Na ndiqni edhe në

Opinione

Kontributi i Matteo Mandalà-it për filologjinë arbëreshe dhe historia e Lekës së Madh!

Kontributi i Matteo Mandalà-it për filologjinë arbëreshe

Nga Anila Omari

Prof. Matteo Mandalà është sot ndër majat e albanologëve italianë dhe një figurë përfaqësuese për shkencën filologjike shqiptare. Formimi i tij në radhë të parë gjuhësor e filologjik (të kujtojmë që filologët më të shquar shqiptarë kanë qenë edhe gjuhëtarët më të shquar, si Çabej, Demiraj, Riza etj.), i ndërthurur me njohuri të thella në fusha të tjera të domosdoshme për filologjinë e të lidhura ngushtë me të, si letërsia arbëreshe e shqipe, kritika letrare, historia, antropologjia kulturore, etnografia, kombinuar këto me mprehtësinë e intuitën e shkencëtarit dhe me përkushtimin e zellin e pasionuar të studiuesit, ka sjellë kontribute që kanë ndikuar ndjeshëm në atë zhvillim të madh që ka arritur vitet e fundit filologjia arbëreshe. Me një bagazh të tillë ndërdisiplinor ai ka përballuar me sukses punë madhore si botimin e veprave të Zef Skiroit, botimin kritik të veprës së Lekë Matrangës, një kryevepër e tij filologjike, pastaj veprën novatore “Mundus vult decipi” mbi mitet në historiografinë arbëreshe, botimin kritik të “Këngës së sprasme të Ballës” e punime të tjera të panumërta që kanë sjellë arritje të reja në zbërthimin dhe interpretimin filologjik e historiko-kulturor të fenomeneve të veçanta të letërsisë arbëreshe e shqipe.

Puna studimore e Mandalasë mbështetet në radhë të parë në kërkimet arkivore dhe në zbulimet e burimeve dokumentare. Ky është një moment i lodhshëm por domosdoshëm i punës së filologut për të sjellë përfundime të reja e të besueshme. Studimet tona kanë vuajtur nga kjo mungesë, që ka bërë që studiuesit ndonjëherë të përsërisin pohime të njëri-tjetrit si të mirëqena pa i verifikuar ato në dokumente origjinale. Por e veçanta dhe risia në punën e tij është një qasje e re metodologjike në studimin e letërsisë: metoda filologjike në studimet letrare. Kjo nënkupton gërshetimin e “dy anëve të medaljes” së disiplinës shkencore të quajtur filologji tekstuale: aspektit interpretues të studimit të tekstit letrar, shoqëruar me studime historiko-kulturore rreth autorit dhe veprës së tij nga njëra anë dhe ekdotikës ose rindërtimit të tekstit sipas vullnetit të autorit nga ana tjetër. Zbulimi i dokumenteve të reja, vlerësimi i vëmendshëm kritik i prodhimit shkencor të paraardhësve, leximi i ri e i pavarur të fakteve e të dhënave, ngërthyer këto në një shtrat metodologjik të ri, kanë sjellë ato aspekte novatore të veprës së Mandalasë që ndriçojnë, saktësojnë, deri edhe përmbysin leximet e deritanishme të dukurive të letërsisë arbëreshe.

Nga ana tjetër studiuesi ynë shquhet për modestinë dhe etikën shkencore: ai jo vetëm citon në mënyrë korrekte studiuesit pararendës, por edhe e çmon punën e tyre udhërrëfyese dhe tregon mirënjohjen duke u kushtuar mësuesve më të shquar punimet e tij, si Francesco Solanos studimin për De Radën apo Shaban Demirajt atë për Darën. Është domethënës në këtë vështrim citimi prej tij i metaforës iluministe në nderim të paraardhësve: “xhuxhmaxhuxhi ka një vizion dhe një njohje të problemeve shumë më të gjerë se gjiganti mbi shpatullat e të cilit ka hipur, [dhe] pozita jonë prej xhuxhmaxhuxhi i detyrohet pikërisht përpjekjeve gjiganteske të disa brezave të shkencëtarëve, që si pionierë të vërtetë ditën të hapin shtigjet e të krijojnë një trashëgimi të pasur e me vlera të mëdha”.

Do ta nis analizën time mbi kontributin e prof. Mandalait për filologjinë arbëreshe me punimin që e konsideroj kryeveprën e tij, botimin kritik të katekizmit të Lekë Matrangës E mbsuame e krështerë, teksti më i vjetër i arbëreshëve të Italisë, i vitit 1592. Rëndësia e kësaj vepre nuk është e tepërt të theksohet edhe një herë: është teksti që përmban dëshminë më të vjetër të gjuhës shqipe të pasqyruar në tërë sistemin e saj, dhe me këtë i bëj jehonë përfundimit të arritur më herët nga profesori ynë i ndjerë Androkli Kostallari[1]. Vërtet se shkrimi shqip ka filluar disa dekada para hartimit të veprës së Matrangës, në 1555 me “Mesharin” e Buzukut, por vepra e Matrangës përmban një dëshmi të një sistemi gjuhësor që ishte ruajtur në të folmen e izoluar arbëreshe të Piana degli Albanesi ashtu siç e kishin sjellë në Sicili arbëreshët e mërguar nga bregu tjetër i Adriatikut. Ajo përfaqëson një realitet gjuhësor që i paraprin afërsisht një shekull atij që pasqyrohet në veprën e Buzukut dhe këtu qëndron edhe vlera e veçantë e saj. Kësaj i shtohet fakti që në këtë tekst gjejmë disa trajta gjuhësore, veçanërisht fonetike e morfologjike, të ngjashme me ato të teksteve të vjetra shqipe të arealit verior, që tregon se dialektet e shqipes ishin shumë më pranë në shek. XVI se në kohën tonë.

Vepra e Matrangës ka një histori të veçantë botimi që rrallë gjendet në historinë e editorisë së shekujve XVI-XVII dhe është unikale në historinë e teksteve të vjetra shqipe. Ajo na ka arritur në katër dëshmi redaktimi: dorëshkrimi autograf, dy kopje të redaktuara dhe libri i shtypur. Në këtë vështrim teksti i Matrangës është një “ushqim i rënë nga qielli” për filologët, të cilët kanë në dispozicion të gjitha fazat e procesit të hartimit të tekstit. Por proporcionalisht po aq e rëndë është edhe detyra për zgjidhjen e problemeve komplekse që paraqet secila nga këto faza.

