Rama mbledh deputetët dhe qeverinë, në fokus organizimi i ri i PS-së dhe ndryshimet në kabinet
Dritare.net

Kryeministri dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, do të zhvillojë sot një takim me deputetët socialistë dhe anëtarët e kabinetit qeveritar. Mbledhja është parashikuar të nisë në orën 10:00 dhe do të mbahet në Pallatin e Brigadave.
Një nga çështjet kryesore që pritet të diskutohet është mënyra e re e organizimit të socialistëve në terren, e njohur si “Prania Besnike”. Kjo qasje synon të forcojë kontaktin e vazhdueshëm të deputetëve, drejtuesve politikë dhe strukturave lokale me qytetarët.
Përmes kësaj skeme, synohet që shqetësimet dhe problemet e komuniteteve të identifikohen më shpejt dhe të ndiqen nga afër nga përfaqësuesit politikë.
Në mbledhje pritet të ketë gjithashtu diskutime për përbërjen e qeverisë. Nuk përjashtohet mundësia që Rama të bëjë të ditura ndryshime në kabinet, një praktikë që e ka ndjekur edhe më herët gjatë takimeve të përbashkëta me deputetët dhe ministrat.
Një ditë para mbledhjes së sotme u zhvillua edhe takimi i parë i qeverisë për sezonin e ri politik. Gjatë tij u bë e ditur dorëheqja e ministres së Shëndetësisë, Evis Sala, pas rreth një viti në këtë post.
Takimi i sotëm pritet të japë më shumë qartësi si për organizimin e Partisë Socialiste në terren, ashtu edhe për të ardhmen e kabinetit qeveritar./L.F-dritare.net