Peisazhistët më të mirë shqiptarë, sjellin “Plein air” te Muzeu Historik
Dritare.net
Nga Dritare.net
Artistët e "Plein Air” kanë prezantuar 60 vepra, piktura të cilat tregojnë peisazhin e Shqipërisë. Janë një kujtesë e disa prej vendeve më të bukura e shpesh herë të paprekura nga pena e piktorëve. 12 peisazhistët më të mirë të Shqipërisë çelën të premten ekspozitën “Plein Air 2”, me qëllim prezantimin e tablove me peisazhin shqiptar. Ekspozita është e hapur për publikun në sallën e ekspozitave të Muzeut Historik Kombëtar.
“Plein Air” prezantohet për publikun pas edicionit të parë të prezantuar në vitin 2015 nga të njëjtët piktorë. Ata janë ndër emrat më të famshëm në botën e artit, Kujtim Buza, Qamil Prizreni, Buron Kaceli, Xheneta Kadillari, Nikolin Ivanaj, Pashk Përvathi, Sadik Kasa, Sefedin Stafa, Agron Polovina, Agron Dine, Arsen Kurti dhe Vangjo Vasili. Janë artistë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe kjo shpërndarje gjeografike i ka bërë mirë edhe zgjerimit të motiveve të ekspozitës.
Një ekspozitë, e cila të bën të ndjehesh një me natyrën, ajo është e paprekur, larg metropoleve të zhurmshme. Piktura që mishërojnë emocione, ngjyra, e dinamikë qetësuese.
Kuratori i ekspozitës, piktori Pashk Përvathi në një intervistë për dritare.net, tregon mbi ekspozitën edhe artistët.
Dritare.net- Si lindi ideja deri në grupimin e 12 peisazhistëve më të mirë në Shqipëri?
Pashk Përvathi- Prej kohesh më rrinte në mendje ideja për të pasur një organizim në grup të peisazhistëve më të njohur të vendit. Nuk u mendova dy herë por i telefonova piktorit të njohur peisazhist Sadik Kasës për t’i propozuar idenë time. Atij i pëlqeu shumë.
Në ditët që pasuan solla në mendje emra të sprovuar, pika të statutit të ri dhe emrin për të pagëzuar grupimin tonë të ri. Takimin përmbyllës bashkë me Sadikun e bëmë në studion e piktorit Buron Kaceli. Edhe Buroni e kishte përqafuar idenë tonë për grupimin. Të tre sëbashku propozuam emra për ta finalizuar në numrin 12 të anëtarëve pjesëmarrës. Edhe propozimi im për emrin “Plein Air”, pati miratim të menjëhershëm. Avokati Margit Haxhihyseni përgatiti materialin dhe mbas disa ditësh ishim të regjistruar edhe në gjykatë si grupimi “Plein Air”. Në fillim të muajit maj, bëmë mbledhjen e parë të grupit duke zgjedhur Kujtim Buzen President nderi, Buron Kacelin kryetar te grupimit dhe mua në detyrën e sekretarit. Nga kjo ditë mori rrugëtimin e tij grupimi i ri Plein Air me peisazhistët më të njohur të vendit.
Dritare.net- Është grupi i hapur për peisazhistët aspirantë dhe çfarë cilësish duhet të kenë ata për tu bërë pjesë e 12 piktorëve më të mirë për sa i përket zhanrit të pesazhit?
Pashk Përvathi- Grupi ynë nuk është i mbyllur. Përkundrazi unë mendoj se do të ketë edhe emra të tjerë në vitet e ardhshme. Ne kemi një pikë të statutit që kërkon për pranimet e reja të gjitha votat e anëtareve pjesëmarrës. Unë mendoj se do të ketë peisazhistë që do t’i marrin të gjitha këto vota miratuese për anëtar të grupimit tonë.
Dritare.net- Përsë quheni “Artistët e Plein Air”?
Pashk Përvathi- Termi “Plein Air” vjen nga impresionistët francez dhe nga shkolla e Barbizonit. Të pikturosh në qiell të hapur dhe ajër të bollshëm. Në vitin 1860 Klod Mane, Pisaro, Sislei e të tjerë, pikturonin në natyre impresione të mëngjesit, ditës me diell dhe të mbremjes. Klod Mane për të fiksuar një moment të ditës pikturonte të njëjtin motiv deri në 60 seanca. Këtu shënohet dhe ndarja nga romatizmi dhe fillimi i impresionizmit.
Në Shqipëri kemi eksperiencën e Vangjush Mios , një impresionist që pikturonte në plein air. Edhe ne duam ta respektojme këtë vlerë dhe metodë krijuese që vazhdon të mbetet e dashur për publikun artdashës. Sot plenerizmi ka marre një zhvillim të madh veçanërisht në SHBA.
Dritare.net- Cilat janë disa prej qyteteve të Shqipërisë që janë hedhur në telajo?
Pashk Përvathi- Dy vitet e fundit kemi pasur një aktivitet të ngjeshur krijues. Këtu duhet përmendur Instituti i Librit dhe Promocionit që ka organizuar 40 koloni artistike në trevat shqiptare, brenda dhe jashtë Shqiperisë. Edhe anëtarët e grupit “Plein Air” kanë marrë pjesë në këto koloni duke pasqyruar në tablotë e tyre viset më të bukura shqiptare. Në telajot e tyre është e gjithë Shqipëria nga Veriu në Jug.
Dritare.net- Çfarë ndryshon nga Plein Air i një viti më parë, me Plein Air 2?
Pashk Përvathi- Plein Air i sivjetshëm ka ndryshuar nga viti i kaluar cilesine. Kjo është një ekspozite më e plotë dhe me kualitet më të lartë. Piktorët pjesëmarrës janë miq me njëri-tjetrin, por njëherazi edhe në një garë të “heshtur”. Kjo i ka bërë mirë cilësisë së ekspozitës. Edhe paspartimi në korniza ka qenë më mire se vitin e kaluar. Përveç saj është botuar një katalog luksoz me të gjitha punimet e ekspozitës, si një kartvizitë e mirë jona.
Dritare.net- A mendoni se do të jetë jetëgjatë metoda krijuese e “Plein Air”?
Pashk Përvathi- Këtu unë nuk kam as dyshimin më të vogël për jetëgjatësinë e kësaj metode krijuese. E them këtë sepse kanë kaluar 150 vjet nga krijimet e para dhe akoma vazhdon të krijohet në ritme të larta sipas kësaj metode, ndërkohë që kanë lindur rryma të tjera artistike që me kalimin e viteve janë harruar ose përdoren shumë pak. Plenerizmi ka adhurues dhe konsumatorë të shumtë që janë garancia e jetëgjatësisë së tij. Eshte art që konsumohet.
Dritare.net- Do të mbeteni vetëm në ekspoziten vjetore apo do ta zgjeroni aktivitetin e “Plein Air”?
Pashk Përvathi- Aktiviteti ynë nuk do mbetet vetëm në ekspozitën vjetore të fundvitit. Ne po mendojmë për një ekspozitë të përhershme në pranverë dhe ekspozita shëtitëse në qytete të ndryshme të vendit. Na janë bërë oferta edhe per ekspozime jashtë vendit të cilat po i mendojmë dhe do të vendosim bashkarisht me anëtaret e grupimit./ dritare.net