Me studimin filologjik të veprës së Matrangës u morën albanologë e gjuhëtarë nga më të shquarit, së pari Marco La Piana, zbuluesi i dorëshkrimit origjinal të Matrangës, që në vitin 1912, i ndjekur nga Justin Rrota në vitin 1931, pastaj Mario Roques më 1932; më pas, në vitet ’60 Selman Riza e Matteo Sciambra, e në vitin 1979 Fadil Sulejmani, i cili riprodhoi edhe botimin e shtypur që ndodhej në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës si kopje e fotografuar. Megjithatë procesi i ndërlikuar editorial që kaloi vepra e Matrangës dhe zbrazëtitë në dokumentacionin e lidhur me të bënë që objektivisht shumë çështje të rëndësishme të historisë së tekstit të veprës, të grafisë e të gjuhës së saj të mbeteshin pa një zgjidhje të argumentuar. Botimi kritik i Matteo Mandalàit, botuar së pari italisht në vitin 2004[2] dhe shqip në vitin 2013[3], duke rivlerësuar në mënyrë kritike traditën e studimeve paraardhëse, shënon njëkohësisht një hop të ri cilësor në qasjen metodologjike të studimit filologjik të tekstit, një zgjedhje që e ka çuar autorin në saktësimin e mjaft problemeve të keqinterpretuara, në zgjidhjen e disa çështjeve të mbetura pezull apo edhe në përfundime të reja, të patrajtuara më parë, duke iu afruar mundësisht sa më pranë të vërtetës ekdotike të veprës. Risia metodologjike e Mandalàit qëndron në zbatimin e një parimi të filologjisë bashkëkohore: shoqërimi i veprimeve të kritikës së tekstit me studimin e thelluar historik të transmetimit të tekstit, një parim i përvijuar për filologjinë e teksteve të vjetra shqipe nga Eqrem Çabej në vitin 1959. Porositë e Çabejt për metodën e studimit të teksteve të vjetra shqipe kanë qenë për autorin tonë një fill udhërrëfyes në realizimin me sukses të një botimi kritik model dhe pas çdo gjase të patejkalueshëm. Kërkesa për t’u dhënë përgjigje problemeve të ndërlikuara që paraqet vepra e Matrangës e kanë çuar studiuesin të thellohet në kërkime sistematike ndërdisiplinore për historinë e tekstit, për studimin e rrethanave shoqërore-kulturore e politike-fetare të hartimit të veprës, të para këto si premisa për qëllimin e shtypjes së saj, në hetimin e personalitetit të autorit të veprës e të formimit të tij kulturor si elemente të rëndësishme për të shpjeguar karakterin e veprës dhe tiparet e saj. Kërkimet këmbëngulëse në arkiva dhe biblioteka, një nga premisat themelore për suksesin e një ndërmarrjeje të tillë, kanë sjellë edhe frytet e tyre me zbulimin e dokumenteve të rëndësishme për autorin dhe veprën e tij, ndër të cilat edhe gjetja e një kopjeje tjetër të librit të shtypur në Bibliotekën Anxhelika të Romës.

Meqenëse procesi i prodhimit të librit të Matrangës kalon nëpër disa faza të cilat dëshmohen nëpërmjet tre dorëshkrimeve dhe botimit të shtypur, autorit i është dashur të hulumtojë edhe në historinë e secilit prej tyre, duke u zgjeruar në kërkime deri edhe në fusha jashtë rrezes së tij studimore, siç është historia dhe praktikat e shtypshkronjës ku u shtyp libri i Matrangës në shekullin XVI, dhe duke zbuluar edhe personalitetin e secilit prej personazheve që ndërhynë në historinë e hartimit të teksteve: përkthyesit, që është hartuesi i dorëshkrimit autograf që studiuesit e emërtojnë dsh A, redaktorit të dorëshkrimeve A dhe B, kopistit të dorëshkrimit C dhe më në fund të radhitësit të shtypshkronjës. Vëmendja kryesore natyrisht i kushtohet përkthyesit të veprës në shqip, Lekë Matrangës, duke nisur që nga dëshmitë e para historike të fisit Matranga, profili biografik i protagonistit, shkollimi dhe formimi i tij si prift, të mbështetura këto në kërkime shumëvjeçare arkivore, që sollën edhe të dhëna të reja, të panjohura më parë. Kështu psh. nga një dokument i gjetur në arkivin e Dioqezës së Monreales zbulohet qartë viti i lindjes së Lekë Matrangës, 1569, gjë që deri tani vetëm hamendësohej në bazë të dhënash të tërthorta me përafërsi si viti 1560 ose 1567. Duke hetuar rrethanat e politikës kishtare posttridentine të kohës në të cilat vendoset përkthimi i katekizmit në gjuhën shqipe-arbëreshe nga Matranga, dhe më ngushtësisht në dioqezën e Monreales që administronte qendrat rurale ku përfshihej edhe Piana degli Albanesi, vështrimi përqendrohet rreth personalitetit të arqipeshkvit të kësaj dioqeze Ludovico Torres, një nga arqipeshkvinjtë më të shquar e të kulturuar që ka pasur kjo dioqezë, reformator, nxitës i arsimit, mik i popullsisë arbëreshe të dioqezës së tij, i cili hamendësohet si shtytësi i përkthimit të katekizmit të Atë Ledesmës. Meqë vepra është një përkthim, nuk mund të mos merret në konsideratë edhe autori i veprës origjinale, Giacomo Ledesma, dhe katekizmi i tij i thjeshtë e i përshtatshëm për moshat e reja, që për këtë arsye shënoi edhe suksesin editorial të tij. Me këtë rast zbulohen arsyet e zgjedhjes së kësaj metode të mësimit të doktrinës së krishterë për t’u përkthyer në shqip, ashtu siç janë bërë edhe kërkime të thelluara për modelin nga i cili përktheu Matranga, duke arritur në një përfundim bindës.

Në vijim të përpjekjeve për ndriçimin e problematikës së teksteve dhe për rindërtimin e historisë së hartimit të tyre autori merr në një shqyrtim të imët filologjik punën e bërë nga përkthyesi Matranga për ndërtimin e tekstit të tij në shqip, arsyet e zgjedhjes së alfabetit që përdori, ndikimet e ndryshme në të, dhe përmes një gjykimi tërësor objektiv të disa kundërshtive e gabimeve që paraqet grafia e tij, arrin në një përfundim të ri, sipas të cilit dsh A nuk është përkthimi përfundimtar por një version i ndërmjetëm, gjë që e konfirmon edhe Letra kushtuese e Matrangës e vitit 1592 që flet për “zëra fëmijësh që recitojnë doktrinën në gjuhën shqipe”, pra për një variant doktrine të përkthyer që më parë.

