
Drejtësia e fshehur pas perdeve! A duhet t’i njohim ata që godasin me çekiç vendimin dhe jetët tona?
Dritare.net
Dje, një ditë pas kalvarit dy ditor të “mbërthimit” në burg të Erion Veliajt, SPAK nxitoi të përcjellë dy mesazhe; një përshëndetje të Komisionit Europian, që lëvdon përparimin e reformës në drejtësi – për meritë të SPAK; dhe tjetra, “vrapin” institucional që Altin Dumani bëri për të takuar Komisionerin shtetëror të KQZ-së, Ilirjan Celibashi, në zyrën e këtij të fundit. Arsyeja? Rritja e bashkëpunimit institucional në funksion të parandalimit dhe ndjekjes së krimeve zgjedhore!
Në të njëjtën ditë, SPAK, me Altin Dumanin, u paraqit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA), në rolin e Komisionerit Publik, ku kjo “Gjykatë” dha vendimin për shkarkimin e gjyqtarit të Tiranës, Arben Dosti, i cili kishte dalë “i pastër” nga KPK (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit).
SPAK në BE, SPAK në KQZ, SPAK në KPA. Pas tre punëve me impenjim, paçka se dy të parave nuk ka arsye t’u dhurojë kohë, SPAK kthehet në zyrë të vazhdojë, të drejtojë, të iniciojë hetime me peshë.
Kush e ka radhën? Belinda apo Belindi?! Një pyetje që të gjithë e presin me kureshtje, disa me ankth, disa me kuriozitet, disa me shumë shpresë.
SPAK alias Altin Dumani po punon… Altin Dumani është absolutisht njeriu me pushtet të panegociueshëm sot për sot. Afermendsh që, as Rama e as Berisha, nuk e rivalizojnë dot. Dy të tjerët, Meta me Veliajn, janë në burg. SPAK është kthyer në akronimin që personifikon shumëçka sot në Shqipëri. Së pari, pushtet absolut në sytë e të gjithëve. Tmerr në zemrën e disave.
Vetëm Trump (jo SHBA) e parakalon në çdo drejtim SPAK-un, bashkë me Dumanin në krye të tij. Si? Sikur një ditë Donald J. Trump të dilte në Dhomën Ovale dhe, teksa firmoste me ekzibicion dhjetëra urdhra ekzekutivë, të thoshte: Listen, në atë “Wonderful country“ se ç’është një kryeprokuror që ka një shef kabineti ithtar të Sorosit dhe palestinezëve. Ma zhdukni brenda ditës së shtunë, ora 12:00.
Ç’do ndodhte? Çdo gjë do zhdukej si me magji bashkë me Dumanin. Fama, frika, tmerri, shpresa. Të gjithë do hutoheshin, askush s’do ta shihte më me shpresë dhe as me adhurim kreun e SPAK-ut të sotëm. Kaq e thjeshtë është. Kaq pak kemi ndërtuar, sa një emër mund të fiket si një bisht cigareje për t’u ndezur një tjetër, vetëm nga një mesazh prej SHBA. Si në politikë, ashtu dhe në drejtësi.
Asnjë prej ithtarëve të SPAK-ut, Berishës apo Ramës, nuk do guxonte t’i dilte përkundër një force të tillë. Kujtohet Berisha kur e lanë majë dritares, pothuajse me rrugicë bosh prej një mesazhi të tillë amerikan. Shikojeni Berishën sot, të rilindur vetëm pse i dha dorën atij që i dha një “dorë” Trumpit në zgjedhje. Shikoni Ramën se ç’bën për atë ‘mesazh’: Hoqi nga Instagrami vëllain amerikan me mbiemër Soros, atë që e kishte fotografi më të dashur se vetë Ismail Qemalin.
MITI SPAK
Çështja Veliaj nxori në pah një të vërtetë të madhe; ne ecim mbi mite ose Godina, por jo mbi njerëz të zakonshëm që duhet t’i krijojnë apo t’i popullojnë ato.
