Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama për CNN Türk: Samiti i NATO-s forcoi unitetin e krahut evropian, marrëdhëniet me Erdoganin janë vëllazërore

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë ekskluzive për CNN Türk, ka komentuar Samitin e NATO-s të zhvilluar në Turqi, marrëdhëniet shqiptaro-turke, bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe situatën në Ballkan.

Rama tha se samiti riafirmoi vendosmërinë e krahut evropian të NATO-s për të ndërtuar një strukturë të fortë ushtarake dhe për t’iu përgjigjur kërcënimeve përmes modernizimit të ushtrive dhe bashkimit të kapaciteteve.

“Unë nuk mendoj se ka një vendim të vetëm më të rëndësishëm se të tjerët. Në përgjithësi, samiti ishte një konfirmim se krahu europian i NATO-s po ndërton një strukturë shumë të fuqishme ushtarake dhe se aleatët janë të vendosur t’u përgjigjen kërcënimeve dhe sfidave duke modernizuar ushtritë e tyre dhe duke bashkuar forcat”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi gjithashtu organizimin e Samitit të NATO-s nga Turqia, duke theksuar mikpritjen dhe fuqinë e treguar nga vendi pritës.

“Të gjithë u impresionuan nga organizimi, nga të gjitha elementet e mikpritjes dhe nga forca që u shfaq përmes këtij organizimi”, tha Rama.

Duke folur për marrëdhënien me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, Rama e cilësoi atë si një marrëdhënie “vëllazërore”, ndërsa theksoi se partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe Turqisë mund të zhvillohet edhe më tej.

Ai tha se Erdoğan ka një interes të veçantë për Ballkanin dhe se roli i Turqisë është i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Rama tha gjithashtu se Shqipëria do të presë samitin e ardhshëm të NATO-s dhe se Tirana është e hapur për të zgjeruar bashkëpunimin me kompanitë turke në industrinë e mbrojtjes.

Kryeministri shqiptar komentoi edhe marrëdhënien mes Erdoğan dhe presidentit amerikan Donald Trump, duke thënë se mes tyre ekziston një lidhje e veçantë.

“Është e qartë se mes tyre ka një lidhje shumë të veçantë. Presidenti Trump e ka shprehur disa herë respektin e tij për presidentin Erdoğan dhe ka folur për të me fjalë shumë pozitive”, deklaroi Rama.