Nga analiza e dorëshkrimeve dhe e librit të shtypur rezulton se dsh A nuk përfaqëson i tëri vullnetin e fundit të autorit, pasi përmban korrigjime nga dora e një redaktori. Siç ishte e zakonshme, dorëshkrimet e librave fetarë duhej t’i nënshtroheshin censurës kishtare, dhe aq më tepër një vepër e përkthyer në një gjuhë të panjohur si shqipja. Kështu edhe teksti i Matrangës iu nënshtrua një kontrolli nga ana e një redaktori, i cili për studiuesit ka mbetur anonim. I ngarkuari për rishikim mendohet që ka qenë Tommaso Raggio, revizor kishtar i Doktrinës, jezuit, që kishte qenë vizitator apostolik në Ballkan. Edhe figura e veprimtaria e Raggios kalon në analizën e studiuesit paralelisht me dy pasazhe të tekstit të Matrangës, dhe të gjitha bashkë e shpien atë në përfundime interesante lidhur me mundësinë e takimit të këtij revizori me arqipeshkvin e Monreales për të shkëmbyer informacion për Matrangën. Meqenëse Raggio nuk del ta ketë njohur shqipen, ai mund të jetë ndihmuar nga ndonjë prift që e njihte këtë gjuhë, pas gjase edhe nxënës i Kolegjit grek, ku kishte mjaft shqiptarë të ardhur nga bregu tjetër i Adriatikut e sidomos nga Himara. Korrigjimet që iu bënë dorëshkrimit të Matrangës (dsh. A) u përfaqësuan në një dorëshkrim tjetër, të shënuar si dsh. B, i cili përmban ndryshime të shumta në krahasim me A-në. Studiuesi përpiqet të ndërtojë profilin gjuhësor të redaktorit anonim të ngarkuar nga Raggio për rishikimin e dorëshkrimit të Matrangës nëpërmjet analizës gjuhësore të dsh. B, duke arritur në përfundimin se ai ka qenë njohës i dialektit gegë të shqipes dhe se vinte nga krahinat veriore të Shqipërisë. Në këtë përfundim e shpien disa të dhëna gjuhësore që paraqesin karakteristika të fazës së vjetër të gegërishtes, si psh. ndërtimi i infinitivit me me dhe me pjesoren e foljes, siç dëshmohet në fjalinë “duhetë për me e dijturë”, më pas të prishur me penë, pastaj mungesa e shurdhimit të bashkëtingëlloreve fundore si erdh, të madh, tipike për të folmet gege, kundrejt trajtave të Matrangës erth e të math, etj. Përveç kësaj në dsh. B gjenden edhe disa drejtshkrime që të kujtojnë grafinë e Buzukut me ‹e› para ‹nd-› nistore: endë krahët, endë kriqt, endë të sosurit. Është interesante të vërejmë se këtë veçori drejtshkrimore, që e ka edhe Budi në formë mbeturinore, e shohim edhe te Dhimitër Kamarda, i cili asokohe nuk e njihte veprën e Buzukut[4]. Duket se këto grafi, që hasen edhe në copëza të shkrimeve të hershme shqipe, janë relikte drejtshkrimore të cilat mund të kenë pasqyruar një veçori shqiptimore.

Në mënyrë intriguese për lexuesin, gati si në një roman policor, në vepër gjurmohet fati i mëtejshëm i dorëshkrimeve. Pasi shkoi në shtyp, dsh. B gjithashtu nuk u konsiderua i përshtatshëm si kopje për tipografët, për shkak të korrigjimeve që përmbante, të shkrimit të paqartë dhe disa mungesave të tjera lidhur me përcaktimin e të dhënave që kërkonte shtypshkronja. Atëhere ka të ngjarë që botuesi, në rastin tonë Guglielmo Facciotti nga Roma, të ketë kërkuar që të bëhej një kopje tjetër për shtypshkronjën. Nëpërmjet shqyrtimit të krahasuar të gabimeve që përmban dsh C, autori përpiqet të rindërtojë profilin e kopistit, nga i cili rezulton një profesionist që ka kryer kopjimin me vëmendje shkronjë për shkronjë, dhe se gabimet e shumta që përmban ky version tregojnë që kopisti nuk e njihte shqipen. Në bazë të dsh C u bë edhe botimi i shtypur, i cili përmban përveç gabimeve të dsh. C, edhe gabimet e bëra nga radhitësi, puna e të cilit gjithashtu kalon në skanerin e studiuesit. Përfundime interesante sjell edhe krahasimi i dy ksomblave të shtypit, ajo e Tiranës dhe ajo e Bibliotekës Anxhelika të Romës, ndryshimet e vogla mes të cilave tregojnë se korrigjimet janë bërë edhe gjatë nxjerrjes së tirazhit të librit dhe se kopja e Tiranës ka dalë më parë se ajo e Romës. Përmes një shqyrtimi të kombinuar të të dhënave jashtëtekstore me përfundimet e krahasimit filologjik të teksteve, sidomos përmes analizës së varianteve e gabimeve, studiuesi arrin të rindërtojë fazat e ndryshme të historisë së hartimit të katër redaktimeve të veprës, duke përcaktuar edhe disa faza të ndërmjetme që nuk na kanë mbërritur, si psh një version i parë autograf i përkthimit, apo ekzistenca e një dsh C1 para dsh C.

Dhe më në fund, pasi ka bërë botimet kritike të të tre dorëshkrimeve dhe të botimit të shtypur, shoqëruar me riprodhimin fotografik të tyre, studiuesit i del nevoja e diskutimit të rëndësishëm se cili do të jetë teksti bazë për rindërtimin e tekstit kritik sipas vullnetit të autorit dhe cili është vullneti i autorit në rastin e këtij kodiku ku ndërhyjnë disa personazhe po aq të autoritetshme. Mbasi ka saktësuar metodën, edhe me ndihmën e literaturës bashkëkohore filologjike, autori vendos në mënyrë të argumentuar të niset nga dsh A i përkthyesit, pa hedhur poshtë a priori ndërhyrjet korrigjuese e sidomos plotësimet e redaktorit, duke i vlerësuar në çdo rast në mënyrë kritike.

Vlerësimi i vullnetit të redaktorit, që në rastin e një vepre të përkthyer është po aq i rëndësishëm sa edhe ai i autorit të përkthimit, është një risi e konsiderueshme në krahasim me botimet paraardhëse, që, e përfshirë në rindërtimin e tekstit kritik, ka shënuar hapin vendimtar drejt së vërtetës ekdotike.

Libri përmban edhe shumë momente të tjera interesante siç janë krerët historikë për prejardhjen e Matrangave, për edukimin fetar dhe sistemin shkollor në periudhën e Kundërreformës, për shkollat e kolegjet ku mësonin edhe nxënës shqiptarë, përfundimet lidhur me origjinën dhe kronologjinë e zhvillimit të disa tipareve fonetike specifike të së folmes së Pianës që përfaqëson vepra e Matrangës, vëzhgimet mbi gjuhën e Matrangës etj., por dua të ndalem në një fakt me interes shkencor për albanologët, deri tani i mbetur enigmë, që sqarohet në libër. Është fjala për një njoftim nga viti 1584 për shtypjen në Romë të 500 katekizmave në gjuhën shqipe, që e jep teologu kroat Miroslav Vanino në monografinë e tij për Aleksandar Komulovićin.[5] Për këtë vit nuk njohim ndonjë botim doktrine të krishterë në shqip; ajo e Pjetër Budit është e vitit 1618. Prof. Mandalà përforcon mundësinë, e përsiatur më parë nga Zef Valentini, të hartimit të përkthimeve të Budit disa vite më parë se sa të botoheshin, siç del edhe nga disa shprehje të vetë Budit në letrat e tij. Në përsiatjet e Mandalàit Budi mund të ketë qenë “nxënësi i kolegjit ilirik” që shoqëroi Komulovićin dhe Raggion në vizitën e tyre apostolike në Shqipëri dhe që do të zhvillonte mësimin e doktrinës së krishterë në Shqipëri.