Nëse SPAK i kthyer në “mit” nuk do të shoqërohej me emrin e Altin Dumanit – heroit me shpatë në dorë, atëherë do të mbetej thjesht një godinë që do të kishte vetëm emrin, e jo bujën bashkë me shpresën që ngjall sot.
Kujtojmë SPAK-un e Arben Krajës. Asnjë rezultat, ashtu si pamja e tij e fjetur. Asnjë hetim, asnjë “burgim” i bujshëm. SPAK u bë ASPAK… duke u çmitizuar vit pas viti aq sa, kur filloi të lëvizë me ardhjen e Dumanit, u thirr pa pikë frike e pa turp: SKAP, DUM-DUMAN. I kishte dalë frika “klientëve” të tij.
Pse? A nuk ishin të përzgjedhur prokurorët e parë të reformës në drejtësi me kujdesin që të jenë “heronjtë e fëmijëve tanë”? Kush ishin këta prokurorë? Adnan Xholi, Anita Jella, Alfred Shehu, Arben Kraja, Behar Dibra, Doloreza Musabelliu, Dorina Bejko, Dritan Prençi, Edvin Kondili, Elida Kaçkini, Elvin Gokaj, Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai, Klodjan Braho, Manjola Kajana, Sotir Kllapi, Vladimir Mara. Në fund Ols Dado dhe Bledar Maksuti.
Për një çast të mendojmë që njëri prej tyre do jetë kreu i SPAK, në fund të vitit, sepse në shtator fillojnë hapat e zëvendësimit të Altin Dumanit. Sikur të jetë Ols Dado, i cili kishte nevojë për “dado” që t’i jepte zemër e të bënte “kërdinë” me emrin Veliaj, çdo bëhej me SPAK?
Prokurori i tha “ejvalla“ kryetarit të Bashkisë, sepse ky i dha një leje ndërtimi, pa i nxjerrë pengesa. “Lexo mesazhin që të kam nisur” – i tha Dado – Veliajt në sallë të gjyqit, me sigurinë që s’kishte asgjë kompromentuese brenda tij, por pa krenarinë e një prokurori dinjitoz. “Faleminderit” thotë prokurori special – për një punë që Bashkia duhet ta bënte për secilin aplikant të qytetit të saj. Falënderimi është njollë profesioni, ndërtimi në truallin e nënës, është pallat. SPAK do bëhej SSSKAPEE – me të!
Ky model bisnesmeni, që natën bën pretenca e ditën pallate, është e kundërta e Altin Dumanit, i cili nuk ka nevojë t’i thotë askujt “Faleminderit”! Kaq bizhu e rrallë është marka “ndershmëri” në tokën tonë, si ajo që ka varur Dumani në Shqiperi apo Albini në Kosovë, sa ne shqiptarët, të etur per pak, moral politikani apo prokurori, rendim pas tyre si të ishin mite.
Dumani nuk tërhiqet dot nga asnjë “fije”, edhe pse Sali Berisha refuzon ta pranojë apo Edi Rama kërkon ta telefonojë. Por heroi, që vishet e qethet si qëmoti, me një prirje të palëkundur për të vazhduar përpara, është vetëm një. Ku janë të tjerët? Cilët janë heronjtë e SPAK? Po ata të BKH? Ç’bëhet në GJKKO? A i njeh njeri përveç Irenës me tre mbiemra dhe “bariut” Bani Erjon?
Pas rrethimit me hekura dhe fasadës së xhamtë, SPAK, GJKKO e gjithë Drejtësia bashkë me to, kanë krijuar një perde që i shkëput ata nga ne. Nuk i njohim ashtu si amerikanët gjyqtarët dhe prokurorët e vet. Në SHBA të dënon gjyqtari me emër e jo Gjykata, as Godina.
Ne duam të dimë për jetën e Drejtësisë, gjyqtarët, prokurorët, hetuesit tanë… për aspiratat dhe dëshirat e tyre, të treguar nga ata vetë. Nëse Altin Dumanin e duam dhe ia falim lapsuset, kollaret e pabukura apo mungesën e oratorisë, për shkak të ndershmërisë së tij, këtë e bëjmë se e njohëm. Po të tjerët, përse pas perdeve? Përse nuk shfaqet Drejtësia e re?
