Rama: Mbylljen e kapitujve me BE-në e nisim para fundit të vitit!
Dritare.net

Mbyllja e kapitujve të parë të negociatave me Bashkimin Europian përpara fundit të vitit është objektivi i radhës për Shqipërinë. Në konferencën e përbashkët me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministri Edi Rama tha se qeveria po përgatitet për këtë hap, me synimin që gjatë vitit të ardhshëm të mbyllë një pjesë të konsiderueshme të kapitujve. Ai vlerësoi edhe Planin e Rritjes si një mbështetje që i mundëson rajonit të përfitojë nga integrimi gradual, pa pritur përfundimin e procesit të anëtarësimit.
“Edhe këtë herë, në vizitën në Tiranë të presidentes dhe delegacionit të saj, ka shumë përmbajtje pozitive në raport me objektivat e përbashkët që kemi. Unë dua të konfirmoj edhe një herë, edhe publikisht, vullnetin tonë të hekurt për të çuar përpara të gjitha punët e një procesi që tanimë ka hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve. Përgatitemi për të nisur me mbylljen e kapitujve para fundit të vitit dhe pastaj për të vijuar vitin e ardhshëm me një pjesë të konsiderueshme të kapitujve.
Dua të them se më vjen shumë mirë që edhe në një program të posaçëm të kësaj periudhe, që është programi i Planit të Rritjes, ne kemi arritur të kapim disa objektiva ambiciozë. Plani i Rritjes është një nga risitë e mandatit të saj të dytë, një risi që për rajonin ka ardhur si mbështetje e madhe, jo thjesht në aspektin financiar, por në aspektin e atij që quhet një integrim gradual, pa pritur që gjithçka të vijë në fund të procesit", tha Rama. /K.C/dritare.net