
Meta lobon direkt me presidentin Biden, ja çfarë i propozon!
Dritare.net
I dashur president Biden!
Unë që po ju shkruaj jam ai çamarroku i vogël dhe bullafiq që mban mend në vitin 2001 kur isha kryeministër dhe para gjashtë vitesh u bëra president.
T’i shkruaj këto për të thënë që mos të mbetet hatri kur të drejtohem me fjalën “koleg”.
Arsyeja pse të shkruaj është lajmi që lexova se në vitin 2022 ju dhe bashkëshortja kishit fituar vetëm 580 mijë dollarë. Kjo na shqetësoi edhe ne si parti e lirisë dhe u mblodhëm në darkë për të diskutuar këtë lajm.
Si fillim duhet të them i dashur koleg se paskan ardhur ditë të zeza për Amerikën. Gjithë ai shtet dhe në fund të vitit ndahesh me vetëm 580 mijë dollarë?!
I dashur koleg, pas diskutimesh që bëmë edhe në kryesinë e Partisë tonë vendosëm që të ofrojmë një vend pune. Si fillim hajde dhe drejto fushatën në ndonjë qark tonin. Zgjidh kë të duash ti, por të rekomandoj Tiranën ose Durrësin, pasi nuk ke moshë të udhëtosh larg nga Tirana.
Gjatë fushatës do të vijë ndonjë lekë nga biznesmenë që janë me ne. Ta kesh parasysh që mund ta marrësh ndonjë lek të bardhë për ditë të zezë por mos i harxho me kurva si ai Trump-i.
Pas fitores, do të emërojmë drejtor të parkut të autobusëve të Tiranës. Mos u nis nga fakti që Belo ka thënë që do t’i bëjmë urbanët pa lekë, pasi pikërisht aty do jetë leku. Ne do vëmë ndonjë autobus të vijë vara-vingo në Tiranë kurse ti do faturosh sa të duash paratë që do rimbursojë bashkia. Të kuptohemi që këto lekë nuk do t’i hash të gjitha vetë. Do ndash ca për mua, ca për doktorin dhe ca për Belon. Por ka për të gjithë. Se kur lexova që qenke rropatur bashkë me gruan në Uashington për të nxjerrë 580 mijë dollarë të qelbura, nuk dinim a të qanim a të qeshnim, se kaq dollarë i nxjerr në vit një inspektor tatimesh i kohës tonë.
Ndaj koleg, lëre Uashingtonin dhe hajde këndej nga ne. Diell po, pare po, çfarë do më tepër? E shumta do të nisim bashkë me Tit Vasilin për ndonjë lobim në Uashington, e me këtë rast çmallesh edhe me nipat e mbesat. Shpenzimet t’i heqim ne.
Mos u vono të më përgjigjesh se këtu është bërë radha e gjatë./dritare.net

















