
Ngjasitë e universitetit me politikën dhe lufta për kohëra më të mira
Dritare.net

Të frikshme ngjashmëritë mes politikës dhe universitetit në Shqipëri. Sikurse pushtetarët e mëdhenj në politikë, dhe këta të vegjlit nëpër universitete, ligjin e shohin si dysheme ku shkelin dhe jo si ideal prej të cilit duhet të ulin kokën.
Korrupsioni tek të dyja, nga krimb është bërë flutur dhe u pëlqen të gjithëve. Në universitet nuk bëhet fjalë thjesht për banalitetin e lekëve që shkëmbehen me nota. Bëhet fjalë për Fakultetin e Ekonomisë, ku zyrtarët blejnë 130 milionë lekë bojë për printerin, a thua se me atë bojë kamuflojnë veten për t’iu fshehur burgut.
Po ashtu, nëse shqiptarët sot duan të braktisin vendin prej politikës së keqe, edhe studentët duan të ikin sa më parë nga universiteti, prej udhëheqjes së keqe.
Ashtu sikurse politika, edhe universiteti nuk i sjell asgjë të vlefshme popullit shqiptar. Politika e gjen veten në errësirë verbuese kur vjen puna për t’u koordinuar me të drejtën, ndërsa universiteti nuk koordinohet dot as me tregun e punës, në paçim një të tillë. Ato sot janë refleksione të njëra-tjetrës dhe ne shqiptarët kemi ngecur në mes.
Lista e ngjasive vazhdon gjatë, por gjëra që i dimë janë. Edhe politika edhe universiteti, janë në pamundësi të plotë për të prodhuar të ardhme. Kjo vetëm sepse njerëzit që i drejtojnë e dinë se një e ardhme e mirë për shqiptarët, do të thotë një e ardhme në burg për ta.
Por gjithsesi, ka zgjidhje! Zgjidhja vjen më së pari nga dëshira jonë për të kuptuar se ndryshimi vjen gjithmonë nga ata që „e hanë“, jo nga ata që hanë. Ndryshimi vjen nga ata që s’kanë, jo nga ata që kanë.
Nuk e zgjidh lëmshin qeveria, e cila kur uli buxhetin e arsimit, dëshmoi edhe njëherë tjetër se është në pavullnet të plotë për t'u ngritur në nivelin e sfidave që ka. As rektorati, dekanati apo instancat e tjera universitare nuk zgjidhin dot gjë, sepse ato janë tanimë organizma që e kanë humbur kuptimin e tyre përmbajtjesor dhe ekzistojnë vetëm si skelete që zënë shpirtin e korruptuar të njerëzve që i drejtojnë.
Ama dështimi i këtyre, nuk mund të jetë fundi ynë. Dështimi i tyre do të thotë se ne na duhet vet të zgjojmë nga gjumi të drejtën që kanë helmuar këta. Në këtë sens, protestat e studentëve janë një hap i parë drejt një procesi transformimi.
Protestat janë të rëndësishme jo vetëm sepse i tregojnë pushtetarëve se abuzimi i tyre ka arritur një kulm të padurueshëm, por dhe sepse ngjallin atë pjesë të popullatës që është shumë cinike, shumë e lodhur apo shumë e pashpresë.
Për këtë popull të vuajtur, ato buritë e shoferëve që përshëndetnin protestat e studentëve në 2018, janë jetësore, sepse tregojnë që dikush akoma po shpreson! Sidomos në vuajtje, shpresa është jetike, pasi përbën parantezën e luftës me pakënaqësinë. Kur shpresohet, edhe ëndërrohet. Një shoqëri që ëndërron është e aftë që tek fuqia e imazhit që ka për të ardhmen e saj, të gjejë forcën për ta realizuar atë. Kështu, përkundër dëshirës që disa vjeturina të politikës mund të kenë, arma e vetme që kemi në dispozicion ne, është shpresa, e cila vjen me protestë. Edhe papërgjegjshmëria vihet në siklet, kur qytetarët i vijnë në ndihmë vetes për të fituar atë që ëndërrojnë.
Megjithatë protestat s’mund të jenë qëllim në vetvete, ato janë thjesht shpulla që rivendosin me këmbë në tokë pushtetin e eksituar nga deliri. Qëllimi është zëvendësimi i boshësisë që ka krijuar qeverisja e keqe me një qytetari aktive, në mënyrë që ne shqiptarët të lartësohemi mbi padrejtësitë që na janë rreshtuar, për të takuar frytet e një kohe më të mirë./dritare.net

















