Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

PISA 2025/ Kosova mbetet në fund të renditjes, bie rezultati në matematikë

Rezultatet e testit PISA 2025 tregojnë se performanca e nxënësve 15-vjeçarë në Kosovë vijon të mbetet në nivele të ulëta, ndërsa në matematikë është shënuar një rënie krahasuar me vitin 2022.

Në edicionin e vitit 2025 morën pjesë 6,632 nxënës nga 213 shkolla të Kosovës. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, nxënësit kosovarë kanë marrë mesatarisht 357 pikë në shkencë, 340 pikë në lexim dhe 350 pikë në matematikë.

Në shkencë, rezultati ka mbetur i pandryshuar krahasuar me PISA 2022, ndërsa në lexim ka një rënie të lehtë, nga 342 në 340 pikë. Rënia më e dukshme është regjistruar në matematikë, ku rezultati ka zbritur me 5 pikë, nga 355 në 350.

Megjithatë, rezultatet e Kosovës mbeten dukshëm nën mesataren e vendeve të OECD-së në treguesit kryesorë të vlerësimit.

Një nga gjetjet e raportit është edhe performanca më e mirë e vajzave në shkencë dhe lexim. Në shkencë, vajzat kanë marrë mesatarisht 366 pikë, kundrejt 347 pikëve të djemve. Në lexim diferenca është edhe më e madhe, me 358 pikë për vajzat dhe 322 për djemtë. Në matematikë, rezultatet janë pothuajse të barabarta: 351 pikë për vajzat dhe 350 për djemtë.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se një pjesë e madhe e nxënësve nuk arrijnë nivelin bazë të aftësive të përcaktuar nga PISA. Vetëm rreth 21% e nxënësve në Kosovë kanë arritur të paktën Nivelin 2 në shkencë, ndërsa në matematikë kjo përqindje është rreth 15%, dhe në lexim rreth 16%.

Raporti rekomandon përmirësimin e cilësisë së të nxënit, si dhe një përdorim më efektiv të teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale në arsim, veçanërisht për kërkim, analizë, verifikim dhe krijim të pavarur të njohurive.

Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se rezultatet do të analizohen në detaje dhe do të shërbejnë si referencë për hartimin e Strategjisë së re të Arsimit dhe për ndërhyrje të mëtejshme në sistem.

Në renditjen ndërkombëtare të PISA 2025, Kina, Singapori dhe Japonia janë ndër vendet me rezultatet më të larta.

Rezultatet e reja rikthejnë në vëmendje sfidat me të cilat përballet sistemi arsimor në Kosovë, veçanërisht në matematikë dhe lexim, ku numri i nxënësve që arrijnë nivelet bazë të kompetencave mbetet shumë i ulët./L.F-dritare.net