Vendimi i Venecias për Xhaçkën. Përplasen Spiropali dhe Bardhi
Dritare.net
Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali dhe kreu i Grupit Parlamentar të PD-së janë përplasur pas publikimit të raportit të Komisionit të Venecias në lidhje me çështjen e mandatit të deputetes së PS-së, Olta Xhaçkës. Spiropali thotë se vendimi i jep të drejtë mazhorancës dhe sovranitetin e paprekshëm të Kuvendit.
“Besoj tani është e qartë për të gjithë se qëndrimi ynë lidhur me procesin e trajtimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka nuk ishte një qëndrim as politik, as partiak, por një qëndrim kushtetues që lidhet me sovranitetin e paprekshem të Kuvendit! Gjykata Kushtetuese ka kërkuar që deputetët të votojnë në një mënyrë të caktuar dhe kjo nga ne është lexuar jo thjesht si ndërhyrje në pavarësinë e Kuvendit, por në radhë të parë si një vendim i pazbatueshëm për shkak të pamundësisë së një rregulli që i imponon deputetit se si të votojë! Sot morën përgjigje edhe të gjitha akuzat, shpifjet dhe propaganda me të pavërteta kundër këtij qëndrimi, por si Kryetare Kuvendi ndjehem e lehtësuar dhe për këtë falenderoj Komisionin e Venecias që e shqyrtoi me shpejtësi dhe seriozitet maksimal kërkesën time. Kam bindjen se ky opinion i drejtë do t’u shërbejë të gjitha palëve dhe institucioneve për reflektim në zgjidhjen drejt të çështjeve në lidhje me papajtueshmërinë e mandatit të deputetit në të ardhmen.”, tha ajo.
Ndërkohë Bardhi i është përgjigjur direkt Spiropalit duke thënë se Komisioni nuk i jep të drejtë mazhorancës dhe se PS-ja duhet të votojë sikurse ka kërkuar Gjykata Kushtetuese.
“Kryetarja e Kuvendit duhet ta rilexojë edhe njëherë opinionin e Komisionit të Venecias, ta kuptojë dhe ta zbatojë. Dezinformimi i saj që vazhdon edhe pasi opinioni është publik tregon se ka një tentativë për të vijuar me mbrojtjen e paprecedent ndaj deputetëve që shkelin kushtetutën për përfitime personale, tërësisht në të kundër të asaj që Komisioni i Venecias këshillon. Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali nga sot ka vetëm një detyrim: Të zbatojë dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, siç këshillon në opinionin e tij edhe Komisioni i Venecias. Çdo deformim apo devijim nga thelbi i opinionit dhe përhumbja nga detaje pa thelb nuk ndihmojnë në forcimin e demokracisë dhe as të shtetit ligjor.", shkruan Bardhi./K.C/dritare.net