Ne duam t’i njohim ashtu si Nanon, Berishën, Ramën, Metën, me çdo dimension apo ves. Por ata fshihen pas perdes. Ne duam të dimë për jetën e tyre, për anën njerëzore, se ata janë njerëz mbi të gjitha dhe jo vendime apo godina.
Sepse përndryshe, sot kemi Inteligjencln Artificiale. Që mund të bëjë çudira. ChatGPT mund të japë vendime dhe pretenca nëse i fut në “bark” prova, dokumente apo fakte. Por makina nuk vendos dot si njeriu, që edhe kur gabon, këtë e bën me mendje e me zemër. Ndaj, nuk kemi nevojë për makina inteligjente dhe godina që i mbajnë në korent ato. Kemi nevojë për njerëz që t’i njohim dhe t’i duam për ata që janë.
Nëse drejtësia të rregullon apo shkatërron jetën, ajo ka detyrimin të dalë përballë nesh, e jo të rrijë e fshehur pas një vendimi në emrin tonë; në emër të Popullit apo të Republikës së Shqipërisë.
Reforma në drejtësi u kërkua dhe u mbështet nga të gjithë ne. Por ishte një teatër që u luajt me perde të ulura, aq sa nuk u pa asgjë. Ekspertët e saj u bënë dashnorë gjykatash, shkruesit e reformës – mjelësit e saj.
KPK-ja, që pastroi e spastroi sistemin e drejtësisë nga dhjetëra gjyqtarë e prokurorë të pamerituar, ishte një akt me perde të ulura, pa asnjë transparencë.
Vettuesit u zgjodhën nga politika dhe filluan e mbaruan vetingun duke i bërë “duva” vetëm asaj. Ne nuk kuptuam asgjë se kush ishin ata. Nuk i njohëm asnjëherë ata “misionarë” që dhanë qindra vendime në emër të reformës në drejtësi. I pamë të futeshin në “Big Brother-in” e mandatit të tyre si njerëz me pamje të rëndomta, ashtu si të gjithë ne, dhe dolën me shkëlqimin e banorëve fitues, që ndryshuan çehren dhe jetën e tyre njëherë e përgjithmonë.
DYSHIME PËR REFORMËN
Përse nga 2016, për gati dhjetë vjet, reforma nuk pati asnjë cedim nga protagonistët e saj?
Asnjë përfaqësues i vetingut i korruptuar. Asnjë prokuror i SPAK i kapur në korrupsion. Asnjë gjyqtar i Gjykatës së Lartë, GJKKO-së, asnjë gjyqtar i Apelit të zakonshëm. Asnjë magjistrat. Asnjë pedagog i Magjistraturës. Asnjë!
Vallë, të gjithë kaq të ndershëm, sa nuk doli asnjë rast për be, “kallp”?
Janë dëgjuar nën zë “legjenda” se kanë kaluar vetingun edhe gjyqtarë e prokurorë me para. Shumë para, mijëra euro… qindra mijëra. Asnjë rast i dyshuar. As i përgjuar. A përgjoi SPAK sipas Kushtetutës çdo njeri, përfshirë veten e tij? Deri sot nuk kemi asnjë rezultat. Të gjithë qelibar të ndershëm.
Populli thotë: “Ku ka zë, s’është pa gjë”. Dhe zëri nuk provohet me fatura, por me përgjime. Përse SPAK nuk del e të tregojë me gojën plot: Sistemi i drejtësisë është monitoruar, janë të gjithë në rregull. Por kjo nuk është e vërtetë. Nuk ka se si të jetë as te drejtësia e re, e ndërtuar mbi gërmadhat e së vjetrës.
Gjykatat, prokuroritë e Shqipërisë flasin vetëm në emër të godinave. Kush janë prokurorët dhe gjyqtarët e jetëve tona? Kjo është një pyetje që kërkon përgjigje. Rëndësia e përgjigjes është më e madhe se kush i fiton zgjedhjet më 11 majit 2025./Gazeta Dita

















