Video/ Juglindja 4 ditë në izolim, ja rrugët alternative që po përdoren
Dritare.net

Prej katër ditësh, qarkullimi drejt juglindjes së vendit është paralizuar pas shembjes totale të rrugës kombëtare Librazhd–Pogradec. Çarja e asfaltit përfundoi me fundosjen e plotë të segmentit, duke e bërë të pakalueshëm aksin dhe pa një afat të qartë për rihapjen e tij.
Situata është përkeqësuar në zonën e quajtur “Arrat e Gurrës”, ku vijojnë rrëshqitjet e tokës.

Punimet për hapjen e një by-pass-i provizor u ndërprenë pasi u vlerësua se jeta e punëtorëve ishte në rrezik për shkak të lëvizjeve të dherave. Një nga alternativat që po shqyrtohet është ndërtimi i një rruge provizore paralel me hekurudhën, ndërsa pritet mbledhja e Këshillit Teknik për të vendosur mbi ndërhyrjen.
Qeveria, përmes Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), e ka cilësuar rrëshqitjen si fenomen natyror të shkaktuar nga reshjet e shiut. Megjithatë, Prokuroria ka nisur hetime për disa vepra penale, përfshirë “Shpërdorim detyre”, “Shkelje të barazisë në tenderë”, “Shkatërrim rruge” dhe “Ndotje të ajrit, ujit apo tokës”. Sipas burimeve, është kryer këqyrja e vendit të ngjarjes dhe janë mbledhur dokumentacionet përkatëse, ndërsa hetimi konsiderohet kompleks.
Ndërkohë, qytetarët e Korçës, Pogradecit, Përrenjasit dhe Librazhdit për të udhëtuar drejt Tiranës detyrohen të përdorin aksin Maliq–Gramsh, një rrugë që zgjat ndjeshëm distancën dhe konsiderohet me nivel të ulët sigurie. Një alternativë tjetër, më e gjatë dhe e vështirë, është përmes Tepelenës dhe Leskovikut, ndërsa mjetet e tonazhit të rëndë nga Maqedonia e Veriut po devijohen nga Rruga e Arbrit./L.F-dritare.net
View this post on Instagram