
Damian Gjiknuri: Opozita do të bllokojë procesin, këmbëngul te koalicionet!
Dritare.net
Pas mbledhjes së Këshillit Politik, në një deklaratë për mediat, përfaqësuesi i PS në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri, tha se PD-LSI nuk heqin dorë nga kërkesa për të mos ndryshuar sistemin aktual të koalicioneve, dhe kjo është pika që i ndan palët.
"Fatkeqësisht opozita jashtë parlamentit ndodhet në qëndrimet bllokuese për të bllokuar kushtetutën apo implementimin bazuar te 2-3 kërkesat e saj të natyrës politike. Amendimet kushtetuese, por edhe ata nuk japin asnjë argument, përtej kushtit që koalicionet të jenë sikur janë dhe asgjë tjetër. Por amendimet nuk pengojnë hapjen e listave 100% dhe as koalicionet parazgjedhore. PD-ja ka thjesht qëllimin e bllokimit për të mos e bërë të mundur këtë arritje.
Ata thonë se shqetësimi i tyre nuk është hapja e listave, por kanë cështjen e koalicioneve, u kemi thënë të zgjedhin një model si paraqiten në vendet që kanë proporcional rajonal. Koalicionet rregullohen në kod, le të marrim një model. Ne jemi dakord, cdo vend i hapësirës së OSBE-së, që ka këtë sistem, le të zgjedhin formulën.
Parlamenti nuk ka bërë asnjë gabim, e gjithë procedura është në rregull, edhe referuar shqetësimeve për frikën si ishte shkruar dispozita, do të thotë se parlamenti ka reflektuar, por hajde të gjejmë modelin. Fleta e votimit është problem teknik, këtu kemi problemin principal, koalicion sipas një modeli të vendeve të OSBE-së" tha Gjiknuri./L.F-dritare.net

















