Nis fluturimi i parë direkt Tiranë–Toronto, Rama: Objektivi udhëtimet me SHBA
Dritare.net
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës mirëpriti sot fluturimin e parë direkt Tiranë–Toronto dhe anasjelltas, një moment historik për aviacionin shqiptar.
Në ceremoninë e organizuar në Rinas morën pjesë përfaqësues të qeverisë, aeroportit dhe kompanisë ajrore, ndërsa Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm që e vendos Shqipërinë për herë të parë në hartën e fluturimeve transoqeanike.
Rama theksoi rritjen e jashtëzakonshme të aeroportit të Tiranës, i cili nga 2.2 milionë pasagjerë në vitin 2016 ka arritur në 13.7 milionë në vitin 2025, duke e cilësuar këtë si një tregues të transformimit të aviacionit civil dhe turizmit në vend.
Sipas tij, objektivi i radhës është hapja e linjave direkte me Shtetet e Bashkuara, ndërsa Shqipëria duhet të fokusohet në një turizëm me më shumë vlerë ekonomike dhe më pak presion mbi infrastrukturën.
Fluturimi Tiranë–Toronto shënon një lidhje të re historike mes Shqipërisë dhe diasporës shqiptare në Kanada, duke hapur mundësi të reja për udhëtime, turizëm dhe marrëdhënie ekonomike.