Na ndiqni edhe në

Opinione

Gruaja në media dhe forca e shembullit!

Gruaja në media dhe forca e shembullit!

Nga Arta Marku

Pashë një ditë, në rrjet, një fragment nga një emision televiziv: një grua e ftuar në studio tha: “E godita time bijë në sy të vjehrrës sepse i foli keq të shoqit”.
Pra, burrë e grua kishin qenë në shtëpi bashkë me nënat përkatëse. Gruaja e paskësh humbur toruan, qetësinë, nuk qenkësh treguar e sjellshme, e përmbajtur me të shoqin dhe e ëma i kish dhënë një dackë. Dhe nuk mjafton kaq por çohet e del para kamerave dhe shpall publikisht veprimin e saj, MARRËZINË e saj. Me krenari e shpall, për më tepër. Kurse media e shpërndan, e shumëfishon.


Dikujt në atë media, ku ta dish, mundet t’i ketë vetëtirë ideja se po e shumëfishon në formë kritike, në mënyrë që të gjykojë dhe ta linçojë publiku atë marrëzi. Po hajde, le të themi se nuk ka pasur qëllim klikimet. E megjithatë ka ofruar një MODEL. Model marrëzie ama, model të cilin, ka të ngjarë, jo të gjithë ta perceptojnë si marrëzi.

Ma riktheu në kujtesë sa më sipër një pyetje që mu bë nga Prof. Dr. Esmeralda Kromidha, Dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, UT, e cila më kishte ftuar të bëhesha pjesë e diskutimit të Forumit të IX Kombëtar i Grave Shqiptare Frankofone, me temën “Gratë në media: informimi, ndikimi, transformimi” që u zhvillua në sallën e bibliotekës së fakultetit. “Si shërbejnë gratë si modele frymëzimi për brezat e rinj, në media?”, ishte pyetja.
Përmes shembullit, ishte gjëja e parë që më erdhi ndër mend, por përmes cilit shembull? Nuk qenkësh edhe aq e thjeshtë po të mendosh një grua që rreh të bijën e që e shpall në media. Megjithatë ideja e ndikimit përmes shembullit, padyshim që ka kuptim.
Kësaj here pyetjen ia bëra vetes:
A mund të jem unë një model?
Nëse flasim për faktin se zgjedhjet i kam bërë vetë në jetë, PO jam! Padyshim.
Ama, duhet ta pranoj, nuk kam pasur pengesa të pakapërcyeshme: për shembull familja ime nuk më ndaloi që ta braktisja profesionin për të cilin u diplomova dhe t’i futesha gazetarisë. Herë pas here më thoshin se sa mirë do të kishte qenë të merresha me profesionin që e kisha të vulosur në diplomë. Por asnjë urdhër, asnjë imponim.
Familja ime nuk shprehte ndonjë pakënaqësi kur kthehesha natën vonë, pasi kisha dorëzuar në shtypshkronjë revistat a gazetat kam drejtuar në kohë të ndryshme. Po, më prisnin, zgjuar, herë pas here u binin telefonave. E po, merreni e mend, ishte viti 1997, 1988 e vite të tjerë si këta..., shqetësoheshin. Por asnjë urdhër për të mos vazhduar kështu. Ndaj munda të vazhdoj.
Po sikur t’i kisha pasur këto pengesa çfarë mund të kisha bërë? Duke mos e pasur të tillë përvojën a mundem të jem model për disa gra që kanë ëndrra me profesion dhe me karrierë por nuk kanë mbështetje në familje, madje akoma më shumë kanë pengesa? NUK E DI!

Në këto kushte, diskutimet për temat e barazisë gjinore, dikur, nuk i kisha për zemër. Pikërisht ngase mendoja që nuk kisha asnjë lidhje me pabarazinë, pra nuk e kisha njohur pabarazinë. Nuk kisha pasur ndonjëherë as edhe ndjesinë se burrat më pengonin apo më shpërfillnin, apo më luftonin në mjediset e punës, thjesht dhe vetëm se isha grua. Derisa, dikur një shkrimtare, me një moshë dhe përvojë shumë më të gjatë se unë më hapi një dritare reflektimi: BURRAT, – më tha, pak a shumë, – sot, të luftojnë në një mënyrë shumë të sofistikuar të kamufluar. Sot, – më shpjegoi, duke iu referuar sidomos terrenit ku funksionoja unë por edhe ajo e që ishte terreni i njerëzve të kulturës – vështirë që një burrë të të thotë në mënyrë të drejtpërdrejtë se ti nuk bën ngase je grua; se ti je e paaftë ngase je grua. Nuk guxon ta thotë në këtë mënyrë, por, po të jesh e vëmendshme e dallon mosbesimin, shpërfilljen, pse jo, luftën që të bëhet për hir të të qenit grua.


Atëherë e ktheva shikimin pas:
Gjatë karrierës sime disa herë kam drejtuar media të ndryshme: dy nga herët isha realisht kryeredaktore, de fakto i drejtoja unë ato dy revista. Por në faqen ku shkruheshin emrat e redaksisë unë figuroja, thjesht zv/kryeredaktore. Dhe ashtu mbeti gjatë gjithë kohës që drejtova. Padronët ishin në kërkim të një burri për ta vënë në krye. Unë vazhdova t’i drejtoj ato media për një kohë relativisht të gjatë, por prapë mbeta zv/kryeredaktore…
Asokohe besoja se shkak i të qenit në vend të dytë ishte mosha ime e re, por e vërteta është se edhe ata të vendit të parë kishin të njëjtën moshë... Çudi, si nuk e kuptova asokohe. Ndoshta ngase askush nuk më tha TI NUK MUND TË BËHESH KRYERADAKTORE SE JE VAJZË. Kurse unë për vete nuk e kërkova kurrë atë pozicion.
Sigurisht në shumë raste të tjera, e kam pasur atë pozicion pa e kërkuar dhe pa asnjë lloj gjykimi a paragjykimi. E megjithatë, referuar dy rasteve që shkëputa, a mund të jem model?
Ka të ngjarë që këtë herë, JO!
Gjithsesi, ideja e ndikimit përmes shembullit, ka gjithnjë kuptim. Shembujve nuk është e thënë tu referohesh pikë për pikë. Ndonjëherë është e pamundur. Rastet nuk ngjanë, as interesat, as ëndrrat e as qëllimet... Çështja është, qoftë edhe për një element të vetëm, të mos ndjekësh shembujt e gabuar.