Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Reportazh/ Një ditë në fshatin e Rigonit “Made in Xherie”

Reportazh/ Një ditë në fshatin e Rigonit  “Made in
Nga Isa Myzyraj

Sapo mbërrin në Cërrik, të bie në sy Bashkia e re e ndërtuar pas ardhjes të kryetari të ri Altin Toska, i cili po na priste në zyrën e tij në katin e dytë të Bashkisë.

I Them që destinacioni i dritare.net është fshati Xherie në këtë Bashki dhe ai nuk heziton, por u bëhet për një ditë udhërrëfyesi ynë drejt fshatit që ndoshta pakkush më parë e ka njohur.

Lëmë pas fushat dhe së bashku me kryetarin, ngjitemi drejt një fshati të vendosur në faqet e disa kodrinave, të kthyera në toka bujqësore.

Sapo arrijmë në qendër të fshatit ajo që bie në sy menjëherë është një mbishkrim në murin përballë rrugës “Ju lutemi, kush voton është i paguar”. Në pamje të parë dukej sikur ishte shkruar nga disa persona të revoltuar nga politika e që mundohen t’i mbushin mendjen banorëve të tjerë të mos votojnë, por më vonë mësova se ai mbishkrim ishte shkruar në mënyrë të organizuar dhe me shumë mundësi me miratimin 100% të banorëve, dhe këtë e tregonte edhe pjesëmarrja në votimet e 25 qershorit, ku në Qendrën e Votimit 2593, pikërisht në fshatin Xherie, kanë votuar vetëm 24 persona nga 474 votues, dhe ky bojkot ishte bërë si shenjë proteste për rrugën e pashtruar të fshatit.

Pak më tutje zonjat e fshatit, së bashku me disa djem të rinj, sapo kishin mbaruar turnin e paradites të korrjes së rigonit, produkti made in Xherie, për të cilin fshati mban rekordin e prodhimit, plot 100 ton në vit.

Pse pikërisht rigoni dhe cila ishte jeta në këtë fshat 80 km larg Tiranës, që padyshim mund të quhet “fshati i rigonit”?!

Kryeplaku, Qemal Kokuja, tregon për dritare.net, se në fshat jetojnë rreth 900 banorë.

Ai shpjegon më tej, se në Xherie prodhohen në vit 100 ton rigon dhe 100% e familjeve të këtij fshatit merren me prodhimin e rigonit.

Madje ata e kanë bërë datën 14 korrik si festën e rigonit që nga ky sezon do të festohet çdo vit.

Së bashku me kryetarin Altin Toska, dhe disa banorë, nisemi drejt një parcele të mbjellë me rigon. Ndërsa udhëtonim me makinë ajo që binte në sy ishte se shumica e banorëve kishin motor, të cilët na shoqëronin. Kishin zgjedhur motorin si mjet përdorimi në fshat, sepse shtëpitë e tyre ndodheshin edhe me kilometra larg tokave të mbjella, të gjitha me rigon.

Arrijmë në një parcelë dhe gjejmë disa djem të rinj, shumica poshtë të 30-tave, që po korrnin rigonin që duhej bërë gati për tu shitur.

“Na bëj ndonjë foto”- më thanë, si për të treguar që nuk e kanë fare për turp punën që bëjnë, me të cilën jo thjesht ushqehen dhe mbajnë familjet, por edhe ia dalin aq mirë, sa nuk ka emigrim t’i joshë..

Haki Bullari, një zotëri rreth të 60-tave, fillon dhe tregon se në të gjithë fshatin janë të mbjella plot 80 hektarë tokë me rigon, por që nga viti në vit ata shtojnë prodhimin për shkak të kërkesës së madhe.

Ai tregon se rigoni në fshatin e tyre ka nisur të mbillet para 10 vitesh , në një sasi të vogël, por duke parë që çmimi i saj dhe kërkesa ishte e lartë, vendosën të mos merreshin me asgjë tjetër. Shitën bagëtitë, pezulluan të gjitha prodhimet tjera dhe u mobilizuan të gjithë duke mbjellë rigonin.

