Na ndiqni edhe në

Ora e Gallatës

Zbulohet roli i Metës për të nxjerrë Bashën nga godina e PD

Zbulohet roli i Metës për të nxjerrë Bashën nga godina

Në një mbledhje të qeverisë, kryeministri Rama ka nxjerrë edhe disa detaje se çfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme në kampin opozitar. Ja çfarë tha ai:

“Sot jemi mbledhur për të diskutuar për situatën në PD dhe zhvillimet që priten, në mënyrë që partia dhe populli të mos ndodhen përballë të papriturave që pengojnë ecjen përpara drejt kapitalizmit.

Siç edhe jeni në dijeni, kohët e fundit situata në PD po precipiton. Fraksioni i Saliut ka gjetur përkrahje edhe në SHBA nga një tipe që shet shtëpi. Se nuk më kujtohet emri kësaj por ka lidhje me higjienën dhe larjen e kokës një herë në javë. Kjo i paska premtuar Saliut që krahas bazave në Kretë, amerikanët do t’i shesin edhe krahut të Saliut mjete sulmi dhe sisteme raketash tokë-tokë dhe tokë-ajër si dhe sisteme kundër mjeteve të blinduara. Ndaj duhet të porosisim doganat që mos të krijojnë pengesa për këto dërgesa.

Ka edhe një informacion që për ta nxjerrë Lulin nga godina, të shkojë Ilir Meta pasi ai ia ka marrë dorën qysh se nxori jashtë policët bashkiakë që donin të sekuestronin selinë e Sali Shehut. Tani vërtet Saliut ia morën godinën, por nuk ishte faji i Metës që Saliu nuk kishte anëtarë as sa për të lënë nga një për zyrë.

Saliu tjetër, domethënë Berisha e ka garantuar Metën se nëse ai futet në lojë dhe merr SHQUP-in, ka aq mbështetës sa të vendosë nga një për çdo zyrë. Saliu i madh ia ka bërë të qartë Metës se ashtu siç edhe parashikohej në doktrinën e luftës popullore, ai beson më shumë tek potenciali njerëzor sesa tek armatimet që mund t;i nisi lobi pro-trumpist nga Amerika, pasi ekziston gjithmonë rreziku që raketat të jenë pa kapsollë.

Kemi informata të sigurta se Saliu ka rilexuar “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë” ku komandanti tregon sesi anglezët iu hidhnin këpucë të së njëjtës këmbë, ndaj e ka si opsion të fundit përdorimin e armatimit amerikan.

Në rast se hyn në lojë Meta, do ia lemë të englediset Lali Eri me të se ia ka marrë dorën.

Ndërkohë sipas informacioneve që disponojmë, nga krahu i Lulit janë porositur sisteme anti-raketë, anti-dron dhe paketa ushqimore të thata për t’i rezistuar një rrethimi të mundshëm. Nga ana jonë duhet të marrim masa që mos të ndërpritet furnizimi me ujë i godinës në mënyrë që mos të dorëzohen nga etja. Kjo është një detyrë shtesë për Lali Erin i cili duhet të sigurojë gjithë prapavijën e nevojshme që luftimet të zhvillohen sipas rregullave dhe të zgjasin sa më shumë.

Kaq për sot. Në ditët në vazhdim do të mmbahemi në korrent. Gallata qoftë me ne, domethënë paqja qoftë me ne./dritare.net