Mbas kësaj pune gjigante, fryt i kërkimeve e studimeve njëzetvjeçare, që sjell një kontribut nga më të rëndësishmit në historinë e shkrimit të shqipes dhe në metodologjinë e filologjisë tekstuale jo vetëm shqipe, do të jetë shumë e vështirë ndërmarrja e një botimi të ri kritik të Matrangës, prandaj kam bindjen se kjo vepër do t’i rezistojë një kohe që mund të llogaritet me breza filologësh.

Punën paradigmatike të filologut, që te prof. Mandalài ka ardhur duke u përsosur me grumbullimin e përvojës në këtë fushë, e gjejmë të mishëruar edhe në studime të tjera kritike të veprave të mëdha të letërsisë arbëreshe. Një i tillë është studimi mbi “Kënkën e sprasëme të Ballës” si hyrje e botimit kritik të poemave të Gavril Darës.

Poema “Kënka e sprasme e Balës”, e cilësuar si një ndër kryeveprat e poezisë sonë romantike,[6] ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e studiuesve të letërsisë, duke u bërë objekt studimesh, botimesh e ribotimesh të shumta që mbas daljes në dritë për herë të parë si botim postum në vitin 1906.[7] Ajo ka qenë ndër më të dashurat e poezive të letërsisë arbëreshe në brezat e shkollarëve të Shqipërisë sidomos mbas Luftës II botërore e këtej. Sipas prirjeve studimore të periudhës së gjysmës së dytë të shekullit XX, vëmendja kryesore e studiuesve u përqendrua në aspektin e vlerësimit të përmbajtjes ideore e formës artistike të poemës[8] si edhe në problemin e diskutuar të autorësisë së saj,[9] ndërsa ndërtimi kompozicional i veprës dhe historia e shkrimit të saj nuk u ndriçuan sa duhet. Shkaku i kësaj ishte jo vetëm mungesa e dokumenteve dorëshkrimore në dispozicion të studiuesve, që do të shërbenin për të rindërtuar saktë historinë e shkrimit të poemës, e për më tepër vështirësia e gjurmimit dhe hulumtimit të tyre në arkiva e biblioteka jashtë Shqipërisë, por edhe mungesa e interesit për studimet e filologjisë tekstuale në Shqipëri, jo pa lidhje me një prapambetje të trashëguar në këtë fushë kërkimore[10], që vazhdoi deri në fund të viteve ’80 dhe që tashmë për fat të mirë mund të themi se është kapërcyer.[11]

Në këto arritje të filologjisë së teksteve shqipe njehsohet edhe botimi kritik i veprës së Gavril Darës nga Matteo Mandalà.[12] Ky punim është nga njëra anë një sintezë e përvojës së fituar nga studimet e botimet pararendëse dhe njëkohësisht shënon një shkallë më të lartë cilësore si në përpunimin filologjik të tekstit kritik ashtu edhe në metodën e trajtimit të çështjeve që lidhen me të. Punimi mbështetet në dokumente të gjetura nga hulumtimet e kryera në arkiva të ndryshme publike e private në Itali e në Evropë, si premisë e domosdoshme për të hedhur dritë mbi aspekte ende të errëta të historikut të veprës e të autorit të saj. Qasja metodologjike ku ndërthuren aspektet e studimit historiko-letrar të veprës me ato të kritikës së tekstit, jo të para si qëllim në vetvete por në funksion të njëri-tjetrit, ka sjellë rezultate të prekshme në ndriçimin e disa çështjeve të ndërlikuara siç është marrëdhënia mes dorëshkrimeve, tashmë të grumbulluara në mënyrën më të plotë të mundshme, dhe kronologjia relative e tyre, për t’i shërbyer rindërtimit të historisë së shkrimit të veprës e të autorësisë së saj.

Nga analiza e gabimeve dhe e alfabeteve të tre dorëshkrimeve ekzistuese (α, β, γ) dhe të variantit të botuar (1906), e heqjeve të konstatuara në variantin β si dhe e të dhënave jashtëtekstore, arrihet në disa përfundime për hierarkinë e dorëshkrimeve: së pari se varianti α është shkruar para variantit β, që të dy nga vetë autori, se varianti β i shërbeu nipit të Gavril Darës si antigraf (model kopjimi) për dorëshkrimin γ, të cilin e dërgoi për botim në revistën e Anselmo Lorecchios (La Nazione Albanese), se botuesi, ndoshta vetë Lorecchio, transliteroi me kujdes dsh γ në një alfabet të përshtatshëm për shtypin, duke krijuar një dsh tjetër të ndërmjetëm π që nuk na ka mbërritur dhe që ka shërbyer për shtypjen e veprës në shtypshkronjë (botimet në revistë 1900-1903 dhe botimi i plotë i veprës 1906). Në bazë të përcaktimit të marrëdhënieve gjenealogjike mes dorëshkrimeve dhe tekstit të shtypur autori i punimit rindërton skemën e transmetimit të teksteve (stemma codicum), një aspekt i rëndësishëm i punës filologjike përgatitore të botimit kritik që ndihmon për të përcaktuar origjinalin ose variantin që përfaqëson sa më pranë vullnetin e autorit.

Hetimi i vëmendshëm i të dhënave të vetë tekstit dhe atyre jashtëtekstore, nëpërmjet gjurmimit të letërkëmbimit dhe dokumenteve, të botuara e të pabotuara, që i përkasin Gavril Darës e veprës së tij, i kanë vlejtur autorit që të rindërtojë edhe historinë e shkrimit të fazave të ndryshme të poemës e të periudhës së shkrimit të secilit fashikull të saj. Periodizimi që rindërton autori për shkrimin e veprës së Darës paraqitet në këto vija të përgjithshme.

Ideja për shkrimin e veprës duhet t’i ketë lindur Gavril Darës nga mesi i viteve ’60 të shekullit XIX, duke u nisur nga letrat e tij për Pietro Chiarën ku shprehen konceptet e tij politike për të ardhmen e Shqipërisë. Fillimi i hartimit të poemës vendoset nga gjysma e dytë e viteve ’60 të 1800-s.[13] Si vit i përafërt i përfundimit të poemës përcaktohet viti 1870 nga një letër e kushëririt të Darës Pietro Chiara drejtuar De Radës në këtë vit.[14] Shkrimi i tekstit të parathënies drejtuar shqiptarëve (Para-Thënëme t’Arbreshëvet) është bërë para viteve 1878-1880,[15] madje i kufizuar mes fundviteve ’60 të 1800-s dhe gjysmës së dytë të viteve ’70.[16] Kushtimi në fillim të veprës, drejtuar kushëririt të shquar Pietro Chiara (Tucës i Qarënjëvet), vendoset pas Kongresit të Berlinit (1878-1881), për shkak të përmendjes së kësaj ngjarjeje historike në të. Vepra përmban edhe një Shtojcë (Prapa-Thënëme), e cila është shkruar pas vitit 1884.[17] Poema u bë gati për botim në vitin 1885,[18] pra përpunimi i saj zgjati 15 vjet (1870-1885). Botimi i veprës u shty edhe 15 vjet të tjera, më 1906, për shkak të vdekjes së autorit.

