie që do të formonte ekonominë e brezave të tërë. “Në kohën e komunizmit, gjyshi im kishte rreth 40 koshere. Ishte burimi kryesor i të ardhurave. Me lekët nga mjalti u shkollua babai, halla, xhaxhallarët… e gjithë familja.",– rrëfen me krenari pasardhësi i kësaj tradite, Alekst Shehu, nipi i Abedinit.
Sot, familja Shehu zotëron rreth 100 koshere, dhe përveç prodhimit në Zhapokikë, ata ndjekin edhe një praktikë të hershme të nomadizmit: zhvendosin bletët në zona të tjera për të marrë mjaltë specifik. Kështu ndodh me mjaltin e maresë, i cili grumbullohet në Zhitom, një zonë rreth 20 km larg Beratit, ku bletët qëndrojnë nga fundi i tetorit deri në dhjetor.
“Është një mjalt i vështirë për t’u mbledhur, sepse është i stinës së ftohtë. Por pikërisht kjo e bën edhe të veçantë,” – thotë bletari, duke shtuar se sot kërkesa për këtë lloj mjalti ka kaluar çdo pritshmëri. “Ne kemi kërkesa për mbi 1000 kg në vit, por realisht prodhojmë vetëm 300-400 kg. Është më shumë kërkesa se sa mundësia.”
Çmimi? Në Shqipëri, mjalti i maresë shitet deri në 20-25 euro për kilogram, ndërsa në Itali kap vlerën 70 deri në 100 euro për kilogram. Sipas studimeve nga Spanja dhe Kroacia, ky mjaltë është i njohur për vetitë e tij kurative, sidomos për parandalimin e kancerit të zorrës së trashë.
“Shumë shqiptarë në emigrim më kontaktojnë çdo gusht për të porositur mjaltë. Kush e provon, nuk i ndahet më,” – tregon ai, duke renditur edhe mjalte të tjera të kërkuara si mjalti i lisit dhe i sherebelit, por mjalti i maresë qëndron në majën e vlerësimeve./K.C/dritare.net

















