
Rama shpërndan direktivat si të përballen në Parlament me Berishën!
Dritare.net
Pas ngjarjeve të së hënës kur Berisha përmbysi për herë të katërt karriget, Rama mblodhi grupin parlamentar për të diskutuar për situatën:
Shokë dhe shoqe! Kohët e fundit Berisha ka ndërmarrë një aksion që ngjason me sulmet e jeniçerëve ndaj sulltanit. Në fakt jeniçerët përmbysnin kazanin para se të fillonin revoltën, por Berishën nuk e lënë të marrë enë nga shtëpia, kështu që mos ia merrni për keq kur përmbys karriget.
Sforcimet fizike të tijat kohët e fundit mund t’i dëmtojnë shëndetin. E kam parë të dobësuar kohët e fundit, ndaj duhet të bëjmë kujdes për shëndetin e tij. E di që do më thoni se ia paguan faturat Gimi me Zamon, por ne duhet të bëjmë punën tonë si qeveri dhe të kujdesemi për shëndetin e opozitës.
Kjo detyrë bëhet aq më tepër imperative në kushtet kur Portokallia dhe Klanifornia kanë ulur nivelin artistik, kurse shfaqjet e Berishës jo vetëm që janë dy herë në javë, por niveli i tyre po vjen në rritje.
Ndaj mendoj që edhe një pjesë e fondeve të Ministrisë së Kulturës t’ia kalojnë grupit të Gaz Bardhit.
Gjithashtu mbetet detyrë e Ministrisë së Turizmit që ta çojë grupin parlamentar të Gazit edhe në pika të ndryshme me interes për të huajt, në mënyrë që shfaqja mos mbetet vetëm në Tiranë. Fundja ata janë deputetë të gjithë Shqipërisë.
Detyrë të veçantë ka Ministria e Bujqësisë dhe AKU-ja që të kontrollojë veçanërisht cilësinë e ushqimeve që merr grupi i Gazit në mënyrë qe të jenë ushqime sa më energjike dhe mos të pësojnë ndonjë helmim që të na shkaktojë ndërprerje të spektaklit. Kjo do të ishte fatale.
Garda të bëjë detyrën, por duhet të bëjë çdo ditë dhe më pak rezistencë në mënyrë që Foltorja mos dëshpërohet dhe të mendojë që kjo strategji është e pasuksesshme. Dy ditë garda të tërhiqet dhe të mbrojë vetëm pozicionin e Linditës, kurse ditën e tretë të kundërsulmojë dhe të dalë në vijën e parë. Kjo do ta bëjë interesant spektaklin dhe do t’i japë tension shfaqjes. Ndaj kundërsulmi të bëhet të enjten në mënyrë që kundërshtarët të kenë kohë të marrin veten për sulmin e të hënës.
Gjithsesi është detyrë e Taulantit që mos ta ketë mendjen te botimi nëpër portale sesa e suksesshme është policia në kapjen e hajdutëve të pasqyrave të makinave, por të ruajë edhe opozitën mos pëson ndonjë gjë. Kaq për këtë javë./dritare.net

