Botimi kritik nuk mund të linte mënjanë problemin e ndërlikuar e të diskutuar të autorësisë së poemës. Kësaj çështjeje i kishte kushtuar më parë një artikull prof. Shaban Demiraj, të cilit tekstet e parathënies e prapathënies, të shkruara nga Dara, dhe ai i poemës, i pretenduar nga Dara si të mbledhur e shkruar nga paraardhësit e tij, i ati Andrea e gjyshi Gavril Dara Plaku, i rezultojnë të shkruara nga e njëjta dorë në pikëpamje të gjuhës.[19] Këshillimi me dorëshkrimet e fondit arbëresh të Kopenhagenit Albansk Samling solli rishikimin e përfundimeve të deritanishme të studiuesve për Darën e Ri si i vetmi autor dhe për përfilljen si mistifikim të rindërtimit të historisë së hartimit të poemës nga Dara, i cili ia atribuon atë pjesërisht paraardhësve të tij. Dokumentet e zbuluara i japin të drejtë Darës në shumë nga pretendimet e tij. Në fondin e dorëshkrimeve arbëreshe të mbledhur nga studiuesi Giuseppe Gangale gjendet një variant i mëhershëm i një pjese të poemës, i cili, nga krahasimi me dsh α që ka dalë nga dora e autorit Dara i Ri dhe me letrat e të atit, Andrea Darës, del i shkruar prej këtij të fundit në bazë të grafisë dhe të alfabetit të njëjtë me ato të letrave. Krahasimi i 96 vargjeve të para të poemës në dorëshkrimin e Darës (dsh α) me vargjet përgjegjëse të dorëshkrimit të gjetur në fondin Albansk Samling të Kopenhagenit nga botuesi[20] tregojnë se kjo pjesë e poemës është përpunuar poetikisht, ndryshuar e plotësuar mbi bazën e versionit të Andrea Darës. Autori i botimit kritik e përforcon këtë autorësi edhe nëpërmjet disa të dhënave të tjera jashtëletrare që ka marrë në vlerësim.[21] Disa nga tekstet e gjetura në dorëshkrimet e fondit arbëresh të Kopenhagenit vlerësohen si të kopjuara nga i ati i Andreas, Gavril Dara Plaku, i cili edhe ai ka mbledhur shumë lëndë folklorike arbëreshe. Familja e Darenjve të Palac Adrianit ishte një familje fisnike me kulturë kombëtare që është shquar për mbledhjen e folklorit arbëresh. Kështu, hulumtimet e autorit mbi jetën, personalitetin dhe formimin kulturor të shkrimtarit, pikëpamjet e tij filozofike e parimet letrare, gërshetuar me shqyrtimet e tij kritike të krejt transmetimit të tekstit dhe me mprehtësinë e gjykimit filologjik, kanë sjellë disa përfundime të qëndrueshme për autorësinë e poemës. Sipas këtyre përfundimeve, Gavril Darës mund t’i njihet autorësia e poemës, por edhe të atit Andrea i duhet njohur merita e nxitjes e frymëzimit fillestar të veprës. Mund të përmendim si rast evident të përshtatjes së vargjeve të marra nga tekstet e gjyshit dhe të atit këngën e dytë të pjesës së katërt, me titull “Kënga e Beratit”.[22] Ajo që botuesi e thotë me siguri është se Dara përdori disa “të dhëna” të vërteta për të bindur lexuesin se vepra e tij ishte në fakt krijim popullor, përcjellë gojë më gojë brez pas brezi deri sa i gjyshi dhe i ati vendosën ta mbledhin dhe ta shkruajnë. Arsyet e rindërtimit mistifikues të gjenezës së poemës nga Dara i Ri autori i botimit i gjen në teorinë estetike të “realitetit” të Alessandro Manzonit, një autor i dashur për Darën, i cili shkroi romanin e tij historik “I promessi sposi” nën pretendimin se mbështetej mbi disa dokumente të vjetra të gjetura rastësisht që vetëm i kishte rregulluar nga ana e gjuhës. Ky ishte një konceptim i letërsisë i frymëzuar nga romantizmi, por që ndryshonte prej tij nga kërkesa për një bashkim harmonik të ideales me të vërtetën, një element estetik dhe ideologjik që, sipas autorit, përshkon edhe poemën e Darës.[23]

Mbasi është përcaktuar në këtë mënyrë historia e transmetimit të tekstit dhe autorësia e veprës, botuesi ka zgjedhur edhe tekstin mbi të cilin ka kryer botimin kritik, që është dorëshkrimi autograf α, pa lënë mënjanë dorëshkrimet e tjera qoftë autografe apo të kopjuara nga i nipi i autorit të poemës për revistën “La Nazione Albanese”, si edhe tekstin e veprës së shtypur në vitin 1906. Botimi kritik i poemës dhe i shkrimeve të tjera autoriale që e shoqërojnë, i realizuar me koherencë e rreptësi filologjike, i pastruar nga gabimet e kopjimit e të shtypit ose nga ndërhyrjet ndonjëherë arbitrare që përmban versioni i shtypur, na jep tekstin që i afrohet më shumë vullnetit të autorit, jo thjesht atë që ka dalë i fundit nga pena e autorit, pasi ky mund të përmbajë edhe gabime të pavullnetshme apo lapsuse, siç është rasti i dorëshkrimit β të kopjuar prej α, por atë që ka dashur vërtet të shprehë autori. Të gjitha ndërhyrjet editoriale në krahasim me versionet e dorëshkrimeve α, β dhe të shtypit S janë pasqyruar në mënyrë korrekte në aparatin kritik në fund të faqes.

Me këtë botim publiku ka për herë të parë tekstin më të plotë të veprës së Gavril Darës, i cili përfshin edhe një pjesë të hequr nga dsh. α që nuk gjendet në dsh. e tjera e as në botimet e shtypit. Kjo pjesë ka të bëjë me një qëndrim politik të Darës lidhur me të ardhmen e Shqipërisë mbas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, ku shprehet në mënyrë të ashpër për politikën e Papës dhe të Austrisë. Ai u kërkon arbëreshëve të ruhen nga propaganda e të dërguarve të Papës, pasi ky për interesat e veta të fronit do t’i bëjë qejfin Austrisë duke ia shitur Shqipërinë.[24] Mendimi i tij për të ardhmen e vendeve ballkanike mbas rënies së Turqisë është bashkimi në një shtet të vetëm i shqiptarëve, maqedonasve dhe grekëve, të cilët kishin pasur një të kaluar të përbashkët me rrënjë farefisnore që nga koha e pellazgëve dhe e Aleksandrit të Madh.[25] Pikëpamjen për një shtet të përbashkët shqiptaro-grek, që e kishte pikënisjen nga teza e prejardhjes së njëjtë pellazgjike të të dy gjuhëve (p.sh. Kamarda), e kishin asokohe edhe intelektualë të tjerë arbëreshë, nga të cilët bënte përjashtim Jeronim De Rada, i cili me intuitën e tij nacionaliste atdhetare u orientua drejt në përvijimin e aleancave që i duheshin Shqipërisë për arritjen e pavarësisë.

