Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Zoti kryeminister: Ndihmoni blegtorinë shqiptare të mos shuhet!

Zoti kryeminister: Ndihmoni blegtorinë shqiptare të mos shuhet!

Z. Kryeministër Edi Rama

Unë që po ju drejtohem jam Aleksandër Jorgaqi, 92 vjeç, mjek veteriner, me afro 40 vite punë si specialist dhe kryespecialist, si dhe 10 vjet drejtor i Ndërmarrjes Bujqësore më të madhe të vendit – NB Roskovec – e njohur dikur si shkollë e Republikës për bujqësinë dhe blegtorinë.


Shkruaj me shqetësim të thellë për situatën dramatike të blegtorisë shqiptare, e cila, siç po e dëshmojnë të dhënat dhe realiteti në terren, po shkon drejt një katastrofe të pakthyeshme. Numri i krerëve është në rënie të lirë, fuqia punëtore në fshat po shterohet dhe prodhimi blegtoral është në nivelet më të ulëta që ka njohur vendi.


E gjitha kjo ndodh në një kohë kur Shqipëria po përparon me ritme të admirueshme në ndërtim, turizëm, rrugë e tregti. Por fshati po boshatiset. Blegtoria po shuhet. Dhe kjo heshtje mund të na kushtojë shumë më shtrenjtë se ç’mendojmë.


Kam jetuar një situatë të ngjashme në fund të viteve ’60, kur u rritën qytetet dhe zonat industriale, ndërsa blegtoria mbeti në vendnumëro. Qeveria e asaj kohe ndërhyri me një kredi nga Kina dhe importoi mijëra krerë mëshqerash të racës nga Holanda, Danimarka, Austria, si dhe impiante për dhi, derra dhe pula. Kjo zbuti krizën, por nuk e zgjidhi përfundimisht.


Sot, në një realitet tjetër, propozoj një zgjidhje të re, të përshtatur me kohën:
Një nismë private e mbështetur fuqimisht nga shteti, për ngritjen e komplekseve blegtorale moderne – me racë të mirë, me impiante efikase dhe me tokë të përpunuar me mekanikë bujqësore. Kemi tashmë shembuj që funksionojnë, si kompleksi “Fshatçe”. Ka sipërmarrës me kapital, por u duhet dorë shtetërore për ta kthyer vizionin në realitet.


Për të realizuar këtë, propozoj që qeveria të:
• Heqë taksën e prodhimit për 10 vjet për këto komplekse;
• Heqë taksat e importit për kafshët e racës, impiantet dhe makineritë bujqësore;
• Mundësojë importin pa taksa të ushqimeve për kafshët;
• Ofrojë mbështetje me kredi bankare dhe fonde të BE-së;
• Mundësojë qira afatgjatë ose shitje të tokës bujqësore të pabanuar, në mënyrë që mekanika bujqësore të zëvendësojë fuqinë punëtore që po zhduket.


Në të gjithë botën, bujqësia nuk e mban dot më vetë fshatin. Në Holandë, Francë apo Gjermani, vetëm 4–5% e popullsisë merren me bujqësi, por e bëjnë në mënyrë efikase, të mbështetur dhe të mekanizuar. Shqipëria nuk mund të mbetet jashtë kësaj logjike.


Z. Kryeministër,
Siç ia keni dalë të modernizoni shumë aspekte të jetës shqiptare, besoj se mund t’ia dilni edhe me blegtorinë, që është themel i sigurisë ushqimore, i ekonomisë rurale dhe i një Shqipërie që ruan rrënjët e saj.

Me respekt
Aleksandër Jorgaqi
Veteriner