

Viti 1936 duhet të ketë qenë një vit jointeresant për botën shqiptare. Shqipëria mezi mbahej nën sundimin e Ahmet Zogut, kurse Kosova vuante keq nën pushtimin serb. Ky vit, në rrafshin e ngjarjeve, mund të konsiderohet si vit pa histori. Por, ky vit do të regjistrohet në historinë tonë për një arsye tjetër: në këtë vit kanë lindur disa nga personalitetet më të rëndësishme të historisë, letërsisë dhe shkencës sonë kombëtare: Adem Demaçi, Ismail Kadare, Rexhep Qosja dhe Servet Pëllumbi. Bashkëmoshatarë të tyre jashtë viseve shqiptare janë: Vaclav Havel, Mario Vargas Llosa, Papa Francesku, Alex Miller etj.
Prof. Servet Pëllumbin e kam takuar në vitin 1993. Erdhi së bashku me Bashkim Zenelin në banesën time modeste në Gladbeck të Gjermanisë dhe qëndroi disa ditë. Udhëtonim çdo ditë nga Gladbecku për në Bonn për të realizuar takimet e tyre diplomatike. Që nga takimi i parë me Prof. Servetin krijuam një lidhje të veçantë shoqërore, që është ruajtur e freskët deri më sot. Ajo që ka ndikuar në ruajtjen e kësaj lidhjeje të ngushtë shoqërore është pasioni i përbashkët për shkencën politike, sociologjinë, filozofinë dhe politikën si praktikë.
Platoni ka shkruar se shteti do të qeverisej shumë më mirë nëse ai do të udhëhiqej nga filozofët. Sipas tij ata do të duhej të edukoheshin që në fëmijëri për qeverisje dhe do të merrnin pushtetin vetëm në moshën e pjekurisë, pasi të kenë dëshmuar këmbëngulësinë, pagabueshmërinë, vetëpërmbajtjen dhe ndjenjën e obligimit. Shteti ideal sipas tij do të krijohej atëherë kur ose sundimtari do të bëhej filozof ose pushteti do t’ju lihej filozofëve. Dialogu për drejtësinë e nxit një përfundim të tillë të Platonit. Filozofët e kuptojnë më mirë se secili barazinë dhe drejtësinë. Me këtë formulim Platoni nuk ju ka ndihmuar as shteteve dhe as filozofëve. Në praktikën shtetërore më së paku kanë sunduar filozofët. Pushtetarët gjithnjë kanë pasur frikë nga filozofët dhe i kanë shmangur ata. Kjo gjë është vërejtur nga Karl Popper, i cili shkruan për mungesën e të diturve në pushtet duke konstatuar se sundimtarët janë fare rrallë “moralisht ose në rrafshin intelektual mbi dhe më shpesh ata janë nën mesatare.” Pra, në praktikën shtetërore filozofët i kanë lënë të jenë afër pushtetit, por jo në pushtet; afër qeverisjes, por jo në qeverisje; afër vendimmarrjes, por jo në vendimmarrje. Mbi këtë bazë në shkencën politike bashkëkohore po zhvillohet një debat interesant në lidhje me epistokracinë (sundimin e të diturve).
Servet Pëllumbi është njëkohësisht filozof, sociolog dhe politikolog. Në të njëjtën kohë ai është politikan. Për ta pasqyruar veprën dhe punën e tij është një ndërmarrje jo e lehtë. Vepra e tij teorike është e gjithanshme, e vëllimshme dhe shumëdrejtimëshe. Politika si praktikë u bë pjesë e biografisë së tij pas vitit 1991. Dhe në veprimtarinë e tij praktike politike ai nuk është politikan i rëndomtë. Ai është i rrallë në botën shqiptare: nuk provokon, nuk e synon të vërtetën absolute dhe lë hapësirë për tjetrin. Kjo e bënë atë të pranueshëm edhe për kundërshtarët e ideve të tij. Raporti i tij me pushtetin është racional. Ai nuk e synon atë me çdo kusht. Ai e kupton politikën si mjet për të ndërtuar një shoqëri më të mirë, jo dëshirë për fuqi, pasuri dhe ndikim. Ai nuk synon pushtet ekzekutiv, vendos të mësyjë pushtetin legjislativ. Balancon, drejtpeshon dhe edukon. Ai asnjë herë nuk heqë dorë nga vetja e tij etike. Ai është profesori që dëshiron ta edukojë politikën, ai është filozofi që dëshiron të sjellë parime etike në politikë. Jo makiavelizmi, por konceptet etike kantiane janë orientimi i tij.
