Trump do të vendosë firmën në kartëmonedhat amerikane për herë të parë në histori
Dritare.net

Donald Trump pritet të bëhet presidenti i parë në detyrë i Shteteve të Bashkuara që do të ketë firmën e tij në kartëmonedhat amerikane, sipas një njoftimi nga Departamenti i Thesarit.
Firma e tij do të shfaqet krahas asaj të Sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, në një vendim të pazakontë që synon të shënojë 250-vjetorin e themelimit të SHBA-ve. Tradicionalisht, kartëmonedhat amerikane kanë mbajtur vetëm firmat e zyrtarëve të Thesarit.
Sipas Bessent, ky është një mënyrë simbolike për të nderuar historinë dhe arritjet e vendit, si dhe presidencën aktuale. Kartëmonedhat e para prej 100 dollarësh me firmat e Trump dhe Bessent pritet të shtypen në muajin qershor, ndërsa më pas do të pasojnë edhe prerje të tjera.
Aktualisht, kartëmonedhat në qarkullim mbajnë firmat e ish-Sekretares së Thesarit Janet Yellen dhe Thesarierës Lynn Malerba, gjatë administratës së Joe Biden.
Vendimi shënon një ndryshim nga tradita që daton që nga viti 1861, sipas së cilës në kartëmonedha vendoset firma e thesarierit të SHBA-ve. Ndërkohë, Thesarieri aktual Brandon Beach deklaroi se dollari amerikan do të vazhdojë të jetë simbol i fuqisë dhe stabilitetit ekonomik të vendit.
Nisma vjen në kuadër të aktiviteteve për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-ve, kur 13 kolonitë origjinale shpallën ndarjen nga Britania e Madhe.
Megjithatë, vendimi ka nxitur reagime politike. Guvernatori demokrat i Kalifornisë, Gavin Newsom, kritikoi ashpër këtë lëvizje, duke e lidhur me gjendjen ekonomike dhe rritjen e kostos së jetesës për qytetarët amerikanë.
Ky nuk është rasti i parë që emri i Trump lidhet me iniciativa simbolike shtetërore. Më herët, një komision federal miratoi edhe prodhimin e një monedhe përkujtimore prej ari 24-karatësh me imazhin e tij, gjithashtu në kuadër të 250-vjetorit të SHBA-ve./L.F-dritare.net