Fëmijë oligarku! Tensione mes Bidos e Muçit!
Dritare.net

Ardit Bido akuzoi deputetin e Lëvizjes Bashkë, Redi Muçin se është një fëmijë oligarku që flet për të majtën e popullit kur familja e tij ka toka në Arameras dhe ka zaptuar oborrin e shkollës “Koto Hoxhi” në Gjirokastër.
“Të dëgjosh sot në parlamentin që të citohet komunizmi, marksistët, si pa të keq, për mua është mungesë respekti. Aq më tepër kur kjo vjen me hipokrizi, vjen nga një fëmijë oligarku që na flet sot për të majtën dhe popullin. Nëse Muçi dëshiron të jetë i sinqertë, unë e ftoj që 3.3% që familja e tij ka në Arameras, në zonë të mbrojtur, t’ua falë familjeve në nevojë dhe pastaj të vijë e të flasë si për të majtën, ashtu edhe për zonat e mbrojtura, ose hajde shkojmë në protestë, pavarësisht se unë jam pro ndërtimit. Nëse Muçi është i sinqertë dhe pro arsimit, në oborrin e shkollës “Koto Hoxhi” në Gjirokastër, të shembet godina ku do të jeni trashëgimtarë dhe t’i kthehet shkollës. Kujdes çfarë shkruani sepse Muçi ka shkruar që falë mbështetjes financiare të prindërve të tij, “pa të cilën edhe unë do të detyrohesha që ta siguroja jetesën si inxhinier ndërtimi si qindra kolegë e ish-studentë.” Të siguroj që s’është turp, turp është ta sigurosh jetën si përdredhës politik sepse përdredhja politike është turp, puna si inxhinier, jo”, tha Bido.
Redi Muçi sfidoi deputetët që nëse e konstatojnë akuzën, të vënë në lëvizje organet kompetente, ndërsa tha se deklarata është “salcë për sufllaqet e patronazhistëve.”
“Ardit Bido dhe deputetët e tjerë nëse konstatojnë një shkelje të një oborri shkolle, ndërtim në zonë të mbrojtur duhet të vënë në lëvizje organet kompetente për ta ndëshkuar, por nuk e bëjnë. Kjo që sapo dëgjuam është salca e radhës që u hidhet sufllaqeve të patronazhistëve që pasi e bluajnë, e nxjerrin me komente në rrjetet e mia sociale. Bido, çoji selam pashait tënd të vogël se unë për ato salcat që gatuani ju natën vonë, s’dua t’ia di fare! Sa më shumë gatuani ju, aq më shumë neveritemi! Kjo baltë që më hidhni jo që s’më bën pis, por më tregon që puna që kam bërë deri tani, është puna që duhet të vazhdoj të bëj”, tha Muçi.
