Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Senati amerikan konfirmon Eric Wendt ambasador të SHBA-së në Shqipëri

Senati i Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar Gjeneral-Lejtnantin në pension Eric Wendt si ambasadorin e ri të SHBA-së në Shqipëri. Vendimi u mor me 50 vota pro dhe 44 kundër, ndërsa pritet vetëm firma formale e Presidentit amerikan Donald Trump, pasi Wendt ishte i nominuari i tij për këtë post.

Eric Wendt është një ushtarak i lartë amerikan në pension, me më shumë se 34 vite shërbim në ushtrinë amerikane, pjesa më e madhe e të cilave në forcat speciale amerikane “Green Berets”.

Gjatë karrierës së tij, Wendt ka mbajtur poste të rëndësishme, përfshirë atë të komandantit të Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, si dhe ka shërbyer në misione dhe detyra të rëndësishme në Lindjen e Mesme dhe në rajonin e Paqësorit.

Emërimi i tij në Tiranë vjen pas largimit të ish-ambasadores së SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, e cila përfundoi mandatin në qershor të vitit 2023.

Gjatë seancës dëgjimore në Senat më 20 maj, Wendt prezantoi prioritetet e tij për misionin diplomatik në Shqipëri. Ai theksoi se ndër çështjet kryesore do të jenë:

lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar;
forcimi i bashkëpunimit ushtarak mes Shqipërisë dhe SHBA-së;
rritja e sigurisë kibernetike;
krijimi i një klime më të favorshme për investimet amerikane.
Ambasadori i ardhshëm amerikan shprehu gjithashtu mbështetje për SPAK-un, duke e cilësuar një institucion të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas tij, puna e kësaj strukture është thelbësore për sa kohë ajo ruan pavarësinë dhe funksionon pa ndikime politike.

Me ardhjen e Eric Wendt në Tiranë, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara pritet të fokusohen më tej te siguria, mbrojtja, sundimi i ligjit dhe zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve./L.F-dritare.net