Vëllimi përmban edhe një shtojcë ku përfshihet pjesa tjetër e veprimtarisë letrare të Gavril Darës, e botuar dhe e pabotuar, në të dy gjuhët e përdorura prej tij, italisht dhe arbërisht. Aty gjendet “Kënga e sprasme e Ballës” në një version italian në njëmbëdhjetërrokësh, e gjetur si dorëshkrim në fondin e Kopenhagenit, kopjuar nga nipi i Darës, dy poemtha dorëshkrim të Darës “kënga e Zogut” dhe “Këngë të Shën Lazërit” në arbërisht dhe përkthim italisht, “Disa poezi të Darës” (Alcune poesie di Gabriele Dara) në italisht – vepër e botuar në Palermo më 1848, disa artikuj të tij të botuar në revistën letrare La Palingenesi të Girgentit, letra dërguar prindërve dhe letra dërguar De Radës në arbërisht, një epistolar me titull “I nostri mali”, botuar në Girgenti më 1870 dhe “Monografi e Pallac-Adrianit” botuar në Fiamuri Arbërit në vitin 1884.

Tekstet në prozë të botimit kritik si parathënia e pasthënia e poemës, shënimet shpjeguese për çështje të errëta të poemës, si emra personazhesh e ngjarjesh historike, emra gjeografikë, shprehje frazeologjike, fjalë të rralla e shprehje idiomatike, korrespondenca e tij me prindërit dhe me De Radën, si edhe shkrimet në gjuhën italiane, na njohin në radhë të parë me vetë autorin Gavril Dara dhe me aspekte të ndryshme të jetës dhe personalitetit të tij, si pikëpamjet politike-shoqërore, formimin historik, kulturor e filozofik të tij. Spikat shumanshmëria e personalitetit dhe e veprimtarisë së tij, formimi i gjerë në disa fusha të dijes, talenti poetik dhe estetiko-letrar, idealet e tij kombëtare për bashkimin e Italisë dhe idetë patriotike ndaj atdheut të të parëve, karakteri luftarak e revolucionar si pjesëtar aktiv i lëvizjes italiane për çlirim kombëtar dhe pikëpamjet demokratike për zhvillimin e shoqërisë.

Një aspekt i rëndësishëm studimor që botimi kritik sjell përpara studiuesve është gjuha e veprës. Deri sot studiuesit i kanë kushtuar vëmendje poemës si objekt studimi letrar, ideve e frymës që përcjell ajo, çështjes së autorësisë së saj, jetës dhe personalitetit të autorit etj. por jo edhe gjuhës së veprës. Me sa dimë, ndoshta i vetmi që ka trajtuar disa çështje me interes të gjuhës së poemës është prof. Shaban Demiraj në artikullin e cituar kushtuar autorësisë së poemës. Tek arbëreshët vepra e Darës nuk ka pasur jehonë të madhe mbas daljes në dritë së pari në vitin 1906. Studimi më i rëndësishëm ka qenë ai i Erminia Tuttolomondos i vitit 1921, vetë titulli i të cilit flet për dritën e paktë të hedhur deri në atë kohë mbi autorin dhe poemën e tij.[26] Në Shqipëri vepra ka pasur sukses më të madh dhe botime e studime të shumta, por shumica e botimeve janë përshtatje në shqipen e sotme, që nuk përfaqësojnë vullnetin e autorit. Botimi i Mandalasë i bën të njohur publikut arbëresh, shqiptar e italian veprën e plotë të Darës në gjuhën origjinale, siç e ka folur e shkruar autori. Me këto tekste ne mund të themi se kemi dëshminë e së folmes së Palac Adrianit, e cila tashmë ka mbi njëqind vjet që ka humbur dhe është zëvendësuar nga italishtja. Ndoshta kjo e folme kishte filluar që në kohën e Darës të përdorej rrallë[27], por ajo ishte e folmja e tij amtare e cila gjithsesi përdorej në familjen e Darenjve, siç tregojnë letrat e poetit drejtuar prindërve të tij në arbërisht, pasi “nuk i bën zemra të shkruajë italisht”, dhe justifikohet për këtë fakt me “ëmbëlsinë e gjuhës së zogut, trishtimin që buron prej saj”.[28] Andrea Dara po ashtu ka shkruar një variant të mëhershëm të 96 vargjeve të para të poemës, gjuha e së cilës është e njëjtë me atë të poemës së Darës së Ri.

Veçoritë e gjuhës së teksteve të Darës zbulohen nëpërmjet transkriptimit të autorit të botimit kritik, i cili rindërton, mundësisht sa më pranë së vërtetës, sistemin fonetik që qëndron prapa sistemit grafik të përdorur prej tij. Ky rindërtim bëhet në bazë të studimit të të dhënave që jep vetë teksti, qëndrueshmërisë e rregullsisë së trajtave grafike të autorit, dëshmive dialektore të të folmeve të tjera arbëreshe të Sicilisë, por pas gjase edhe të disa regjistrimeve të së folmes së Palac Adrianit që disponon botuesi.

Një metodologji e ngjashme e dyanshme: filologjike, ose përshkruese-krahasuese, dhe kritiko-letrare ose interpretuese zbatohet në studimin interpretues të poemave dhe poetikës së De Radës. Duke u mbështetur në studimet më të mira e novatore të poemave të De Radës dhe të enigmës së “romanit lirik të dyfishtë” të tij, autori sjell interpretime të reja dhe parashtron edhe drejtimet ku duhet të synojnë studimet e ardhshme në këtë fushë.

