Edi Rama: Policia e Shtetit nën sulmin e gurëve dhe sulmin e ekraneve!
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka akuzuar një pjesë të të rinjve që marrin pjesë në protestat e dhunshme se janë të ideologjizuar dhe të ekstremizuar nga fryma e lëvizjes Antifa. Gjatë deklaratës së tij, Rama u shpreh se këta të rinj janë bërë pengje të një ideologjie që, sipas tij, synon të përmbysë gjithçka, duke theksuar se kjo nuk do të thotë se ata janë terroristë.
Kreu i qeverisë deklaroi se, pavarësisht se mes protestuesve ka studentë dhe nxënës, një pjesë e tyre, sipas tij, janë ndikuar nga ide të përhapura në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rama iu referua gjithashtu qëndrimit të presidentit amerikan Donald Trump ndaj Antifa-s.
“Kjo nuk do të thotë që vajzat dhe djemtë që mendojnë se jeta është TikTok dhe se me TikTok dhe pa lidhur dot shtatë fjalë bashkë mund ta bëjnë Shqipërinë më të mirë, janë terroristë. Aspak! Janë studentë dhe studente? Po, patjetër. Janë nxënës dhe nxënëse? Po, patjetër. Por janë pengje të një fryme, të një ideologjie të re, e cila ka vetëm një mision: shkatërro, ktheje të gjithën përmbys, rrëno gjithçka. Bëje rrafsh se do ta fillojmë nga e para”, u shpreh Rama.
Kryeministri i krahasoi zhvillimet e fundit me periudha të vështira të historisë së Shqipërisë, duke paralajmëruar për pasojat që, sipas tij, mund të sjellë ideja e shkatërrimit të institucioneve për të nisur gjithçka nga e para.
Gjatë fjalës së tij, Rama e cilësoi situatën si një “fatkeqësi kombëtare”, duke dënuar sulmet me gurë ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit. Ai kritikoi gjithashtu, sipas tij, sulmet ndaj efektivëve në hapësirën publike dhe në media.
“Unë do ta quaj një fatkeqësi kombëtare sot që forcat e Policisë, që djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë dhe, mbi të gjitha, të gjithë ju nën uniformë që jeni aty për të mbrojtur shtetin, jeni jo vetëm nën sulmin e gurëve, por jeni edhe nën sulmin e ekraneve”, deklaroi kryeministri.
Rama pretendoi se situata të ngjashme po ndodhin edhe në vende të tjera europiane, duke përmendur Francën, Italinë, Portugalinë dhe Belgjikën. Ai kritikoi partitë politike që, sipas tij, mbështesin dhunuesit dhe nuk distancohen nga aktet e dhunshme ndaj institucioneve.