Në kohën kur hyn Servet Pëllumbi në politikë, shoqëria shqiptare është në proces transformimi. Vlerat shndërrohen, sistemi ndryshon, praktika politike pëson reformim rrënjësor. Ka rrezik që shoqëria të rrëshqasë në sistem apokaliptik: heqjes dorë nga çdo moral, nga çdo vlerë. Në rrethana të tilla shoqëritë kanë nevojë për filozofin, që mendon racionalisht, për sociologun që shpjegon teoritikisht dhe për politikanin që propozon zgjidhje pragmatiste. Dhe shoqëria shqiptare e ka filozofin, sociologun dhe politikanin e saj: Servet Pëllumbin. Ai nuk pajtohet që shoqëria shqiptare të zbresë në kaos. Ai pretendon sistem dhe përmbajtje mes vete.
Arkeologjia e dijes së Servet Pëllumbit është e shumanshme. Shkrimet e tij të para politologjike lëvizin në kontekst të teorisë komunitariste. Ai thërret për rikthimin e etikës në politikë. Metoda e tij shkencore është një fenomen i veçantë për t’u studiuar. Sistemi i të menduarit të tij politikologjik është diskursiv. Ky sistem i të menduarit e vë në qendër të persiatjeve të tij njeriun duke tentuar për të shmangur “veten nomad” (dmth veten autonom, të palidhur dhe të pandikuar nga tjetri) siç do të thoshte Fouceault.
Servet Pëllumbi pasqyron në mënyrën më të mirë tri kualitetet kryesore të një politikani racional të përshkruar nga Max Weberi: pasioni objektiv, ndjenja e përgjegjësisë dhe një gjykim i distancuar. Ai nuk karakterizohet me kotësinë, e cila e bënë politikanin të papërshtatshëm dhe të papërgjegjshëm. Ai është politikan i përgjegjshëm, që ndjek qëllime të larta, ai është politikan me etikë, që bazohet në veprimin e drejtë moral. Shkurt Servet Pëllumbi nuk është politikan që jeton prej politikës, por politikan që jeton për politikën.
Profesor Pëllumbi me veprën e tij politologjike dhe me veprimtarinë e tij praktike synon të rivendos “drejtpeshimin shpirtëror dhe moral të shoqërisë shqiptare.” Politikën dhe demokracinë ai i sheh si të pandara nga morali, për të evituar apokalipsin. Njësoj si një nga themeluesit e teorisë së komunitarizmit Amitai Etzioni Prof. Pëllumbi thërret me zë se “politika do moral”, se njerëzit duhet t’i rikthehen moralit. Ai mbron idenë se në shoqëritë bashkëkohore, shoqëritë e informacionit dhe globalizmit, “rolin përcaktues e prioritar për ekzistencën e gjinisë njerëzore, ka filluar ta ketë etika, morali, etikokracia.”
Dija e tij shkencore i afrohet lexuesit në një numër të madh veprash. Bosht i preokupimeve të tij shkencore janë tema të tilla filozofike, politikologjike dhe sociologjike si feja, marksizmi, demokracia, materializmi dhe idealizmi, tranzicioni, morali, pluralizmi politik, globalistika, etikokracia, integrimi dhe nacionalizmi dhe shumë e shumë të tjera. Lexuesi i vëmendshëm e ka të vështirë të saktësoj se cila është kryevepra e tij: “Fjalori i Filozofisë”, “Etikokracia”, “Edhe politika do moral” apo “Demokracia dhe zëri i moralit.”
