Na ndiqni edhe në

Editorial

Protesta si qar i Ramës dhe Berishës

Nga Dritan Hila

Para tetë vitesh, një grup personazhesh emergjente në politikë (pak a shumë janë po ata që bëjnë protestat e përnatshme në bulevard apo rrjetet sociale), dhe qejflinj politike, bënin në Facebook qeverinë ideale, duke i caktuar njëri-tjetrit poste ministrash. Deri këtu asgjë e keqe, madje zbavitëse. Spartak Ngjela, me sensin e tij të autoironisë, për të stigmatizuar këtë fenomen thoshte se në Spaç edhe unë jam bërë tre herë kryeministër në qeveritë që bënim në burg.

Protesta që po mbyll muajin e katërt mesa duket është një masturbim mendor i ngjashëm me historitë e të shkuarës. Edhe këtë radhë protestuesit kishin filluar ndanin postet dhe drejtoritë, çka tregon që nocioni i tyre sesi merret pushteti e mbahet shteti është përtej fëminores. Dhe duke parë kualitetin që është në shesh, nuk është çudi.

Nisja e protestës pati në fillim një pjesëmarrje të larmishme ku nuk mungonin edhe njerëzit e mërzitur nga shumë faktorë të pushtetit. Mirëpo zmalti ra shpejt dhe pjesa e shëndoshë u tërhoq. Ata që prisnin të shfaqej Mesia, profeti që do shkatërronte këtë klasë politike, partia dhe intelektualët të cilët do ishin pa emër por me aureolën e të dërguarit të Zotit nuk dolën. Shqiptarët që mendojnë se një dorë e fshehtë, okulte, do t’i përmbyste politikanët e sotëm, nuk u shfaq. Pas rënies së zmaltit, avash-avash, tani kanë mbetur vetëm teneqet e saj të cilat sulmojnë njerëzit në rrugë, në rrjetet sociale dhe natyrisht vënë edhe gjoba.

Nga protesta janë tërhequr jo vetëm ata që kanë një formim logjik, por edhe shtresa e mesme, biznesmenët e vegjël dhe të mesëm, njerëz që veprojnë të programuar, pasi panë që nga sheshi nuk po dilte asnjë projekt, përkundrazi, me kalimin e ditëve u mbizotërua nga njerëz banalë. Dhe sot, në muajin e katërt, kanë mbetur një grusht njerëzish që nuk përbëjnë më as lajm, përveçse për kanalet qe nuk kanë të paguajnë punonjësit dhe mbushin programacionin duke ngulur kamerat në bulevard.

Në fakt ky është shërbimi më i madh që po i bëjnë Ramës, por edhe Berishës. Mjafton të ndjekësh një ditë atë zallamahi mendjesh e fjalimesh, dhe çdokush bindet se ende opsioni më i mirë për të hedhur votën, mbetet PS ose PD. Ndaj edhe të dy udhëheqësit ndihen të qetë në monopolet e tyre, madje duket se e stimulojnë atë për ta mbajtur të ndezur, si për t’u thënë njerëzve që ikja e tyre do sjellë këtë amalgamë tekahytësh. E tepron nganjëherë Rama kur tallet dhe hap fjalë që do dorëhiqet, çka bën që në çetën e protestës të hyjë sherri i posteve dhe të nesërmen kur shpresa shuhet, të fillojnë të ëndërrojnë prapë për qeverinë e radhës. Por fundja të papunë janë dhe kjo është një kalim kohe më e mirë se të vrasësh miza, zanat që shumica e tyre e ushtrojnë qysh në shkollën tetëvjeçare./dritare.net