Veliaj kërkoi gjyq live, GJKKO e rrëzon kërkesën, ja pse!
Dritare.net

GJKKO ka rrëzuar kërkesat e paraqitura nga Erion Veliaj dhe avokati i tij, Plarent Ndreca, në lidhje me administrimin e provave dhe kushtet gjatë procesit gjyqësor. Një nga kërkesat kryesore të mbrojtjes ishte që të gjithë fashikujt hetimorë të viheshin në dispozicion në formë të dixhitalizuar, me argumentin se në dosje përfshihen përgjime që nuk janë dëgjuar nga mbrojtja dhe se procesverbalet përbëjnë vetëm interpretime. Gjykata e rrëzoi këtë kërkesë, duke vlerësuar se provat janë vënë në dispozicion dhe janë të aksesueshme fizikisht. Po ashtu, u refuzua edhe kërkesa që Veliaj të mos qëndrojë në kafaz gjatë seancave gjyqësore.
Pas vendimit, avokati Ndreca reagoi duke e konsideruar këtë si një pengesë për një proces të drejtë dhe të barabartë:
“Kjo është e vetmja pengesë që e bën të pamundur që zoti Veliaj të jetë në GJKKO në kushte normale. Ai ka vullnet të përballet me drejtësinë, por vetëm në kushte të barabarta.”
Ndreca ngriti gjithashtu shqetësime për mënyrën se si po administrohen provat, duke theksuar mungesë transparence dhe akses të plotë për mbrojtjen:
“Një pjesë e akteve nuk janë hapur, nuk janë vlerësuar dhe nuk janë marrë në konsideratë. Zotit Veliaj i mungojnë 24 fashikuj dhe nuk ka asnjë provë digjitale në dispozicion. As ai dhe as mbrojtja nuk kanë mundësi t’i lexojnë, t’i dëgjojnë dhe t’i verifikojnë këto prova, që është një e drejtë kushtetuese.”/K.C/dritarenet