Policia shoqëron disa protestues, mes tyre edhe Dritan Goxhaj!
Dritare.net

Protesta u zhvendos këtë të martë para parlamentit. Me thirrjet “Ju erdhi fundi” dhe “parlamenti i krimit” një grup qytetarësh u mblodhën jashtë Kuvendit në nisje të seancës plenare. Për të mos u përballur me protestuesit, një pjesë e ligjvënësve hynë në Kuvend përpara orës 10:00. Ndërsa disa të tjera nuk shpëtuan dot irritimit të protestuesve.
Organizatorët i kishin furnizuar protestuesit edhe me vezë, të cilat i përdorën për të sulmuar makinat që dilnin nga Kuvendi. Policia krijoi një kordon për të shmangur përplasjet e ministrave ose deputetëve në hyrje-daljet e Kuvendit, ndërsa kjo solli për pak çaste tensione mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Por sulmet me vezë nuk u ndalën. Ndërsa dukej se situata ishte qetësuar, protestuesit lëshuan sërish vezë në drejtim të makinës së deputetit Erion Braçe. Ky moment solli ndërhyrjen e forcave të policisë, të cilët shoqëruan disa protestues, mes tyre ish-luftëtarin e UÇK-së, Dritan Goxhaj. Ky i fundit ishte i pari që lexoi kërkesat drejtuar qeverisë Rama nga protesta poshtë Kryeministrisë.
Nga protesta, qytetarët janë nisur në drejtim të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku janë dërguar protestuesit e shoqëruar.