Bullari vazhdon duke thënë për dritare.net se kjo bimë është mjaft e lehtë për t’ia nxjerrë fitimin sepse e veçanta e saj është se mbillet vetëm një herë, dhe për 7 vitet e ardhshme ajo riprodhohet vetvetiu, çka është shumë më ndryshe se misri, për shembull, që duhet punuar toka dhe hedhur fara çdo vit.

Pas mbjelljes së rigonit ata presin që të vijë korriku që ta korrin, e më pas ta thajnë, ta rrahin me shkopinj për mungesë makinerie e më pas ta bëjnë gati për ta shitur, që edhe për shitjen nuk e kanë aspak të vështirë, sepse kompanitë e huaja, me të cilët kanë lidhur kontratë, vijnë dhe ua marrin në shtëpitë e tyre.

Pasi qëndrojmë disa minuta tek parcela të gjithë bashkë i drejtohemi fshatit, në qendër të tij tanimë janë mbledhur gjithë fshatarët, që të sjellin në mendje fotografi të së shkuarës. Por në fakt ata edhe pse ngjan sikur vijnë nga e shkuara, janë shqiptarët e së ardhmes. E ardhmja ka ardhur shpejt në Fshatin e Rigonit.

Marigleni 30-vjeçar dukej sikur është organizatori i fshatit dhe që koordinon punët. Ai madje ka bërë edhe një shpikje të tijën që edhe pse pa patentë, për zonën është një mrekulli.

Marigleni ka krijuar me mjete rrethanore, një makineri që pastron rigonin duke shkurtuar një proces të gjate pune me dorë.

Ajo që bie në sy në atë fshat kodrinor ishin shtëpitë. Të larguara nga njëra-tjetra në një distancë të vogël, 90% e tyre ishin vila të bëra kohët e fundit ose në ndërtim e sipër, gjë që tregonte se ata banorë as e kishin në mend të largoheshin ndonjëherë nga fshati i tyre.

Në një kohë kur qendrat rurale janë zhvendosur nëpër qytete të urbanizuara e betonizuara ata e “kishin vënë jetën për fije” dhe e dinin se rigonin që prodhonin nuk do i linte kurrë në baltë.

Kryeplaku i fshatit tregon për dritare.net se të ardhurat nga shitja e rigonit ishin mjaft të larta. Vetëm në 2016-tën fshati i tyre kishte përfituar plot 300 milion lekë të vjetra, vetëm nga shitja e rigonit te jë kompani. Por ata bashkëpunojnë edhe me 4 kompani të tjera.

Teksa bëj llogaritë, nuk mund të rri pa e pyetur si me të qeshur Qamilin se çfarë bëjnë me ato të para, që për hir të së vërtetës nuk janë pak, për 150 familje. Ai fillon duke treguar se me ato para ata kishin ndërtuar pothuajse të gjithë shtëpitë e tyre dhe jetonin normalisht e pothuajse asnjë familje nuk kishte probleme financiare.

Duke biseduar e duke ngrënë mjaltë e pirë dhallë, mësojmë se aty prodhohet edhe ulliri, edhe pse jo me sasi të mëdha, por ulliri ishte një bimë tjetër me shumë perspektivë në këtë fshat.

Ngrihemi nga aty, për të ecur drejt qendrës së fshatit ku burrat, gratë, fëmijët dhe të rinjtë ishin mbledhur bashkë dhe po rrinin nën hijen e pemëve në atë drekë përvëluese.

Ata kanë merak të thonë se vërtet fshati është mirë dhe mban veten, por ama edhe shteti të kthejë kokën për rrugën e fshatit, 11 km e pashtruar, deri në Cërrik, për ujin i pijshëm, që nuk ia dinë shijen dhe sidomos, e këtë kanë kryesoren, rikonstruksionin e shkollës së shkatërruar.

Sepse fshati që frymëzon fshatra të tërë, si të jetojnë, nuk ndihmon do të fëmijët e vet, të mësojnë./dritare.net

[caption id="attachment_222931" align="alignnone" width="534"] Gazetari- Isa Myzyraj[/caption]