
Komisioni i Venecias përplas edhe një herë PD dhe PS për Olta Xhaçkën!
Dritare.net
Opinioni i Komisionit të Venecias duket se nuk i qartësoi shumë palët për mandatin e Olta Xhaçkës, por më shumë i konfuzoi. Secili prej palëve, mazhorancë dhe opozitë e kanë lexuar në mënyra të ndryshme, këtë raport.
Komisioni i Venecias thotë qartë që parlamenti duhet të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Kjo, i jep të drejtë opozitës. Por shton se parlamenti nuk është i detyruar të votojë në mënyrë të caktuar por vetëm për çështje brenda kompetencën të vet. Pika e cila mazhoranca e lexon ndryshe nga opozita.
“Theksohet parimi se deputetët janë të lirë të votojnë. Komisioni i Venecias konstaton se Kuvendi e njeh detyrshmërinë e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të jenë të zbatueshme dhe nuk duhet të diktojnë votën”, tha sot deputetja e PS, Klotilda Bushka.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi në lidhje me opinionin e Komisionit të Venecias për mandatin e Olta Xhaçkës, tha se i dha një shuplakë kësaj mazhorance.
“Qartësisht Komisioni i Venecias konfirmon drejtësinë e betejës së opozitës, duke ritheksuar se nuk mund të ketë diskrecion politik për respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në rastin konkret nga i cili u ngrit kjo kërkesë, Gjykata Kushtetuese ka marrë dy vendime dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk duhet të kushtëzohet me votimin nga shumica parlamentare”, tha Bardhi./L.F-dritare.net

