Një studim interesant ndërdisiplinor historiko-letrar e antropologjik-kulturor është ai mbi prejardhjen e mitit pellazgjik tek Jeronim De Rada dhe Emanuel Bidera. Çështja e miteve në historiografinë arbëreshe e ka intriguar studiuesin këto vitet e fundit duke e nxitur të kërkojë fillimet e historiografisë arbëreshe dhe bashkë me to edhe rrënjët dhe shkaqet e lindjes së miteve, studime që u kurorëzuan në vitin 2007 në librin “Mundus vult decipi”. Në kërkim të burimit të përhapjes së mitit pellazgjik në hapësirën ballkanike, ku një shtysë vendimtare e dha vepra e Hahnit “Albanesische Studien”, autori përpiqet të zbulojë nyjet e rrugëtimit të mitit duke ecur në drejtim të kundërt të rrjedhës së kohës. Të dhënat kronologjike flasin qartë për rolin pararendës të De Radës në depërtimin e mitit të prejardhjes pellazgjike të shqiptarëve në Ballkan, bashkë me meritat e padyshimta për projektin rilindës të tij, dhe se ishte ky poet romantik furnizuesi i drejtpërdrejtë i Hahnit me këtë teori. Por studiuesi kërkon më tej në burimet dokumentare për të zbuluar nga e mori De Rada këtë teori, dhe gjurmët e shpien së pari tek një lidhje miqësore e bashkëpunim intelektual me arbëreshin sicilian Emanuel Bidera, i cili ndikoi shumë për përhapjen e mitit pellazgjik në Itali përmes veprës së tij të gjerë. Duke ndjekur shtegtimin e emrave të hyjnive klasike te këta dy autorë fijet lidhen më herët kronologjikisht te gjeografi i shquar danez Conrad Malte-Brun, i marrë ky si përfaqësues i përhapjes së gjerë që kishte marrë miti pellazgjik në Europë dhe teoria e prejardhjes së shqiptarëve prej tyre. Midis Malte-Brunit dhe De Radës e Biderës qëndron në kohë imzot Zef Krispi me kontributin e tij të rëndësishëm për teorinë pellazgjike në një studim të gjerë dhe në një masë të madhe origjinal, por që, nga ana e tij, referon te mësuesi dhe pararendësi i tij në Seminarin e Palermos, Nikollë Keta, në shekullin XVIII. Kështu studimi shtyhet gjithnjë e më prapa në kohë dhe arrin në fillesat e studimeve albanologjike të kryera në Seminarin e Palermos nga paraardhësit e Ketës, Atë Gjergj Guxeta dhe Pal Parrino. Por, shtrohet pyetja, po këta arbëreshë të shquar nga i morën këto teori të prejardhjes së shqiptarëve? Mendimi im është se ata i trashëguan nga paraardhësit e tyre që i morën me vete nga atdheu i parë, si një traditë të përcjellë në breza të një prejardhjeje të lashtë. Është me interes të citojmë këtu kujtimet e udhëtares amerikane Rose Wilder Lane në malësitë e Veriut të Shqipërisë në vitin 1921 e cila sjell rrëfimin e një plaku të moçëm në Shosh të Dukagjinit. Pyetjes se nga kanë ardhur shqiptarët ai i përgjigjet me dijenitë e transmetuara gojarisht nga të parët, e ata nga të parët e tyre brez pas brezi, për vendbanimin e parë të shqiptarëve, për rrugët e ardhjes së tyre, për shtrirjen e tyre në Ballkan, për mbretërit e tyre që i rendit me emra, një nga të cilët ishte Leka i Madh, një shqiptar i lindur në Emadhia të Matit. Rrëfimi i plakut, në kujtesën e zonjës Lane, konfirmohej një vit më pas nga vizita e saj në Mat, përmes pohimeve të fshatarëve që flisnin me indiferencë për “qytetin e lashtë Emadhia” duke treguar dhe rrënojat e tij dhe për “vendlindjen e Lekës së Madh”.[30] Këtë pohim e ndeshim më herët te Pjetër Bogdani (1685), kur në kronologjinë e tij të botës ose “Jetët e shekullit” thotë: [Në vitin] 3623 Leka i Madh prej Petrele nd'Arbënë zu fīll monarkīn~e vet ndë Matiet (CP I 181 6). Frang Bardhi para tij (1635) identifikonte qytetin Pella të Maqedonisë me Petrelën kur e përcakton si qytet shqiptar, i famshëm si vendlindja e Aleksandrit të Madh mbret i maqedonasve.[31] Më herët, Nikollë Mekajshi, ipeshkëv i Shtjefnit (Stefaniakës), në një projektrelacion drejtuar papës Klementi VIII në vitin 1603 shkruan: “U përpoqa me aq sa dita të bëja relacionin mbi mbretërinë e Shqipërisë dhe të Maqedonisë, seli e lashtë e Lekës së Madh…” (‹mi sono sforzato al meglio che ho potuto fare la relatione del regno d’Albania e Macedonia, antica sede d’Alessandro Magno;›), dhe, po aty, “Shqipëria është pjesë e Maqedonisë, [ajo pjesë] që në kohë të lashtë u quajt Epir.” (‹E’ l’Albania parte della Macedonia anticamente detta Epiro›).[32] Dhe më herët akoma, në gjysmën e parë të shek. 14, statutet e Shkodrës, qytet që emërtohej nga turqit Skënderie pasi mbahej prej tyre si i themeluar prej Aleksandrit të Madh[33] nisin pikërisht me “amanetin” apo privilegjin e Aleksandrit të Madh.[34] Në këtë sens edhe emri i Skënderbeut nuk është pa domethënie dhe po kështu edhe letra e tij drejtuar princit të Tarentit për “kronikat tona” që flasin për “paraardhësit tanë [që] kaluan në vendin tuaj”[35] duke aluduar për Pirron dhe ushtrinë e tij. Dora d’Istria shkruan në një shkrim kushtuar Leonardo de Martinos për një komb që flet idiomën pellazgjike, të një race që Homeri e quan “hyjnore” dhe që traditat e vjetra mistike e bëjnë të lindur “para diellit e hënës”[36]. Dhe me të vërtetë një këngë e vjetër e krahinës së Vlorës thotë: Jemi këtu në vend tënë/ që pa lerë diell e hënë.[37] Të vërteta apo mitizime, kjo ishte një vazhdimësi vetëdijeje popullore që erdhi e tillë deri në Rilindje. Rilindasit, arbëreshë dhe shqiptarë, e zgjuan këtë vetëdije të fjetur, e gjallëruan dhe e nxitën për realizimin e programit të tyre kombëtar.

Një shkrimtar romantik arbëresh sa prodhimtar aq edhe modest e i mbyllur në vetvete ishte Françesk Anton Santori, i pari autor i një romani shqip. Dorëshkrimet e tij të shumta, mes të cilave ka edhe vepra të pabotuara, paraqesin vështirësinë e të qenit të shpërndara në biblioteka të ndryshme dhe në arkiva privatë. Mandalà i kushton një studim të veçantë problematikave të botimit të veprës së plotë të Santorit, duke ndjekur fillin e udhëtimit të dorëshkrimeve dhe duke u ndalur në përshkrimin fizik të korpusit të dorëshkrimeve të fondit Gangale në bibliotekën e Kopenhagës. Qëllimi i kësaj pune të hollësishme e të përqendruar është zbulimi i të dhënave që ndihmojnë në zgjidhjen e problemit të vështirë të datimit të teksteve, si premisë për shqyrtimin e tyre krahasues, në perspektivën e botimit të tyre nga studiuesit e ardhshëm. Aty shtrohet edhe çështja e ekzistencës së parateksteve të veprave dhe nevojës për analizën filologjike të tyre. Në këtë mënyrë përvijohen problemet paraprake dhe jepen platforma dhe orientime të çmuara për studimet e ardhshme santoriane.