Në vargun e shtjellimeve të tij teorike renditen edhe tema të tilla fare pak të trajtuara në rrafshin shkencore jo vetëm në botën shqiptare, por edhe në rrafshin ndërkombëtar. I tillë është trajtimi i tij në lidhje me mediat sociale. Ai synon një drejtpeshim në mes të ndikimit të tyre në zgjerimin e përmasave të lirisë, në njërën anë, dhe kufizimin e saj nga mundësitë që ju krijojnë ato shërbimeve sekrete, në anën tjetër. Duke e njohur si projekt të së ardhmes fuqinë e rrjeteve sociale, Prof. Pëllumbi thërret për kujdes nga jeta më tepër virtuale dhe lufta imagjinare në twitter dhe blogg-e të rrjeteve të tjera sociale dhe koncentrim në terrenin e botës reale, pasi që demokracia elektronike nuk mund ta zëvendësojë pjesëmarrjen e qytetarëve në drejtimin e shoqërisë dhe shtetit.
Në të njëjtën kohë Prof. Pëllumbi nuk heziton të mbajë qëndrim edhe për një numër temash të mendimit bashkëkohor politologjik: e kritikon Fukuyamën dhe tezën e tij për fundin e historisë, duke konstatuar se ky ishte një deduksion i pastër ideologjik, madje tepër euforik; shkruan se ka ardhur koha që Kina të heqë dorë nga loja me dy porta, duke pleduar për lejimin e plotë të pluralizmit dhe të demokracisë, heqjen e kufizimeve ndaj partive politike etj.; Krizën globale që filloi në vitin 2008 e konsideron si krizë të sistemit; dhe fton rishikimin e paradigmës neoliberale mbi lirinë absolute të tregut dhe zero kontrollit shtetëror mbi ekonominë.
Prof. Servet Pëllumbi hyn në kuadrin e mendimtarëve bashkëkohor që preferojnë modele reale ekzistuese shtetërore. Në kuadrin e tipologjisë së sociologut danez Gosta Esping-Andersen në mes të tri llojeve të shtetit të mirëqenies sociale (liberal, konservator dhe socialdemokratik), Profesori rekomandon sistemin socialdemokratik që e aplikojnë vendet nordike (Suedia, Norvegjia, Danimarka dhe Finlanda), të cilat sipas tij vazhdojnë të jenë ndër vendet më paqësore në botë dhe paraqesin modelin më të mirë të mirëqenies sociale. Shtetin nordik ai e kualifikon si mrekulli, e cila nuk është pasojë e fatit të mirë, por e politikave të mira ekonomike e sociale, e reformave të suksesshme sociale dhe e bërjes së shtetit më reagues dhe më eficient: “Në këto vende shteti është popullor jo pse është i madh, por sepse funksionon.”
Prof Pëllumbi nuk heziton të konstatojë se zhvillimi shoqëror bashkëkohor ka arritur në një cak në të cilin janë pjekur kushtet për një valë të katërt të demokracisë, atë të post demokracisë. Sipas tij në themelet e shoqërisë së ardhshme, ekonomikisht të zhvilluar dhe të aftë për të siguruar standarde të larta jetese për të gjithë, nuk ka për të qenë më pasuria, kapitali, toka, puna apo maksimalizimi i fitimeve, por truri, dija, informacioni dhe garantimi i përfitimeve sa më të mëdha për gjithë njerëzimin.
