Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Seanca e dytë për çështjen “Partizani” shtyhet sërish, kërkohet përjashtimi i trupës gjykuese

Seanca e dytë për çështjen “Partizani” shtyhet

Seanca e dytë gjyqësore për dosjen “Partizani”, ku të pandehur janë Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, u shty përsëri për shkak të kërkesës së avokatëve mbrojtës për përjashtimin e trupës gjykuese të GJKKO. Avokatët Genc Gjokutaj dhe Sokol Hazizaj argumentuan se gjyqtarët janë nën “kontrollin e SPAK” dhe për rrjedhojë nuk janë të paanshëm.

Kërkesa për përjashtim erdhi pasi GJKKO refuzoi më herët dorëheqjen e kryesueses Elsa Ulliri, për shkak të një lidhjeje familjare të saj me deputeten e PD, Andia Ulliri. Edhe vetë Jamarbër Malltezi deklaroi se gjyqtarët e GJKKO janë të “cenueshëm dhe të survejuar nga SPAK”.

Në mënyrë kontradiktore, Sali Berisha, i cili nuk ishte i pranishëm në seancë por u paraqit në SPAK për masën e “detyrimit për paraqitje”, deklaroi:
“Nuk kam kundërshti për asnjë gjyqtar konkret, por kam kundërshti për parimin – nuk mund të ketë pavarësi nëse gjykata kontrollohet nga SPAK.”

Ndërkohë, Prokurori Arben Kraja tha se këto pretendime janë trajtuar më parë nga Gjykata Kushtetuese.

Seanca e radhës u caktua për më 15 shtator, ora 10:30, pas kërkesës së një prej avokatëve për më shumë kohë për t’u njohur me materialet.

Dosja “Partizani” përfshin akuzat e korrupsionit pasiv ndaj Berishës dhe korrupsionit pasiv dhe pastrimit të parave ndaj Malltezit, lidhur me një aferë ndërtimi me përfitim prej 5.4 milionë eurosh.

Në dalje publike, Berisha ka sulmuar ashpër kreun e SPAK, Altin Dumani, dhe gjyqtaren Irena Gjoka, duke i akuzuar për shkelje dhe lidhje politike./L.F-dritare.net