
Zjarri mbi Dukat, Ministria e Mbrojtjes: Situata shumë intensive, po punojmë në terren
Dritare.net
Një zjarr masiv ka përfshirë zonën e “Qafës së Shëngjergjit”, mbi fshatin Dukat, në njësinë administrative Orikum, bashkia Vlorë. Sipas njoftimit zyrtar nga Ministria e Mbrojtjes, flakët janë tepër intensive dhe kanë përparuar me shpejtësi për shkak të erës së fortë, duke përfshirë jo vetëm shkurret dhe fierin, por tashmë edhe kurorën e pyllit me pishë.
“Zjarri është shumë intensiv. Digjen shkurre dhe fier poshtë pyllit me pishë, ndërsa flakët të ndihmuara nga era kanë përfshirë edhe kurorën e pishave,” thuhet në deklaratën e ministrisë.
Në terren janë angazhuar 17 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH), 5 forca nga Shërbimi Pyjor dhe 7 punonjës të bashkisë Vlorë, të cilët po punojnë për të vënë nën kontroll flakët dhe për të shmangur përhapjen më të gjerë të zjarrit në zonat e banuara dhe sipërfaqet pyjore.
Autoritetet nënvizojnë se ndërhyrja është e vështirësuar për shkak të terrenit të thyer dhe kushteve atmosferike, por angazhimi i forcave mbetet maksimal.
Ministria e Mbrojtjes ka bërë thirrje për vigjilencë dhe bashkëpunim nga banorët e zonës, duke theksuar se çdo rast i dyshuar duhet të raportohet menjëherë. Ndërkohë, vlerësohet situata për të parë nëse do të nevojitet përfshirja e forcave shtesë apo ndërhyrje nga ajri.
Zjarret në zonat pyjore vijojnë të jenë një sfidë e përsëritur në sezonin e verës, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë flakë në natyrë./L.F-dritare.net

