I kam lexuar pothuajse të gjitha librat e profesorit nëpër vite. U mundova të gjeja diçka për kritikë dhe nuk arrita dot. Pikëpamjet tona përputhen në pothuajse të gjitha rastet. Një çështje, për të cilën nuk jam i sigurt nëse e kam kuptuar drejt është formulimi i tij në librin “Integrimi dhe nacionalizmi”. Ai parasheh dobësimin e kombit homogjen ne procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Bashkimi i Gjermanisë në vitin 1990, referendumet në Holandë dhe Francë kundër Kushtetutës së BE në vitin 2005, zhvillimet e fundit në lidhje me Brexitin, dhe një frymë e përgjithshme rikthimi drejt vlerave kombëtare sidomos viteve të fundit është sinjal se droja për dobësimin e idesë së kombit është riforcuar sërish në një numër shoqërish evropiane. Ideja e kombit është ruajtur e freskët dhe është motor i fortë lëvizës i shoqërive edhe në ditët e sotme. Formulimi i Prof. Pëllumbit në këtë drejtim në lidhje me çështjen kombëtare shqiptare është intencional: “Bashkimi i vërtetë kombëtar, sipas mendimit tim, do të ndodhë kur kufijtë shndrrohen vetëm në një kujtim të largët të ndarjeve, pra në kufij të integruar: do të ndodh kur niveli ekonomik e kulturor do t‘ i lejojë njërit apo tjetrit shqiptar që të jetojë si i barabartë me të tjerët ku të dojë, në Kosovë, në Shqipëri, në Mal të Zi apo në Maqedoni, brenda një bashkimi ku po përpiqemi të gjithë të bëjmë pjesë, pra brenda BE-së.”
Servet Pëllumbi e ka ideal të tij Sokratin: një hero intelektual dhe për kohën njeriu më i ditur me moralin më të lartë. Sokrati nuk pati aspak frikë të përballej me vdekjen ne emër të dashurisë për të vërtetën. Martirizimi i Sokratit dhe dënimi i tij paraqet fazën fillestare të konfliktit midis politikës dhe filozofisë, pushtetit dhe moralit. Për fatin tonë të mirë Servet Pëllumbi nuk pati nevojë të sakrifikohet. Ai është Sokrati ynë, Sokrati i kohës sonë. Ai thërret njësoj si Sokrati për të vërtetën, për të drejtën, për të mirën. Ai na e projekton antimakiavelizmin për të ardhmen – etikokracinë – sundimin e etikës, e kuptuar si një sintezë e ligjërimit politik, me vlerësimin moral të veprimeve dhe pasojave të sjelljes njerëzore.
Kemi marrë së bashku pjesë nëpër Konferenca, kemi zhvilluar së bashku takime e takime dhe kemi debatuar shumë. E kemi festuar së bashku 100 Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë duke “u zënë peng” i mikpritjes së jashtëzakonshme të vlonjatëve. Ç’është e vërteta profesori më shpëtoi në nëntor të vitit 2012 nga sikleti i rregullave të dollive, të cilën nuk e mësova dot, përkundër dashurisë së madhe që kam për Vlorën si për Llapin, Ulqinin, Preshevën e Tetovën.
Duke përfunduar, më lejoni që të arrijë në një konstatim, të cilin, i ndërgjegjshëm për imperativin kategorik që kërkon detyra ime zyrtare prej diplomati të përgjegjshëm, që ka si primesë matjen e fjalëve, më duhet ta formuloj me kujdes. Pra, po i përzgjedh fjalët, duke mos synuar as hapjen e kutisë së pandorës dhe as ndeshjen me mullinjtë e erës, por duke shprehur një dëshirë në prag të Vitit të Ri 2017: do të dëshiroja shumë, që në parlamentet tona, në qeveritë tona, në bashkitë e komunat tona, në botën politike shqiptare të kishte shumë më shumë njerëz të ditur, filozofë, politikologë dhe sociologë si Servet Pëllumbi. Njerëz që jetojnë për politikën dhe jo vetëm prej politikës. Në këtë mënyrë do të humanizohej më shumë politika, do të trasohej më lehtë udha e së ardhmes dhe do të përparonte më shpejt kombi./dritare.net

