Studimi hyrës për botimin kritik të veprave të Zef Skiroit është një model i punës filologjike. Përveç një historiku të përpjekjeve për botimin e veprave dhe kushteve të reja të krijuara në fund të viteve ’80 për botimin e tyre, studiuesi na jep një pasqyrë të përmbajtjes së dorëshkrimeve, të përzgjedhura e të klasifikuara më parë prej tij, ku krahas shpalosjes së pasurisë së jashtëzakonshme të tyre, mund të përfytyrohet edhe keqardhja për konstatimin e humbjeve dhe dëmeve të pësuara nga fondi dorëshkrimor i autorit. Më pas njihemi me gjithë problematikën që shtron para filologut botimi i dorëshkrimeve në shumëllojshmërinë e tyre dhe përcaktimi i metodës dhe kritereve për botimin e tyre si dhe për botimin e veprave të shtypura. Rindërtimi i historisë së sistemeve alfabetike të përdorura nga Skiroi dhe periodizimi i tyre është domosdoshmëri për vendosjen në çdo rast të një raporti të drejtë mes grafisë dhe shqiptimit. Me gjithë adoptimin e alfabetit të sotëm të miratuar në Manastir për transkriptimin e veprave të autorit, filologu e ka tejkaluar me të drejtë këtë kod alfabetik për të respektuar vullnetin e autorit qoftë për sa i përket raportit grafi-shqiptim qoftë ruajtjes së veçorive gjuhësore që Skiroi përdori me ndërgjegje në rrugën e krijimit të një koineje letrare për të gjithë shqiptarët me bazë të folmen arbëreshe të Horës dhe me elemente nga të dy kryedialektet e shqipes.

Një ese interesante biografiko-letrare e pasur me elemente jetësore romanceske është punimi që hedh dritë mbi marrëdhënien e hershme miqësore mes Zef Skiroit e Luigi Pirandellos dhe formimin rinor të tyre. Është pasuria e madhe e dokumentacionit të zbuluar rishtas, dhe ndër to letrat e Pirandellos drejtuar Skiroit (1886-1890), që e kanë nxitur studiuesin të merret me këtë aspekt interesant dhe pak të njohur të periudhës rinore të Skiroit, ku del në pah veprimtaria letrare e poetit arbëresh në këtë periudhë (vitet ’80 të shek. XIX), konteksti historik-kulturor i formimit të tij dhe shtysat që nxitën dhe frymëzuan veprat letrare të kësaj moshe. Po kaq të rëndësishme janë këto letra për të kuptuar më mirë shtysat që frymëzuan krijimtarinë rinore të shkrimtarit të shquar italian, Luigi Pirandellos.

Studimi historik-leksikografik mbi fjalorët e hartuar në mjedisin arbëresh të Sicilisë, qoftë dorëshkrime qoftë vepra të shtypura, të ndara në periudha dhe sipas tipologjisë së tyre, na befason me punën e jashtëzakonshme të bërë nga dijetarët arbëreshë, madje kufizuar kjo vetëm tek ata të Sicilisë, edhe pse disa vepra në dorëshkrim shumë të rëndësishme kanë humbur, si fjalori dygjuhësh i “pionierit të leksikografisë siciliane” Nilo Catalanos, por që ka lënë gjurmët e veta duke shërbyer si model për fjalorët pasardhës të arbëreshëve të Sicilisë. Një tjetër kulm të leksikografisë arbëreshe shënoi puna leksikografike e intelektualit enciklopedik arbëresh Nikollë Keta, me fjalorin e tij dygjuhësh të hartuar mbi baza shkencore e të mbështetur në vjeljen nga letërsia e shkruar por edhe nga goja e folësve të shqipes të të dy dialekteve, të plotësuar me shtresëzimin dialektor të fjalëve dhe me prejardhjen e tyre dhe të pasuruar me neologjizma të formuar sipas rregullave fjalëformuese të shqipes. Një tipologji më vete përbëjnë fjalorët etimologjikë, ku spikatin puna prej pionieri e Atë Gjergj Guxetës, fjalori etimologjik i mirëfilltë i Nikollë Ketës, një vepër novatore në historinë e kulturës albanologjike, e sidomos vepra madhore e gjuhëtarit të shquar arbëresh Marco La Piana, fjalori etimologjik i gjuhës shqipe në dorëshkrim, i cili, me një punë intensive të filologëve arbëreshë, pret dritën e botimit. Periudha e fundit e leksikografisë arbëreshe karakterizohet nga prurjet modernizuese përmes metodave revolucionare kompjuterike të nisura e të zbatuara me një vizion shumëdisiplinor nga prof. Francesco Altimari në projektin BETA (Biblioteka Elektronike e Teksteve Arbëreshe) që, mbas botimit kritik të teksteve të autorëve arbëreshë dhe përpunimit elektronik të tyre, do të realizojë një fjalor historik të të folmeve të arbëreshëve të Italisë, një punë kolosale tashmë afër përfundimit.

Vëllimi mbyllet me studimin kushtuar bashkëvendasit Trifon Guidera nga Hora e Arbëreshëve: “Një self-made man arbëresh në kohë trazirash. Mbi poezitë e pabotuara të Trifonio Guiderës”, një studim ndërdisiplinor, historik, biografik, letrar e filologjik për jetën e trazuar dhe veprimtarinë letrare të një njeriu me prejardhje të thjeshtë, por me forcë të madhe shpirtërore e intelektuale.

Matteo Mandalà, Lekë Matranga Njeriu, koha, vepra, Ombra GVG, Tiranë, 2013*

Më në fund, një përgëzim i veçantë i takon atij që ka përballuar një vëllim e një vështirësi të konsiderueshme pune për sjelljen e kësaj vepre në shqip, dr. Gëzim Gurgës, i cili edhe në këtë rast ka treguar nivelin e tij të lartë shkencor dhe njohuritë e thella në të dy gjuhët e sidomos në terminologjinë e specializuar të fushës.

Vepra e Matteo Mandalàit, e shkruar kryesisht në italisht, na ka ardhur hap pas hapi edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën që i takon të jetë e publikuar, falë edhe iniciativës dhe angazhimit të shtëpive botuese me ndjeshmëri të lartë për albanologjinë, si Çabej, Naimi, Ombra GVG dhe Onufri, të cilat meritojnë falënderimin tonë.

Në fund të kësaj paraqitjeje qoftë edhe kaq të përmbledhur të këtyre studimeve të thelluara e novatore për letërsinë arbëreshe, nuk na mbetet veçse të perifrazojmë përcaktimin e dhënë në fillim të këtij shkrimi e duke pohuar në mënyrë të padyshimtë se Matteo Mandalà përfaqëson sot një shtyllë të qëndrueshme dhe pikë referimi të domosdoshme dhe të pashmangshme për studimet filologjike të letërsisë arbëreshe. I uroj jetë të gjatë, shëndet dhe energji për të na dhuruar vepra të tjera që ndriçojnë kulturën tonë të përbashkët arbërore./dritare.net